EKONOMI & MJEDIS /

‘Rrokadë’ në MIE / Arrestet nga SPAK sjellin lëvizje në krye të institucioneve, kush ikën e kush vjen

Gjyli largohet nga ARRSH, Kozeli emërohet drejtor; Haxhiademi merr drejtimin e KESH pas arrestimit të Elezit

Shkruar nga Versus

‘Rrokadë’ në MIE / Arrestet nga SPAK sjellin lëvizje

Gentian Gjyli, i cili po hetohet nga SPAK për shkelje të barazisë në tendera dhe ndodhet aktualisht në masën e “arrestit shtëpiak” me vendim të GJKKO-së, është larguar nga posti i drejtorit të Autoritetit Rrugor Shqiptar (ARRSH). Në vend të tij është emëruar Ami Kozeli.

‘Rrokadë’ në MIE / Arrestet nga SPAK sjellin lëvizje

Kozeli është shkarkuar nga detyra e zëvendësministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë dhe është vendosur në krye të ARRSH-së, në një lëvizje që vjen në mes të hetimeve penale që kanë përfshirë drejtues të lartë të sektorit të infrastrukturës.

Ndryshime ka pasur edhe në krye të Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare (KESH). Viola Haxhiademi është emëruar drejtoreshë e re e institucionit, duke zëvendësuar Erald Elezin, i cili gjithashtu ndodhet në “arrest shtëpie” me vendim të GJKKO-së, i akuzuar për shkelje të barazisë në tendera.

‘Rrokadë’ në MIE / Arrestet nga SPAK sjellin lëvizje

Haxhiademi vjen në këtë post pas një karriere të gjatë në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, ku ka shërbyer fillimisht si drejtoreshë e Kabinetit të ministres dhe, që prej vitit 2019, si Sekretare e Përgjithshme.

Pavarësisht lëvizjeve në poste drejtuese, si Kozeli ashtu edhe Haxhiademi do të vijojnë të jenë në varësi të drejtpërdrejtë të zëvendëskryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.

Ndërkohë, hetimet e SPAK përfshijnë dy nga projektet më të mëdha infrastrukturore në vend. Erald Elezi akuzohet për shkelje të barazisë në tendera në dy procedura me vlerë rreth 210 milionë euro: ndërtimin e Tunelit të Llogarasë dhe lotin e katërt të Unazës së Madhe. Në kohën e tenderit për Llogaranë, Elezi ishte drejtor i Drejtorisë së Planifikimit Strategjik dhe Operacioneve në ARRSH, ndërsa për Unazën e Madhe ishte anëtar i Komisionit të Vlerësimit të Ofertave.

Edhe Gentian Gjyli po hetohet nga SPAK për të njëjtën vepër penale, por masa e sigurisë ndaj tij lidhet vetëm me procedurën e tenderimit të Tunelit të Llogarasë. /VERSUS

Poll