
Grupi parlamentar i Partisë Socialiste pritet të pësojë një ndryshim të madh në përbërjen e tij gjatë legjislaturës së ardhshme pas zgjedhjeve të 2025-ës.
Kjo pasi vetë kryeministri Edi Rama gjatë Kongresit të PS që u mbajt më 28 korrik theksoi pakënaqësitë e tij sa i takon performancës së deputetëve të grupit parlamentar. Në këto kushte, pritet që një pjesë e mirë e kandidatëve për deputetë te socialistët, të përzgjidhen mes aplikantëve në platformën “deputeti që duam”.
Sekretarja e PS për marrëdhëniet me Jashtë, Romina Kuko foli në TCh mbi interesimin e deritanishëm të aplikantëve për t’u bërë pjesë e kësaj platforme që hapet për herë të dytë. Ajo bëri me dije se deri më tani, kur ka kaluar rreth 1 muaj nga hapja e platformës, ka pasur deri në 100 aplikime, gjë që sipas saj tregon shkallën e lartë të interesit.
“Kjo është hera e dytë që hapet platforma Deputeti që Duam. Krahasuar edhe me platformën e parë e cila u hap përpara zgjedhjeve të 2021.Në fakt platforma është hapur në fund të muajit Korrik fillim Gusht dhe shohim se ka një interes shumë të lartë të aplikimeve. E kanë kaluar numrin 100 të aplikimeve të deritanishme. Ka një mori aplikimesh nga grup-mosha të ndryshme apo profesione të ndryshme dhe balancë gjinore. Jemi shumë të kënaqur me aplikimet e deritanishme”, tha Kuko.

Ajo shtoi ndër të tjera se mundësinë për të aplikuar në këtë platformë e kanë edhe shqiptarët që punojnë e jetojnë jashtë vendit duke zbuluar se deri më tani ka më shumë aplikante gra.
Përmes kësaj platforme PS i jep mundësi aplikimi edhe shqiptarëve që jetojnë dhe punojnë jashtë vendit.
“Një përqindje e lartë e aplikimeve në platformë vinë nga diaspora. Më tepër janë qytetarë shqiptarë të cilët jetojnë në vendet fqinjë si Itali dhe Greqi. Duket që edhe takimet me diasporën kanë patur impaktin e tyre duke qenë se një pjesë e tyre e ka marrë spunton për të aplikuar në platformë nga pjesëmarrja në këto takime dhe oferta politike që PS kishte shprehur”, tha më tej Kuko.
Përsa i takon fazës tjetër që duhet të kalojnë aplikantët, Kuko tha se do të ketë një përzgjedhje dhe më pas do të zhvillohen intervista për të parë sesa aplikantët janë të gatshëm të kontribuojnë në politikën e vendit dhe të angazhohen në komunitetin që do t’i votojë. Versus.al







