POLITIKË /

Sezoni turistik, Rama: Në Rinas hynë mbi 350 mijë pasagjerë më shumë! As gojët me qime s’thonë dot gjë

Sipas Ramës të dhënat nga tatimet tregojnë se ka më shumë konsum dhe rritje të konsumatorëve në vend.

Shkruar nga Versus
Sezoni turistik, Rama: Në Rinas hynë mbi 350 mijë pasagjerë
Kryeministri Edi Rama

Për kreun e qeverisë, ky sezon turistik deri më tani, ka qenë një sukses. Nga Dhërmiu ku po kalon pushimet verore, kryeministri Edi Rama ka publikuar në rrjetin social “facebook” një video ku flet për shfirat e pasagjerëve që kanë hyrë në vendin tonë, duke i konsideruar ato si shumë më të larta krahasuar me vitin e kaluar kur shënuan rekord.

“Ca ditë pushim si gjithnjë prej 10 vitesh këtu në Dhërmiun magjik. Mbrëmë mora të dhënat e hyrjeve në Shqipëri vetëm nga aeroporti Nënë Tereza dhe kufiri i Morinës. Nga aeroporti kanë hyrë mbi 1.2 mln pasagjerë, mbi 350 mijë më shumë sesa vjet. Këtë korrik është thyer edhe rekordi i hyrjeve në një ditë të vetme, 44 mijë. Aeroporti ka arritur të operojë deri në 252 fluturime në ciklin e 24 orëve, një volum i paimagjinueshëm deri pak viteve më parë”- tha kryeministri.

Ai nuk la pa thumbuar edhe kundërshtarët politikë dhe kritikët që flasin për plazhe të boshatisura në jug të vendit dhe braktisje nga shqiptarët e Kosovës.

“Për shifrat e aeroportit nuk mund thonë gjë as ato gojët me qime të atyre që nuk pushojnë duke thënë u zbraz Shqipëria. Sepse Aeroporti i Tiranës po mbush vitin në krye të klasifikimit europian për rritjen me vitet paraardhëse. Ndërsa për numër pasagjerësh kemi spostuar në vend të dytë aeroportin e Beogradit që ka qenë i pari historikisht në rajon. Por edhe në Morinë, gjatë këtij viti kanë hyrë 175 mijë automjete më shumë. Pra edhe ajo Teoria se shqiptarët e Kosovës e kanë braktisur Shqipërinë, janë zero me xhufkë”- shtoi Rama.

Në mbyllje të videos ku sërish foli për “gojët kritike”, Rama tha se ka ende shumë gjëra për t’u përmirësuar në këtë sezon turistik të cilin e konsideroi si të suksesshëm.

“E habitshme sesa të pamundur e ka një pjesë e jona t’u gëzohet sukseseve të Shqipërisë. Për disa është për të thënë shyqyr që i kemi tamam si ato hudhrat që e mbrojnë vendin nga syri i keq. Duke iu uruar pushime të mbara, në mbyllje sigurisht ne jemi me laps e me letër për ato shumë gjëra që janë ende për t’u përmirësuar”- përfundoi kreu i qeverisë.

Ndërkohë që pak ditë më parë gjatë mbledhjes së zhvilluar me kryebashkiakët e vendit me temë kryesore sezonin turistik, Rama u shpreh ashpër edhe ndaj pronarëve të bizneseve në shërbimin hotelier në Vlorë e Sarandë duke u thënë se nëse vazhdonin të kishin këto çmime, së shpejti do të ndjejnë pasojat me numër më të ulët turistësh në vitet e ardhshme. Versus.al

Poll