
Në paketën fiskale 2026 qeveria synon të ulë përdorimin e parasë cash në ekonomi nëpërmjet uljes së vlerës së transaksioneve dhe vendosjen e “POS”-ve në të gjitha bizneset për pagesë më kartë.
Ndryshimet e reja ligjore në procedurat tatimore përcaktojnë reduktimin e pragut për pagesat me para në dorë ndërmjet bizneseve nga 150 000 lekë që është aktualisht në 100 000 lekë.
Ndryshimet gjithashtu përcaktojnë vendosjen e një kufiri prej 500 000 lekësh për transaksionet me para në dorë midis individëve dhe të vetëpunësuarve/tregtarëve. Aktualisht, ligji nuk parashikon një kufi të tillë. Vendoja e kufirit prej 500 000 lekësh është bërë bazuar në transaksionet ekzistuese dhe mbështetur edhe në eksperiencat e vendeve të tjera.
Nga të dhënat e gjashtëmujorit të parë të vitit 2025 rezulton se pagesat me para në dorë vijojnë të mbeten të larta në ekonominë shqiptare. Rreth 46.4% e faturimeve mes bizneseve dhe 9.7% e vlerës së transaksioneve kryhen ende në cash, pavarësisht kufirit ligjor prej 150,000 lekësh. Ndërkohë, në marrëdhëniet mes bizneseve dhe individëve, 90.6% e faturimeve dhe 64.2% e vlerës së transaksioneve realizohen me para në dorë.
Në këtë kuadër, autoritetet fiskale po propozojnë detyrimin për pajisjen e çdo tatimpaguesi me terminale “POS” në çdo pikë shitjeje, sipas afateve të përcaktuara në ligj. Përjashtim do të bëjnë vetëm subjektet që ushtrojnë aktivitet në zona pa mbulim interneti, ata që janë të përjashtuar nga lëshimi i faturës, si dhe individët e vetëpunësuar që nuk janë subjekt i TVSH-së dhe nuk kanë më shumë se një vendndodhje të veprimtarisë.
Sipas projektit, strukturat akomoduese, sektori i transportit dhe institucionet publike duhet të pajisen me terminal POS deri më 30 maj 2026, ndërsa bizneset e tjera deri më 31 dhjetor 2026. Këto afate synojnë t’u japin tatimpaguesve kohë të mjaftueshme për përmbushjen e detyrimeve dhe lehtësimin e procesit të implementimit.
Në mbështetje të kësaj nisme, Banka e Shqipërisë ka ndërmarrë një sërë masash për uljen e kostove të transaksioneve bankare dhe pajisjes me POS. Ndër to përfshihet ofrimi falas për 12 muaj i terminalit POS nga MasterCard, duke nisur nga 1 maji 2026, si dhe nxitja e zbatimit të rregullores së BE-së “Interchange Fee Regulation”, që kufizon tarifat bankare.
Sipas institucioneve financiare, këto masa do të ndihmojnë rritjen e përdorimit të pagesave elektronike, formalizimin e qarkullimit monetar dhe reduktimin e evazionit fiskal./ Monitor
