Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti nuk u paraqit sot në Prokurorinë e Speciale ku ishte thirrur për t’u marrë në pyetje si person në dijeni për rezervat shtetërore.
Lidhur me këtë urdhër të gjykatës Kurti ka reaguar nga Gjilani ku e ka cilësuar këtë si keqpërdorim të lirisë nga ana e Prokurorisë Speciale.
“Shtrohet pyetja pse i humb prokuroria tre muaj. Për shkak se është më shumë i interesuar të mbushë ballinat e ndonjë portali të oligarkut sesa të sjellë drejtësi. Kurrë prokuroria e shtetit nuk ka qenë më e lirë për të vepruar. Fatkeqësisht lirinë po e përdorë, po e keqpërdorë për ta luftuar qeverinë dhe jo krimin e korrupsionit”- u shpreh Kurti.
Më tej u shpreh se është i gatshëm të dëshmojë për prokurorët duke theksuar se i pret që ta pyesin në zyrën e tij të kryeministrisë.
“Së pari asnjëherë nuk kam thënë që nuk do të jap dëshmi ose nëse e refuzoj, kam thënë që jam jo vetëm i gatshëm, por edhe i interesuar që të dëshmoj. Unë i mirëpres prokurorinë e shteti në Zyrën e Kryeministrit. Jo vetëm si dëshmitar apo edhe të pandehur. Qysh në dhjetor ka qenë e mundur që të kryhet ky intervistim dhe të jepet dëshmia nga ana ime. Nëse prokuroria e ka pasë shumë të rëndësishme dëshminë time ai do të vinte tek ne”- shtoi kryeministri.
Në këto kushte, kryeministri rrezikon dënimin me gjobë nga gjykata, ose edhe paraburgimin. Versus.al







