AKTUALITET /

Arrestohet ish-ministri Beqaj dhe 2 bashkëpunëtorët e tij! Abuzuan me fondet e agjencisë që koordinonte ndihmat e BE

Arrestimi i Beqajt është kryer pas abuzimeve të tij me fondet e "SASPAC" (drejtorisë për menaxhimin e ndihmave të huaja) të cilën e drejtori për pothuajse një vit.

Shkruar nga B.V

Arrestohet ish-ministri Beqaj dhe 2 bashkëpunëtorët e tij!

Ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj ndaj të cilit SPAK kishte caktuar masën “detyrim paraqitje” nën dyshimet e shpërdorimit të detyrës për koncesionin e Sterilizimit, është arrestuar mëngjesin e sotëm.

Burime për Versus.al bëjnë me dije se arrestimi i Beqajt ka ardhur pas mbylljes së hetimeve për një tjetër aferë për të cilën ai akuzohej, atë të abuzimit me fondet e “SASPAC”, agjencisë për menaxhimin e fondeve të huaja të cilën Beqaj e drejtoi për rreth një vit.

Në pranga kanë rënë edhe dy bashkëpunëtorët e tij, Ermal Kurtulaj dhe Alfred Nikolla të cilët akuzohen po ashtu për abuzime me fondet e kësaj agjencie. Pas publikimit të lajmit, ka pasur edhe një reagim nga ana e SPAK.

"Duke marrë në konsideratë kërkesat tuaja për informacion lidhur me arrestimin e shtetasit Ilir Beqja, ju konfirmoj se, sot është kryer arrestimi e këtij shtetasi në zbatim të vendimit të Gjykatës së Posaçme të Shkallës se Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar. Për një informacion më të plotë, SPAK do te vijojmë më pas me një njoftim zyrtar për shtyp"- njofton Prokuroria e Posaçme.

Urdhrër arrestet janë firmosur nga prokurorët Altin Dumani dhe Elida Kaçkini. Masa sigurie për këtë çështje hetimore janë lëshuar edhe për katër persona të tjerë të cilët akuzohen si bashkëpunëtorë të ish-ministrit Ilir Beqaj dhe Ermal Kurtulajt e Alfred Nikollës në skemën me fatura fiktive të paguara nga “SASPAC”. Mësohet se pas kontrolleve në banesa, me urdhrin e firmosur nga gjyqtarja e GJKKO, Rudina Palloi janë firmosur masat e sigurisë “arrest shtëpie” për Gazment Haxhian dhe Elton Marinin si dhe detyrim paraqitje për Bledar Lekën dhe Bjona Zijajn të cilët dyshohen se si përfaqësues të subjekteve të ndryshme tregtare, bashkëpunuan me Ermal Kurtulajn për të lëshuar fatura fiktive ndaj “SASPAC” për shërbime që nuk i kishin kryer kurrë.

Ilir Beqaj ka mbajtur postin e ministrit të Shëndetësisë gjatë mandatit të parë të qeverisë së PS gjatë viteve 2013-2017. Ndërsa në nëntor të vitit 2022 u emërua drejtor i "SASPAC" (Agjencisë Shtetërore të Programin Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës nga BE). Në nëntor të vitit të kaluar dha dorëheqjen nga posti pasi u mor nën hetim nga SPAK për aferën e koncesionit të Sterilizimit me vlerë 100 milionë euro dhe afat 10 vjeçar për të cilën është arrestuar zv.ministri i Shëndetësisë Klodian Rrepaj. Bashkangjitur me Sterilizimin, SPAK nisi edhe hetimet për abuzimet e Beqajt me fondet e agjencisë që drejtoi për më pak se një vit. Versus.al

Poll