POLITIKË /

Rama lëshon “alarmin” elektoral: PS nis turin kombëtar “Punët për Shqipërinë”

Edi Rama urdhëron deputetët dhe ministrat në terren, fokusi te integrimi dhe llogaridhënia para qytetarëve

Shkruar nga Versus

Rama lëshon “alarmin” elektoral: PS nis turin kombëtar

Në mbledhjen e sotme të grupit parlamentar të Partisë Socialiste, kryeministri Edi Rama ka dhënë udhëzime të qarta për nisjen e një turi takimesh në të gjithë vendin, të pagëzuar “Punët për Shqipërinë”, një nismë që shihet si parapërgatitje për zgjedhjet lokale të 2027-ës.

Turi pritet të nisë javën e ardhshme dhe të zgjasë deri më 12 qershor, datë që përkon me 35-vjetorin e krijimit të Partisë Socialiste. Në fokus të takimeve do të jetë fillimisht çështja e integrimit europian, për të vijuar më pas me tema të tjera që lidhen me qeverisjen dhe prioritetet politike.

Sipas burimeve, kjo nismë konsiderohet si një “fushatë paraprake”, ndërsa në terren do të angazhohen jo vetëm deputetët dhe ministrat, por edhe kryetarët e bashkive, të cilët pritet të raportojnë para qytetarëve mbi premtimet dhe realizimet e tyre.

Mbledhja e zhvilluar me dyer të mbyllura në Pallatin e Brigadave përfshin gjithashtu raportime nga figura kyçe institucionale. Drejtoresha e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, Lorena Goxhobelli, pritet të paraqesë një raport jo të zakonshëm për këtë institucion, ndërsa përpara grupit socialist do të raportojë edhe Arbjan Mazniku, bashkëkryetar i reformës territoriale.

Ky takim shënon mbledhjen e parë të përbashkët të qeverisë dhe grupit parlamentar pas Asamblesë Kombëtare Socialiste në Durrës, ku Rama njoftoi ndryshime në drejtimin politik të gjashtë qarqeve, në funksion të përgatitjeve për zgjedhjet e ardhshme lokale.

 

Poll