BOTA /

Elon Musk shpall krijimin e partisë së tij politike: “Partia e Amerikës”

Miliarderi Elon Musk, një ish-aleat i ngushtë i Donald Trump, me të cilin u prish së fundmi, njoftoi të shtunën krijimin e partisë së tij politike, "Partia e Amerikës".

Shkruar nga Versus

Elon Musk shpall krijimin e partisë së tij politike: “Partia e

“Sot, partia e Amerikës krijohet për t’ju rikthyer lirinë tuaj”, shkroi drejtuesi i Tesla-s dhe SpaceX, Elon Musk, në rrjetin e tij social, X. Duke qenë ashpërsisht kundër projektligjit buxhetor të presidentit amerikan, të cilin e akuzon për thellimin e borxhit publik, Elon Musk kishte premtuar ditët e fundit se do të krijonte partinë e tij politike nëse ligji do të miratohej.

Me origjinë nga Afrika e Jugut, Elon Musk nuk mund të kandidojë për zgjedhjet presidenciale të ardhshme, pasi kandidatët duhet të jenë të lindur në territorin amerikan.

Ai kishte hedhur një sondazh mbi këtë ide në rrjetin e tij social X, të premten, në Ditën Kombëtare të Amerikës dhe ditën e shpalljes me shumë bujë të “ligjit të madh dhe të bukur” të Donald Trump.

“Me një raport dy me një, ju doni një parti të re politike, dhe do ta keni!”, deklaroi të shtunën magnati i teknologjisë, pasi 65% e rreth 1.2 milionë votuesve iu përgjigjën “po” pyetjes nëse dëshironin që “Partia e Amerikës” të marrë jetë.

“Kur bëhet fjalë për të shkatërruar vendin tonë përmes shpërdorimeve dhe korrupsionit, ne jetojmë në një sistem me një parti të vetme, jo në një demokraci”, shtoi më tej Elon Musk.

Dikur aleat i ngushtë i Donald Trump, të cilit i kishte financuar fushatën gjatë zgjedhjeve presidenciale të vitit 2024, Musk kishte marrë detyrën për të prerë shpenzimet e shtetit federal përmes komisionit të tij “Doge”, përpara se dy miliarderët të zihen publikisht në maj, duke e prishur përfundimisht marrëdhënien mes tyre.

Poll