Katër projekte të reja kanë marrë status të investimit strategjik në mbledhjen e fundit të Komitetit të Investimeve Strategjike(KIS).
Vendimet e marra në fund të korrikut të këtij viti, por të bëra publike tani, tregojnë se bëhet fjalë për një total prej 120 milionë eurosh investime të parashikuara teksa ajo që bie në sy tashmë është shtrirja e interesit për këto investime përtej vijës bregdetare, edhe pse kjo e fundit nuk mungon. Por cilët janë në fakt projektet që kanë marrë miratimin këtë herë?
Kompleks vila e hotel në Gjirokastër
Projekti që ka vlerën më të madhe të parashikuar të investimit prej 60 milionë eurosh është propozuar në Gjirokastër. Sipas vendimit të KIS bëhet fjalë për “Gerhot Village, Gjirokastër” propozuar nga Kumi Konstruksion shpk. Komiteti ka dhënë miratimin e Statusit “Projekt me Potencial Strategjik” dhe kompanisë i është lënë një vit kohë për të aplikuar për përfitimin e statusit përfundimtar “Investim/investitor strategjik, procedurë e veçantë”.
Projekti në fjalë parashikon një kompleks turistik i cili do të ketë në përbërje hotel, vila dhe zonë tregtare por nuk jep të dhëna mbi të punësimin potencial.
Projekti synohet të realizohet në një sipërfaqe prej 40 Ha dhe shtrihet në fshatin Gërhot, Bashkia Gjirokastër
Vresht, kantinë dhe agroturizëm në Lezhë
Projekti i dytë që ka marrë miratimin e Statusit “Investim/Investitor Strategjik Procedurë e Asistuar” është ai i kompanisë X ONE sh.p.k në Lezhë që parashikon “Ndërtim vresht, kantinë & agroturizëm”. Sipas vendimit statusi është i kushtëzuar dhe kompania duhet që brenda një viti të dorëzojë projektin e rishikuar. Projekti ka një vlerë investimi të parashikuar prej 5 milionë eurosh dhe do të punësojë 80 persona.
“Për masën mbështetëse të kërkuar vënie në dispozicion të pasurive të paluajtshme shtetërore me sipërfaqe totale 137,2 ha, kjo masë do duhet të rishqyrtohet sërish nga Komiteti i Investimeve Strategjike (KIS), pas dorëzimit të projektit nga subjekti” thuhet në vendim.
Hotele dhe vila në Lukovë
Një tjetër projekt i miratuar nga KIS me status “Investim/Investitor strategjik procedurë e veçantë” është ai “Atara Resort & Vilas” i propozuar nga subjektet Lukova Bayside Hotel & Spa shpk. Në vendim nënvizohet se resorti, hotelet dhe vilat do të kenë funksion turistik.
“Projekti “Atara Resort & Vilas” parashikon ndërtimin e një resorti turistik luksoz, cili do të realizohet në dy zona kryesore.
Në zonën 1 synon të zhvillohet një Hotel me 5 yje me ambiente shërbimi, ndërsa zona 2 përfshin zhvillimin e 4 hoteleve dhe një fshati turistik me vila të cilat do të shërbejnë si struktura akomoduese në Bashkinë Himarë” thuhet në dokument.
Në projektet e mëparshme të bregdetit që kanë marrë status strategjik ka pasur kryesisht vila rezidenciale që janë kritikuar nga operatorët turistike teksa dhe qeveria në strategjinë e fundit theksoi se projektet rezidenciale nuk i shërbejnë turizmit dhe se kjo do të rishihet në vijim me projektet që do të zbatohen.
Lidhur me masat mbështetëse të këtij projekti vendimi i KIS përcakton disa ndër të tjera edhe tokën.
“Miratohet në parim masa mbështetëse vënie në dispozicion të pasurisë së paluajtshme shtetërore me sipërfaqe prej 76,950 m2, në ZK. 2518, e zërit kadastral “ullishte” dhe “pemëtore”, vetëm pasi të jenë kryer të gjitha verifikimet e nevojshme dhe konfirmimet nga Agjencia Shtetërore e Kadastrës përsa i përket saktësimit të vendndodhjes (parcelat e detajuara), sipërfaqes, statusit të tyre juridik dhe për aq kohë sa nuk ekzistojnë mosmarrëveshje administrative dhe/ose gjyqësore me shtetin në pasurinë objekt të investimit strategjik” thuhet në dokument.
Investim për Resort në Bogë
Një projekt që parashikon ndërtimin e një resorti turistik në Bogë është gjithashtu mes të tjerëve që kanë përfituar nga vendimet e KIS. Në këtë rast bëhet fjalë për “Boga Valley Resort” me subjekt Boga Valley Resort Shpk. Komiteti miratoi në parim të Statusit “Investim/Investitor Strategjik Procedurë e Asistuar” për projektin e investimit, status ky i kushtëzuar me dorëzimin e projektit të rishikuar, i cili duhet të jetë në përputhje të plotë me kriteret zhvillimore të zonës, parashikuar në dokumentet e miratuar të planifikimit e zhvillimit të territorit, duke u bazuar gjithashtu në parashikimet e legjislacionit për zonat e mbrojtura, Planit të Përgjithshëm Vendor Malësi e Madhe dhe Planit të Detajuar Vendor.
“Projekti i investimit parashikon ndërtimin e një resorti turistik, ku do të ketë një hotel dhe disa vila, së bashku me ambientet e shërbimit në Bashkinë Malësi e Madhe. Ndërtimi është parashikuar të jetë i kombinuar me punime guri dhe druri në harmoni me natyrën.
Vlera e investimit për projektin e propozuar parashikohet të jetë 5,100,000 Euro (pesë milion e njëqind mijë) Euro dhe numri i të punësuarve parashikohet të jetë 90 (nëntëdhjetë) punonjës.
Projekti do të realizohet në një sipërfaqe totale prej 12,68 ha, në ZK 1237, Bogë, Shkrel, Bashkia Malësi e Madhe, pronë “shtet”, përkatësisht në pasuritë me nr. 3/1 me sipërfaqe 2,69 ha dhe nr. 35 me sipërfaqe 9,99 ha. Subjekti ka një marrëveshje qiraje për pasurinë me nr. 1 me sipërfaqe 0,3 ha, pronë private për të cilën dëshmon me dokumentacion VENDIM NR. _, DATË _._.2016 marrëdhënien me pronën” thuhet në parashtrimin e vendimit të KIS. Monitor.al