Presidenti i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan deklaroi dje se marrëveshja katërpalëshe e nënshkruar në samitin e Egjiptit mbi Gazën, do të shënojë një moment të ri në rrugën drejt paqes së qëndrueshme në rajonin e Lindjes së Mesme.
“Ne treguam një vendosmëri të fortë në Sharm el-Sheikh. Shpresoj që deklarata katërpalëshe që nënshkruam me Presidentin e SHBA-së Trump, Presidentin egjiptian Al-Sisi dhe Emirin e Katarit, Sheikh Tamim, do të jetë një moment i ri në rrugën drejt paqes së qëndrueshme në rajonin tonë”, tha Erdogan.
Teksa mbajti një fjalim në Ankara, Erdogan tha se hapat për rindërtimin e Gazës do të diskutohen me SHBA-të dhe vendet e rajonit, ndërsa tha se kjo gjë pritet të zgjasë me vite.
“Rimëkëmbja e Gazës ka të ngjarë të zgjasë me vite. Ka një periudhë ndërtimi dhe një periudhë rigjallërimi. Turqia ka një detyrë të rëndësishme si në ndërtim ashtu edhe në rigjallërim. Sigurisht, kjo do të diskutohet dhe debatohet së bashku me shtetet e Gjirit, duke filluar me Shtetet e Bashkuara, dhe ne do të vendosim për hapat që do të ndërmarrim për këtë çështje. Dëshira jonë është që hapi domethënës i djeshëm të kurorëzohet me një paqe të qëndrueshme dhe të drejtë. Padyshim, e vetmja mënyrë për ta arritur këtë është krijimi i një shteti palestinez të pavarur, sovran dhe territorialisht të paprekur, bazuar në kufijtë e vitit 1967, me Jerusalemin Lindor si kryeqytet”, u shpreh presidenti turk. Versus.al







