Kosovë- Kryeministri Albin Kurti nuk është paraqitur për të dëshmuar sot në Prokurorinë Speciale.
Seanca për të ishte planifikuar të mbahej në orën 09:30, por kreu i ekzekutivit nuk është paraqitur. Prokuroria Speciale ka deklaruar për mediat se është njoftuar se kryeministri aktualisht ndodhet jashtë vendit.
“Prokuroria Speciale përmes thirrjes së rregullt e ka ftuar kryeministrin Kurti në cilësinë e dëshmitarit në një rast penal që kjo Prokurori e ka në hetim. Nga kabineti i kryeministrit Kurti, Prokuroria Speciale është njoftuar se kryeministri gjendet në udhëtim jashtë vendit dhe e ka të pamundur të paraqitet sot në Prokurorinë Speciale”, tha zëdhënësja e prokurorisë, Liridonë Kozmaqi.
Më tej bëhet me dije se Kurti do të thirret për të dëshmuar në një datë tjetër.
“Konform ligjit Prokuroria Speciale do ta përgatitë një ftesë tjetër për kryeministrin Kurti për një datë tjetër. Ky është i gjithë informacioni që mund ta ndajmë tani për tani”- shtoi zëdhënësja.
Mos paraqitja pa një arsyetim, mund të sjellë 250 euro gjobë ose shoqërim me forcë nga autoritetet. Versus.al







