Kosovë- Presidentja Vjosa Osmani ka nënshkruar sot vendimin për shpërndarjen e Kuvendit pasi nuk është arritur asnjë marrëveshje mes partive politike sa i takon krijimit të qeverisë. Sot Osmani mblodhi kryetarët e partive politike pasi dje nënkryetari i Vetëvendosjes Glauk Konjufca nuk mori votat e nevojshme për të formuar qeverinë e re.
Tashmë pritet që të caktohet data për zgjedhjet e parakohshme të cilat pritet të mbahen brenda muajit dhjetor duke u bazuar në propozimet e bëra prej krerëve të partive.
Njëjtë sikurse Konjufca, as lideri i LVV-së, Albin Kurti, nuk pati arritur ta formojë Qeverinë e re më 26 tetor.
Për pasojë, Kosova vazhdon të jetë me Qeveri në detyrë prej zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit 2025.
Partitë më të mëdha politike shqiptare nuk kanë arritur konsensus për një mori çështjesh prej mbajtjes së procesit zgjedhor dhe për pasojë proceset janë zvarritur deri më tani.
Vendi tani mund të shkojë në zgjedhje të reja duke mos miratuar marrëveshje ndërkombëtare në vlerë rreth 200 milionë euro, buxhetin e vitit të ardhshëm të shtetit, buxhetin për Radiotelevizionin e Kosovës (RTK) dhe buxhetin për tri komuna - Prishtinë, Gjilan dhe Zubin Potok.
Sipas Kushtetutës, nëse Qeverinë nuk arrin ta formojë as mandatari i dytë, presidentja Osmani duhet t’i shpallë zgjedhjet e reja, të cilat duhet të mbahen brenda 40 ditëve nga data e shpalljes. Versus.al
