
Kryeministrja italiane Giorgia Meloni ka shkëmbyer batuta me gazetarët e pranishëm në G7 në Borgo Egnazia.
E zënë duke pritur liderët botërorë, teksa priste ardhjen e presidentit amerikan Joe Biden, kryeministrja vendosi të bënte një selfie së bashku me gazetarët dhe fotografët e pranishëm.
Më pas Meloni u shpreh: "A duhet t'u bëj tag të gjithëve? Le të bëjmë postimin më të gjatë në histori", tha ajo me shaka.
Samiti i vendeve të G7-ës po mbahet në qytetin juglindor Borgo Egnazia, Itali ku do të diskutohen çështje globale, duke përfshirë konfliktet në Ukrainë dhe Lindjen e Mesme.
Ishte kryeministrja Giorgia Meloni që mirëpriti liderët e vendeve të G7-tës dhe të Bashkimit Evropian.
Në fjalën e saj hapëse të sesionit të parë, Meloni theksoi rëndësinë e dialogut me kombet e Jugut Global.
"Presidenca italiane vendosi gjithashtu t’i kushtojë vëmendje të veçantë një kontinenti tjetër - i cili është thelbësor në të ardhmen - që është Afrika, me mundësitë e saj. Dhe kjo kërkon një qasje të ndryshme nga ajo që kemi treguar në të kaluarën", tha ajo.







