NATO ka kapur të premten avionë luftarakë rusë që kishin “shkelur” hapësirën ajrore të Estonisë, duke e denoncuar këtë si “një tjetër shembull të sjelljes së rrezikshme ruse”, tha zëdhënësja e NATO-s, Allison Hart.
“Më herët sot, avionë luftarakë rusë shkelën hapësirën ajrore të Estonisë. NATO reagoi menjëherë dhe interceptoi avionët rus”, tha ajo në X.
Nuk specifikoi numrin e avionëve të përfshirë apo kohëzgjatjen e incidentit, por Estonia denoncoi një “shkelje të paprecedentë” të hapësirës së saj ajrore nga tre avionë luftarakë rusë MIG 31.
Sipas një zyrtari të NATO-s i cili kërkoi të mbetej anonim, avionët luftarakë italianë F-35, të prodhuar në Amerikë, që marrin pjesë në një mision mbikëqyrjeje në Baltik, ndërhynë për të kapur avionët luftarakë rusë.
“Provokim jashtëzakonisht i rrezikshëm”
Kjo është “shkelja” e tretë e hapësirës ajrore të BE-së në më pak se dy javë, denoncoi shefja e diplomacisë evropiane Kaja Kallas. Për ish-kryeministren estoneze, kjo ndërhyrje e re ruse është një “provokim jashtëzakonisht i rrezikshëm”.
Incidenti ndodhi të premten mbi Gjirin e Finlandës. Tre avionët luftarakë rusë qëndruan në qiellin e Estonisë për gjithsej 12 minuta përpara se të interceptoheshin nga avionët luftarakë të NATO-s, sipas Ministrisë së Jashtme estoneze.
Presidenti rus Vladimir Putin po e vë në provë vendosmërinë e Perëndimit. Ne nuk duhet të tregojmë dobësi”, shtoi Kallas.
“Ne do t’i përgjigjemi çdo provokimi me vendosmëri”, tha Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, menjëherë pasi propozoi një “paketë” të re sanksionesh kundër Rusisë, e 19-ta që nga pushtimi i Ukrainës nga Moska në shkurt 2022.
Javën e kaluar, rreth njëzet dronë rusë hynë në hapësirën ajrore polake, tre prej të cilëve u rrëzuan nga avionë polakë dhe F-35 holandezë, gjë që ndodhi për herë të parë në NATO që nga krijimi i saj në vitin 1949. Disa ditë më vonë, Rumania nga ana tjetër denoncoi shkeljen e hapësirës së saj ajrore nga një dron rus.
Ukraina dënon “përshkallëzimin” nga Moska
“Inkursioni përbën një përshkallëzim të ri nga Rusia dhe një kërcënim të drejtpërdrejtë për sigurinë transatlantike”, tha Ministri i Jashtëm ukrainas Andrii Sybiga në X. “Për sa kohë që nuk merr një përgjigje vërtet të fortë, (Rusia) do të bëhet vetëm më arrogante dhe agresive”, tha ai.







