Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, mori pjesë në takimin vjetor të Nivelit të Lartë të Ministrave të Energjisë së Europës Qendrore dhe Juglindore, i cili u zhvillua në Bukuresht nën drejtimin e Komisionerit Europian për Energjinë, Dan Jorgensen.
Gjatë forumit, ministrat e vendeve pjesëmarrëse diskutuan mbi situatën aktuale energjetike, përgatitjet për dimrin 2025–2026 dhe sfidat që lidhen me sigurinë energjetike, veçanërisht përballë kërcënimeve nga përdorimi i gazit rus.
Në fjalën e saj, Balluku në videomesazhin e publikuar në rrjete sociale vuri në dukje një arritje të rëndësishme për Shqipërinë këtë vit.
“Bazuar në strategjinë kombëtare për diversifikimin, për herë të parë raporti 8-mujor për 2025 tregon se kemi arritur të krijojmë 10% të kapaciteteve gjeneruese nga burimet diellore, duke e çuar raportin total të prodhimit të brendshëm në 90% hidro dhe 10% energji diellore”, u shpreh Balluku.” deklaroi ministrja.
Ajo gjithashtu nënvizoi rëndësinë e bashkëpunimit rajonal, duke prezantuar iniciativën e re për krijimin e një “boshti energjetik” mes Shqipërisë, Rumanisë, Maqedonisë së Veriut, Bullgarisë dhe Italisë, me qëllim forcimin e lidhjeve energjetike dhe sigurimin e furnizimit të qëndrueshëm për gjithë rajonin.
“Bashkëpunimi rajonal mbetet dhe do të vazhdojë të jetë themeli i suksesit të sigurisë energjetike në Europë,” tha Balluku pas përfundimit të takimit.
Gjatë qëndrimit në Bukuresht, ministrja zhvilloi gjithashtu takime dypalëshe me homologë europianë, përfshirë ministrin rumun të Energjisë, për të diskutuar mbi projektet e përbashkëta rajonale./Versus.al
