
Një konflikt i dhunshëm është regjistruar këtë të premte në zonën e Shkallnurit, në Durrës, ku dyshohet se është përfshirë edhe Denis Tafili, një nga personat e shpallur në kërkim nga SPAK në kuadër të operacionit "Ura" kundër grupit kriminal të Elvis Doçit, i njohur si "Visi i Pojës".
Sipas informacionit paraprak të Policisë, konflikti ka ndodhur për motive të dobëta mes Denis Tafilit, një 27-vjeçari me inicialet G. M. dhe shtetasit Edison Gjuzi. Ky i fundit dyshohet se është goditur me sende të forta, ndërsa gjatë përplasjes raportohet se janë dëgjuar edhe të shtëna me armë. Pas ngjarjes, autorët janë larguar me automjet.
Në incident rezulton i përfshirë edhe një punonjës policie, inspektori me inicialet L. Xh., i cili është shoqëruar dhe ndaj tij kanë nisur veprimet procedurale nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP). Sipas të dhënave paraprake, Tafili dyshohet se ka ndërhyrë në mbështetje të efektivit të policisë gjatë konfliktit.
Denis Tafili është një nga personat nën hetim nga SPAK për trafik ndërkombëtar të kokainës, pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal dhe pastrim parash. Emri i tij doli në operacionin e përbashkët shqiptaro-italian "Ura", gjatë të cilit u sekuestruan miliona euro pasuri dhe u godit rrjeti kriminal i lidhur me Elvis Doçin. Hetimet për këtë grup janë mbyllur nga SPAK, ndërsa Tafili vijon të jetë në kërkim.
Njoftim i policisë:
Durrës/Informacion paraprak
Më datë 24.07.2026, rreth orës 15:00, Salla Operative e DVP Durrës është njoftuar se, në fshatin Shkallnur, gjatë një konflikti për motive të dobëta, shtetasi E. Gj, 36 vjeç, është goditur me sende të forta (qytë pistolete) nga shtetasit D. T., 41 vjeç, person i shpallur më parë në kërkim, dhe G. M., 27 vjeç, të dy banues në Shkallnur, Durrës, të cilët pas ngjarjes janë larguar me automjet.Gjithashtu, dyshohet se në konflikt ka qenë i përfshirë edhe një punonjës policie, jashtë shërbimit, Inspektor L. Xh., i cili është shoqëruar dhe ndaj tij po kryhen veprimet procedurale nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP).
Në vendngjarje, grupi hetimor ka gjetur dhe sekuestruar, në cilësinë e provës materiale, një gëzhojë pistolete. Dyshohet se gjatë konfliktit është qëlluar një herë në ajër me armë zjarri pistoletë.
Ndërkohë, forca të shumta të Policisë kanë rrethuar zonën, kanë ngritur pika kontrolli dhe vijojnë kontrollet intensive për lokalizimin dhe kapjen e autorëve.Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon veprimet për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe dokumentimin ligjor të saj./Versus.al

