
Shqipëria është e renditur në vend të fundit në Evropë sa i takon pastërtisë së ujit, gjë që është një këmbanë alarmi për industrinë e turizmit, shpreh me shqetësim Konfidustria Shqiptare. Kjo e fundit ka kërkuar ndarjen e Ministrisë së Mjedisit nga ajo e Turizmit për shkak se funksionimi i këtij dikasteri në të njëjtën mënyrë organizimi siç është përcaktuar nga Rama në qeverinë e tretë të socialistëve, rrezikon goditjen e standarteve mjedisore që prekin edhe investimet e mëdha dhe sistemin ekonomik të vendit.
“Konfindustria, duke marrë shkak nga problematikat e mprehta të sezonit 2024, kërkon ndërtimin e një strategjie me veprime të shpejta institucionale, ekonomike dhe financiare, për të shpëtuar fuqinë konkurruese të industrisë turistike shqiptare, në sezonin e ardhshëm dhe në vazhdim. Veprimi i parë institucional i domosdoshëm është ndarja e Ministrisë së Mjedisit nga Turizmi. Në rast të kundërt rrezikohen të goditen edhe më shumë standardet mjedisore, që prekin ashpër investimet e mëdha shtetërore dhe private të kryera tashmë në industrinë e turizmit, me pasoja të rënda për qëndrueshmërinë e sistemit ekonomik dhe financiar të vendit.
Konfindustria vlerëson, se është përplasje e qartë institucionale, që nuk ka asnjë shembull në shtetet e BE prania nën një portofol ministror e Turizmit dhe Mjedisit, sikurse është sot në kabinetin Rama 3. Konfindustria merr shkak për të kërkuar krijimin e Ministrisë së Mjedisit të ndarë nga Turizmi nga dhënia e lejeve të ndërtimit të njësive dhe objekteve hoteliere në kushtet e mungesës së impianteve të pastrimit të ujërave të përdorura, kapaciteteve të pamjaftueshme të furnizimit me ujë të pijshëm, që detyrojnë më pas të prekin zona të mbrojtura, punimeve ndërtimore infrastrukture në shkelje mjedisore, etj. Këmbanë alarmi për të ardhmen e industrisë turistike shqiptare është klasifikimi në vend të fundit për pastërtinë e ujërave të Shqipërisë, e kryer nga agjencitë e BE si dhe problematikat në menaxhimin e parkut të Butrintit, Liqenin e Ohrit, qyteteve të Beratit, Gjirokastrës, etj.”- thuhet në propozimin e Konfindustrisë.
Nga ana tjetër, kryeministri Edi Rama nga Dhërmiu ku ndodhet prej ditësh me pushime ka publikuar herë pas here video ku flet për shifrat e turizmit, duke theksuar se ka një rritje të madhe krahasuar me vitin e kaluar. Madje nuk ka kursyer as thumbimet për personazhe publikë të cilët kanë folur për rënie të numrit të turistëve. Versus.al