Ndërkohë që në Lindjen e Mesme po vendoset qetësia me nënshkrimin e marrëveshjes së paqes mes Izraelit dhe Hamasit në Gaza, Afganistani dhe Pakistani po përplasen ashpër.
Sulmi i fundit ka thyer paqen e brishtë të vendosur mes dy vendeve pas disa ditësh luftë. Më shumë se 12 civilë janë vrarë në Afganistan si pasojë e sulmeve nga Pakistani.
Dikur aleatë, përplasjet e fundit midis vendeve të Azisë Jugore shpërthyen pasi Islamabadi kërkoi që administrata talebane afgane të veprojë kundër militantëve që kanë shtuar sulmet në Pakistan, duke thënë se ata veprojnë nga streha që kanë në Afganistan.
Talebanët mohojnë praninë e militantëve pakistanezë në Afganistan.
"Herët këtë mëngjes, forcat pakistaneze nisën sulme... më shumë se 12 civilë u martirizuan dhe mbi 100 të tjerë u plagosën", tha zëdhënësi i talebanëve afganë, Zabihullah Mujahid, në X.
Talebanët thanë gjithashtu se kishin vrarë "një numër të madh ushtarësh pakistanezë", kishin pushtuar postet dhe qendrat e tyre, kishin sekuestruar armët dhe tanket e tyre dhe kishin "shkatërruar" shumicën e objekteve të tyre ushtarake.
Zyrtarët pakistanezë fajësuan talebanët për përleshjet dhe thanë se katër civilë u plagosën në anën e tyre të kufirit.
"Forcat talebane sulmuan një postë pakistaneze pranë distriktit Chaman", tha për Reuters Habib Ullah Bangulzai, administratori rajonal në distriktin Chaman të Pakistanit. Versus.al







