Kontejnerët e transportit për në Tajlandë , të mbushura me tonelata mbetjesh të rrezikshme industriale nga Shqipëria, janë planifikuar tani të kthehen në Evropë, pasi grupet mjedisore dhanë alarmin se ato po eksportoheshin ilegalisht në Azinë Juglindore, shkruan Bloomberg.
Një anije AP Moller-Maersk A/S që mban 40 kontejnerë të mbeturinave do të mbërrijë nesër në Singapor dhe ngarkesa e dyshuar më pas do të dërgohet përsëri në Itali, sipas faqes së internetit të gjurmimit të ngarkesave detare të MSC Mediterranean Shipping Company SA , e cila do të transportojë ngarkesën përsëri në Evropë.
Maersk po punon me autoritetet e Singaporit dhe linjën e transportit detar për të cilin po transporton kontejnerët "për të siguruar që kontejnerët do të riatdhesohen në Shqipëri në mënyrën më të mirë të mundshme", tha zëdhënësja Summer Shi.
60 kontejnerë të tjerë me mbetje të dyshuara aktualisht në bordin e Maersk Candor, i cili pritet në Singapor këtë muaj, do të kthehen gjithashtu në Evropë, tha Shi.
Zyrtarët kanë punuar për të ndaluar dërgesën që kur Basel Action Netëork , një organizatë jofitimprurëse me bazë në SHBA që gjurmon tregtinë e mbetjeve toksike, javën e kaluar informoi Tajlandën se kontejnerët që ajo beson se janë të mbushura membetje të rrezikshme industriale po shkonin drejt saj.
MSC dhe autoritetet shqiptare nuk iu përgjigjën kërkesave për koment, ndërsa autoritetet e Singaporit thanë se nuk ishin në gjendje të komentonin ende, shkruan më tej në artikull Bloomberg.
Maersk tha se asnjë nga kontejnerët nuk ishte deklaruar se përmban mbetje të rrezikshme, përndryshe do të kishte refuzuar t'i transportonte ato.
Maersk Campton - i cili kishte fikur transmetimin e vendndodhjes së tij ka treguar vendndodhjen e tij dhe po lundron nëpër ngushticën e Malacca.
Maersk tha se anija kishte ndaluar transmetimin e vendndodhjes së saj ndërsa ishte afër Cape Town në Afrikën e Jugut për shkak të shqetësimeve të sigurisë në rajon.
Tajlanda dhe vendet e tjera të Azisë Juglindore kanë parë një fluks mbeturinash nga vendet e zhvilluara, nga plastika e ndotur deri te mbetjet industriale dhe elektronike, të cilat mund të jenë të mbushura me toksina.
Autoritetet tajlandeze janë ende duke komunikuar me zyrtarë të tjerë të huaj përgjegjës për monitorimin e dërgesës, sipas një zyrtari në Departamentin e Punëve Industriale.
Tajlanda do të bllokojë dhe nuk do të lejojë që mbetjet e rrezikshme të transportohen në vend, janë shprehur autoritetet tajlandeze./Versus.al







