Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, i ka bërë thirrje Britanisë së Madhe që të ndërmarrë veprime më të ashpra kundër emigracionit të paligjshëm, duke sugjeruar madje edhe përdorimin e ushtrisë për të ndaluar fluksin e emigrantëve që mbërrijnë në vend.
Deklarata, e bërë gjatë një konference të përbashkët për shtyp me kryeministrin britanik Keir Starmer, është veçanërisht e ndjeshme politikisht, pasi vjen në një moment kur e djathta ekstreme në Mbretërinë e Bashkuar ka organizuar protesta masive anti-emigracion, duke ushtruar presion të fortë mbi qeverinë laburiste.
"Nuk ka rëndësi çfarë mjetesh përdorni", tha Trump. "Unë do t’i ndaloja ata, edhe nëse kjo do të thoshte të përdorja ushtrinë."
Këto deklarata u bënë vetëm pak orë pasi një emigrant u riatdhesua nga Britania në Francë, në kuadër të marrëveshjes së re mes Londrës dhe Parisit, e cila parashikon kthimin reciprok të emigrantëve në bazë të parimit "një për një".
Nga rezidenca zyrtare e kryeministrit britanik në Chequers, Trump theksoi se emigracioni i paligjshëm është një rrezik serioz për vendet perëndimore.
"Emigracioni i paligjshëm po i shkatërron vendet nga brenda. Duhet të ndalojë.", tha presidenti amerikan, i cili në SHBA ka nisur një fushatë të gjerë dëbimesh për emigrantët pa dokumente.
Nga ana tjetër, kryeministri Keir Starmer e mbrojti linjën e tij të fortë ndaj emigracionit të paligjshëm, duke theksuar se qeveria e tij do të “intensifikojë dëbimet” për të ndalur emigrantët që mbërrijnë në Britani përmes gomoneve.
Ai e cilësoi si një “hap të rëndësishëm përpara” dëbimin e parë të një shtetasi indian, duke shtuar:
"Tani duhet të përshpejtojmë procesin, siç ishte parashikuar në marrëveshje. E rëndësishme është se kemi treguar që funksionon."
Marrëveshja ndërmjet Francës dhe Mbretërisë së Bashkuar, e nënshkruar në korrik gjatë vizitës zyrtare të presidentit Emmanuel Macron në Londër dhe që hyri në fuqi në fillim të gushtit, synon ndalimin e kalimeve të paligjshme përmes Kanalit të La Manshit. Sipas saj, Britania mund të kthejë në Francë emigrantët që mbërrijnë me gomone, në këmbim të pranimit në Britani të emigrantëve të tjerë nga kampet franceze, duke ruajtur një ekuilibër reciprok.







