
“Shota”, është prototipi i makinës së parë të blinduar shqiptare. Nga jashtë duket një “bishë” dhe pas pak ditësh ka testin e saj të parë në botën e “ujqërve” të mbrojtjes. Ajo do të prezantohet në 17 qershor në ekspozitën “Eurosatory”, panairi botëror i Mbrojtjes dhe Sigurisë që zhvillohet në Paris. Për herë të parë makina prodhuar nga kompania Timak, e drejtuar nga nje vajzë më mendje të artë si Arjeta Puca, do të kalojë nën “sitën” profesionale të mbi 62 mijë vizitorëve që ndjekin zakonisht panairin që bëhet çdo dy vjet në kryeqytetin francez
“Shota”
Vëtëm pak javë më parë ishte ministri i Mbrojtjes Peleshi që njoftoi se kompania e drejtuar nga Puca ishte drejt përfundimit të prototipit të autoblindit të parë të blinduar ushtarake “Made in Albania”. Puca ka sqaruar se makina e prodhuar nga kompania e saj shërben për të kryer transportin e forcave ushtarake dhe njëherësh t’i ofrojë atyre mbrojtje të blinduar, si për plumba ashtu dhe kundra minave. Protoipi është dizenjuar nga inxhinieri shqiptar Grigor Andoni dhe është “sjellë në jetë” për 3 muaj.
“Besimplotë që, në Paris, në panairin #Eurosatory ne do të prezantojmë me sukses këtë produkt shqiptar. Shumëkush mund të pyesë se si ka mundësi që një ekip me 75% vajza të reja, arrin të eksportojë makina në 20 shtete të botës dhe madje të guxojë të hyjë pa drojë në tregun e industrisë ushtarake. Për të gjetur çelësin e suksesit, po ju tregoj çfarë më tha Arjeta gjatë vizitës time te TIMAK. "Më mori dikush në telefon nga Izraeli. Ishte shqiptare dhe kishte parë një ambulancë izraelite Made in Albania dhe ishte çuditur. Më ndodh shpesh që takoj njerëz që çuditen me ne. Ndërsa unë çuditem me çudinë e tyre,”-shkruante Peleshi 3 javë më parë në rrjetet sociale.

Autoblindi i parë “made in Albania” mban emrin “Shota”, në kujtim të luftëtarës së lirisë me origjinë nga Drenica Shote Galicës, e vrarë në korrik të 1927 në Fushë-Krujë.
“Amazona” nga Dibra që krijoi “Shotën”
Arjeta Pucës i është lakuar jo pak emri gjatë viteve të fundit.

Pas ambulancave gjatë pandemisë dhe autoambulancave të blinduara të dërguara në Ukrainë, sipërmarrja që ka në rreth 70 përqind të stafit të saj vajza e gra, ka në "portofolin" e saj dhe makina të tjera të veçanta që mund të përdoren në fushën e sigurisë si dhe dronë.

Në vitin 1991, kur Arjeta ishte 4 vjeç, familja e saj emigroi në Turqi. Në vitin 2006, familja hapi një dyqan të vogël për riparimin e superstrukturave.
Ajo studionte Inxhinieri Kompjuterike në Universitet dhe gjithashtu punonte me kohë të pjesshme në dyqanin e familjes, i cili më vonë u bë kompani. Pas diplomimit, Arjeta punoi në departamentin e Kërkimit dhe Zhvillimit në Bosch Gjermani dhe Bosch Japoni. 8 vite më parë, ajo vendosi të shpërngulet në Shqipëri dhe të fillojë tërësisht nga zero kompaninë e saj. VERSUS






