
Në Gjykatën Speciale në Hagë zhvillohet sot një nga seancat më të rëndësishme të procesit ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së, ku Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi do të japin fjalën e tyre të fundit përpara shpalljes së vendimit. Secili prej tyre do të ketë në dispozicion nga 20 minuta për t’iu drejtuar trupit gjykues.
Katër të akuzuarit ndodhen në qendrën e paraburgimit në Hagë që prej nëntorit 2020 dhe përballen me akuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, për të cilat janë deklaruar të pafajshëm. Prokuroria Speciale ka kërkuar dënim me nga 45 vite burg për secilin, pra 180 vite në total, kërkesë e bërë publike më 9 shkurt gjatë deklaratave përmbyllëse.
Prokurorja e çështjes, Kimberly West, deklaroi se akuzat nuk e kanë humbur peshën me kalimin e kohës dhe se çështja lidhet me pretendimin se të akuzuarit synonin të fitonin dhe ushtronin kontroll në gjithë Kosovën. Sipas saj, ata akuzohen për vrasjen e rreth 100 personave dhe torturimin e qindra të tjerëve në afro 50 qendra ndalimi, duke i cilësuar këto si krime të rënda lufte dhe kundër njerëzimit.
Sipas aktakuzës, krimet pretendohet të jenë kryer mes marsit 1998 dhe shtatorit 1999 në disa zona të Kosovës dhe në veri të Shqipërisë, duke përfshirë ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë, vrasje të paligjshme, burgosje, zhdukje me forcë dhe përndjekje.
Një ditë më parë, ndërsa Kosova shënoi 18-vjetorin e Pavarësisë, në Prishtinë u mbajt një protestë masive me moton “Drejtësi, jo politikë”, ku morën pjesë edhe përfaqësues të lartë shtetërorë nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut.
Aktakuza ndaj katër ish-udhëheqësve u konfirmua më 26 tetor 2020 dhe pas publikimit, më 5 nëntor të atij viti, ata u transferuan në paraburgim në Hagë. Pas fjalëve përmbyllëse, çështja i kalon trupit gjykues, i cili ka deri në tre muaj kohë për të shpallur vendimin ose për të kërkuar shtyrje të afatit.
Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar u krijuan në vitin 2015 nga Kuvendi i Kosovës; ato janë pjesë e sistemit gjyqësor kosovar, por funksionojnë me staf ndërkombëtar dhe me seli në Holandë.

