Presidenti amerikan Donald Trump ka njoftuar se do të zgjasë me 10 ditë pezullimin e sulmeve ndaj termocentraleve iraniane, duke dhënë një sinjal për vijimin e përpjekjeve diplomatike mes dy vendeve.
Përmes një postimi në rrjetin e tij social Truth Social, Trump bëri të ditur se vendimi vjen pas një kërkese nga qeveria iraniane, ndërsa theksoi se negociatat mes palëve janë ende në zhvillim.
“Sipas kërkesës së Qeverisë iraniane, kjo deklaratë shërben për të bërë të ditur se po e zgjas periudhën e pezullimit të shkatërrimit të termocentraleve me 10 ditë, deri të hënën, më 6 prill 2026, në orën 20:00, sipas Orës Lindore. Bisedimet janë duke vazhduar dhe, pavarësisht deklaratave të pasakta nga media të lajmeve të rreme dhe të tjerë, ato po ecin shumë mirë”, shkroi Trump.
Presidenti amerikan kritikoi gjithashtu atë që e quajti “media të lajmeve të rreme”, duke kundërshtuar raportimet skeptike mbi ecurinë e negociatave.
Zgjatja e këtij afati shihet si një hap drejt uljes së tensioneve dhe një mundësi për arritjen e një marrëveshjeje të mundshme mes palëve, në një kohë kur situata mbetet e ndjeshme në rajon./Versus.al

