
Kritikat ndaj mënyrës se si qeveria amerikane po menaxhon çështjen e ndjeshme Epstein janë shtuar ndjeshëm të dielën, me opozitën demokrate që akuzon Donald Trump se po përpiqet ta mbysë skandalin përmes publikimit të pjesshëm dhe të censuruar të dokumenteve hetimore.
“E gjithë kjo synon të fshehë gjëra që, për një arsye ose një tjetër, Donald Trump nuk dëshiron t’i bëjë publike – qoftë për veten e tij, anëtarë të familjes, miq, Jeffrey Epstein apo rrethin që ka frekuentuar për të paktën një dekadë,” deklaroi për CNN deputeti demokrat Jamie Raskin.
Pas muajsh zvarritjeje, administrata Trump nisi të premten publikimin e mijëra fotove, videove dhe teksteve që lidhen me financierin miliarder dhe kriminelin seksual Jeffrey Epstein, i njohur për lidhjet e tij me figura të rëndësishme politike dhe publike, përfshirë vetë Trumpin dhe ish-presidentin Bill Clinton.
Megjithatë, dosja nuk u bë publike në tërësinë e saj, siç parashikon ligji mbi transparencën. Shumë prej dokumenteve rezultuan të censuruara rëndë, përfshirë një dosje prej 119 faqesh tërësisht të nxira.

Sipas mediave amerikane, të paktën dhjetë imazhe u hoqën nga arkiva të shtunën, duke rritur zemërimin e ligjvënësve dhe të viktimave. Ministria e Drejtësisë u justifikua duke thënë se materialet po rishikohen dhe pastrohen “në funksion të informacioneve të reja”.
“Viktimat e këtij kalvari meritojnë transparencë të plotë dhe absolute,” deklaroi Hakeem Jeffries, lideri i demokratëve në Dhomën e Përfaqësuesve, duke kërkuar një hetim për shkelje të mundshme nga administrata.
Jeffrey Epstein, figurë e njohur e jetës mondane të Nju Jorkut në vitet ’90, akuzohet për shfrytëzimin seksual të më shumë se një mijë vajzave dhe grave, përfshirë të mitura. Ai vdiq në burg në vitin 2019, para se të përballej me gjykimin.

Vdekja e tij, e cilësuar zyrtarisht si vetëvrasje, ka ushqyer prej vitesh teori të shumta konspirative, sipas të cilave Epstein u eliminua për të mos implikuar figura të fuqishme.
Skandali po hedh hije mbi presidencën e Donald Trump, i cili fillimisht u shpreh pro publikimit të dosjes, por më pas u tërhoq, përpara se të dorëzohej ndaj presionit të Kongresit – përfshirë edhe ligjvënës nga partia e tij. Trump, i cili këmbëngul se nuk ka pasur dijeni për krimet e Epstein dhe se kishte ndërprerë marrëdhëniet me të, nuk ka bërë asnjë koment publik që nga publikimi i dokumenteve të premten, disa prej të cilave e përmendin edhe atë.

