POLITIKË /

"Nxënësit e 9 vjeçares të mblidhen", Berisha për protestën kundër mbylljes së TikTok: Më 12 maj, do e keni sërish në telefon

Shkruar nga Versus

"Nxënësit e 9 vjeçares të mblidhen", Berisha

Kryedemokrati Sali Berisha nuk është tërhequr nga protesta e thirrur kundër mbylljes së rrjetit social “TikTok”. Gjersa urdhri i qeverisë ka nisur zbatimin që prej ditës së djeshme, Berisha bëri thirrje që nesër në orën 19:00, gjimnazistët, nxënësit e shkollave 9 vjeçare dhe të rinjtë, të mblidhen para kryeministrisë kundër asaj që e konsideroi “censurë”.

“Çështja e dytë që dua të sjell sot, thirrja ime këtë ditë feste për të gjithë gjimnazistët, për të gjithë studentët, për të gjithë nxënësit e shkollave 9-vjeçare, për të gjithë të rinjtë, por edhe prindërit, të bashkohen nesër në protestën e madhe anticensurë.

Një tiran i barabartë me Habitullahun e Kabulit, i njëllojtë me Ajatollahun e Teheranit, një intolerant ndaj fjalës së lirë dhe mendimit të lirë, duke shkelur Kushtetutën, duke shkelur ligjin dhe konventat universale të të drejtave të njeriut, i vuri gërshërët TikTokut, duke firmosur në këtë mënyrë aktin më të rëndë të censurës që nga diktatura komuniste, që rrethonte vendin me zhurmues kundër radiove dhe televizioneve të vendeve të tjera. Një goditje e rëndë shumë për fjalën e lirë, mendimin e lirë, të drejtën e komunikimit”- tha Berisha.

Ai premtoi se nëse PD vjen në pushtet që prej 12 majit, do të mundësojë rihapjen e rrjetit TikTok.

“Garantoj të gjithë shkollarët e Shqipërisë, nxënësit e shkollave 9-vjeçare, gjimnazistët, studentët dhe të tjerët, se me datën 12, TikTokun do e kenë në telefonat e tyre, në kompjuterat e tyre dhe do ndëshkohet rëndë për veprën antikushtetuese një megakrim i përmasave gjigante, Edi Rama për këtë akt të tij. Ndaj dhe të lëmë çdo gjë në respekt të fjalës së lirë dhe të lirisë, të protestojmë nesër në ora 7 në sheshin Skënderbej të Tiranës, të mblidhemi nga e gjithë Shqipëria”- shtoi Berisha. Versus.al

Poll