
Një ngjarje e rëndë ka tronditur Portugalinë, ku një vajzë 18-muajshe ka humbur jetën pasi dyshohet se ka qëndruar për rreth tetë orë brenda një autobusi shkolle në zonën Almada të Setubalit.
Sipas agjencisë portugeze të lajmeve Lusa, vogëlushja Sofia hipi në autobusin e transportit të fëmijëve rreth orës 08:00 të mëngjesit të së enjtes, për t’u dërguar në një qendër kujdesi për fëmijë. Por, për arsye që janë ende nën hetim, ajo nuk zbriti nga autobusi dhe mbeti brenda automjetit të parkuar pranë institucionit.
Mungesa e fëmijës nuk u vu re gjatë gjithë ditës. Sipas raportimeve, stafi i qendrës së kujdesit e kuptoi se vajza mungonte vetëm kur nëna e saj mbërriti pak para orës 16:00 për ta marrë.
Pas konstatimit se 18-muajshja nuk ndodhej në qendër, punonjësit shkuan drejt autobusit, ku e gjetën të miturën pa ndjenja.
Në vendngjarje mbërritën menjëherë policia, zjarrfikësit vullnetarë, ekipet e urgjencës dhe specialistët e mbështetjes psikologjike. Pavarësisht përpjekjeve të mjekëve për ta shpëtuar, vajza u shpall e vdekur në vendngjarje.
Policia Gjyqësore Portugeze ka nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e plota të tragjedisë dhe për të përcaktuar nëse ka pasur neglizhencë apo përgjegjësi nga persona të përfshirë në transportin dhe kujdesin ndaj fëmijës.
Hetuesit dhe ekspertët e mjekësisë ligjore kanë nisur mbledhjen e provave dhe marrjen e dëshmive, me qëllim që të zbulojnë se si vajza e vogël ka mundur të mbetet e bllokuar për orë të tëra brenda autobusit pa u konstatuar nga askush.

