Një Tesla Cybertruck me targa shqiptare, e cila është e paligjshme për të ecur në rrugët e Mbretërisë së Bashkuar për shkak të shqetësimeve të sigurisë, është sekuestruar nga policia në Mançester. Mediat vendase shkruajnë se oficerët vunë re automjetin, i cili mban një çmim prej rreth 48,000 £ dhe ndaluan shoferin.
Në një postim në mediat sociale, Policia e Mançesterit (GMP) tha: "Ndërsa kjo mund të duket e parëndësishme për disa, ekzistojnë shqetësime legjitime rreth sigurisë së përdoruesve të tjerë të rrugës ose këmbësorëve nëse ata ishin të përfshirë në një përplasje me kamionin Cybertruck".
Policia tha gjithashtu se automjeti, i cili ishte i regjistruar dhe i siguruar jashtë vendit, ishte konfiskuar dhe ata kishin raportuar shoferin, i cili është banues në Mbretërinë e Bashkuar.
Postimi i tyre shtoi: "Tesla Cybertruck nuk është i ligjshëm në rrugë në MB dhe nuk ka një certifikatë përkatëse".
Cybertruck, i cili është bërë nga materiale çeliku të ngjashme me raketat, rezistente ndaj plumbave, u lançua në vitin 2019 . Automjeti ka qenë në një turne promovues në Lindjen e Mesme dhe Evropë, duke përfshirë Festivalin e Shpejtësisë Goodwood në MB në 2024. Megjithatë, ajo ende nuk i ka kaluar testet e sigurisë rrugore në Mbretërinë e Bashkuar.








