Partia në pushtet Demokracia e re ka larguar ish-kryeministrin grek Antonis Samaras nga radhët e saj pas intervistës së tij për median BIMA, ku ai sulmoi Kyriakos Mitsotakis dhe ministrin e Jashtëm grek Giorgos Gerapetritis duke folur për tradhti.
Konkretisht siç thuhet në deklaratën e qeverisë greke ‘ me intervistën ai e vendos vetem për herë të dytë pas vitit 1993 jashtë Demokracisë së re. Në fund të fundit, kjo është ajo që ai kërkonte. Megjithatë, këtë herë historia nuk do të përsëritet. Mazhoranca qeveritare vazhdon në mënyrë të qëndrueshme kursin e saj, pa z. Samara. Askush nuk ka të drejtë të luajë me stabilitetin e vendit në këto kohë të trazuara”.
Sipas informacioneve shkruan media greke Porthema largimi i Samaras do të jetë i dyfishtë. Kjo do të thotë se tashmë po “vrapojnë” procedurat për largimin e ish-kryeministrit si nga Grupi Parlamentar ashtu edhe nga partia.
Deklarata e Partisë Demokracia e Re në Greqi:
E kemi thënë shumë herë se ish-kryeministrat kanë privilegjin e veçantë për të shprehur herë pas here mendimet dhe shqetësimet e tyre për çështje politike. Megjithatë, z. Samaras, në intervistën e tij të fundit, nuk shprehu mendime. Përkundrazi, ai shfaqi mosmarrëveshjen e tij të plotë me të gjithë politikën qeverisëse që po zbatohet.
Për më tepër, në një mënyrë të papërshtatshme dhe provokuese, ai tha gënjeshtra ekstreme, duke shtrembëruar deklaratat e Ministrit të Jashtëm, të cilat janë sqaruar vazhdimisht dhe në detaje. Madje, ai shkoi deri aty sa të pretendonte se Kryeministri i Greqisë dhe Presidenti i Republikës së Qipros “po flirtonin” me Presidentin e Turqisë dhe Kryeministrin e Shqipërisë.
Së fundi, diskutimi i pavend për zgjedhjen e Presidentit të Republikës, për të cilin ai këmbënguli, përbën fyerje për figurën dhe institucionin e kreut të shtetit. Të gjitha këto nuk mund të tolerohen apo pranohen. Shoqëria ka lënë pas, prej vitesh, logjikat e politikës së “oborrit” dhe sjelljet që frymëzohen nga “inatet” partiake. Dhe ata që ëndërrojnë një Demokraci të Re të tkurrur në nivelin e 18%, duhet të reflektojnë se me strategjinë e Kyriakos Mitsotakis, Demokracia e Re ka fituar deri më tani tre zgjedhje kombëtare me përqindje rreth 40%.
Prandaj, z. Samaras, me intervistën e tij të sotme, e ka vënë veten, për herë të dytë pas vitit 1993, jashtë Demokracisë së Re. Në fakt, këtë ai e ka synuar. Por kësaj here, historia nuk do të përsëritet. Shumica qeveritare vazhdon rrugën e saj të qëndrueshme, pa z. Samaras. Askush nuk ka të drejtë të luajë me stabilitetin e atdheut në këto kohë të trazuara.
Kjo është fotoja për të cilën ish-kryeministri grek Antonis Samaras akuzon Kyriakos Mitsotakis dhe ministrin e Jashtëm grek Giorgos Gerapetritis për tradhëti.
Fotot u publikuan nga mediat greke ku kryeministri Edi Rama, homologu grek Kyriakos Mitsotakis, Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan dhe ai i Republikës së Qipros, Nikos Christodoulidis kishin një takim informal pak para fillimit të sesionit të Komunitetit Politik Evropian në Budapest, sesion i cili u mbajt në fillim të këtij muaji. Versus.al







