
Dëshmia e ish-ministrit të Shëndetësisë, Klodian Rrjepaj në komisonin hetimor për koncesionet e Sterilizimit dhe Check Up në Shëndetësi është përqendruar në diskutime teknike sa i takon kredive të marra nga ministria.
Kryetarja e komisionit, Albana Vokshi e pyeti Rrjepajn për kredinë e dytë që është marrë për të realizuar investimin për procesin e sterilizimit, ku kredia e dytë e marrë nuk është përfshirë në studimin e fizibilitetit. Për këtë fakt, Rrjepaj u përgjigj se nuk kishte dijeni për kredinë e dytë.
Vokshi tha se ndërkohë që shteti ende paguan sot për interesat e kredisë së dytë, ish-zv ministri nuk kishte asnjë dijeni për të.
"Ju keni folur për bashkëpunim publik-privat dhe keni kërkuar ta kaloni në PPP pa marrë parasysh kërkesën e drejtoreshës së asaj kohe në QSUT Manastirliu dhe keni thënë që kjo PPP do sjellë eficencë. Pastaj thoni më poshtë “Në spitalin e urgjencës sterilizmi është një repart e inaguruar në 2010 dhe është një teknologji avangarde”. Pra e kishit aty, pra ishte avangarde. Edhe pastaj vijoni, “Aty fatkeqësisht për mungesën e pajisjeve profesionale, mungesën e informacionit për t’i përdorur këto pajisje dhe sot në 2014 nuk është ende në punë. Ata përdorin ende autoklavët që cënon pajisjet.” Pra sipas asaj që ju thoni qëndra ekzistonte por nuk përdorej. Ishte marrë kredia, pra ne sot paguajmë dy kredi për sterilizmin. Ju po thoni që nuk jeni në dijeni të kredisë së dytë që do vihej në funksion. Ndërkohë që ne ende sot paguajmë për interesat e kredisë së dytë të marrë", tha Vokshi.
"Këtu nuk flasim për kompetenca profesionale vetëm për stafin e sterilizimit por për përgjegjësinë e nje strukture. Nuk është një bashkim mekanik njerëzish që bashkohen në një qëndër. Nuk është një trajnim vetëm për autoklavat apo për teknologjinë e re. Duhetë thënë se është një koncept krejt i ri dhe për Europën. Përpos faktit që veglat në reparte janë të vjetra, sepse nuk ëshë shërbim klinik por prodhimi. Pra qoftë në praktikën profesionale ka sjellë një përqëndrim të këtyre strukturave si administrative dhe mjekësore në zinxhir për vlerën."-u përgjigj Rrjepaj në komision. Versus.al








