Florian Kofina këtë të diel e pati ditën e fundit të jetës së tij. Ai u gjet i pajetë mes disa shkëmbinjve në vendin e quajtur Gjiri i Barxhos në Ksamil. Ishte vetëm 38 vjeç.
Zyrtarisht u tha se vdekja e djalit që banonte në Tiranë kishte ardhur si pasojë e një arresti kardiak, ndërsa kishte dalë në det me një kanoe dhe ka qenë duke bërë zhytje në det.
Por një hije dyshimi mbulon këtë ngjarje dhe kjo është arsyeja që vdekja e tij ende nuk ka një raport përfundimtar, i cili pritet të dalë në ditët në vijim nga Instituti i Mjekësisë Ligjore, ku pritet të bëhet kqyerja e trupit pa jetë nga ekspertët e fushës.
A ishte vdekja e 38 vjeçarit Florian Kofina një vdekje natyrale apo një aksident?
A ishte një aksident i shkaktuar nga një Jetski që mund t’i ketë kaluar sipër ndërkohë që ai ishte i zhytur në ujë, ishte një arrest kardiak apo gjatë një momenti zhytje ka përplasur kokën me shkëmbin?
Gazetari i njohur i kronikës së zezë, Flamur Vezaj, i cili prej disa vitesh jeton në SHBA, pasditen e së dielës, në një shkrim të bërë publik në rrjetet sociale ka ngritur dyshimin se vdekja e Kofinës nuk ka qenë një arrest kardiak, por një vrasje aksidentale me Jetski nga shtetasi me iniciale I.D, i cili sipas Vezajt ka lidhje me pushtetin.
Versus.al kontaktoi me burime zyrtare pranë policisë së Vlorës dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit. Të dy zëdhënësit përkatës, kanë deklaruar se çështja po hetohet nga prokuroria dhe se do të jetë ekspertiza mjeko-ligjore që do të japë përgjigjen përfundimtare mbi rrethanat e kësaj ngjarje, por paraprakisht, sipas tyre, ka dyshime të arsyeshme se ngjarja është aksidentale.
Zëdhënësi i Policisë së Shtetit, Gentian Mullai, i kontaktuar nga Versus.al thotë se janë marrë në pyetje dëshmitarë dhe personi që gjeti trupin pa jetë, por se ende nuk ka asnjë person të arrestuar për këtë ngjarje. Por burimet zyrtare nuk saktësuan nëse shtetasi me iniciale I. D. i cituar nga gazetari Vezaj, është mes personave të shoqëruar apo të marrë në pyetje në lidhje me këtë ngjarje. Ata sidoqoftë saktësuan se në lidhje me këtë ngjarje nuk ka asnjë arrestim.
“Nuk kam dijeni për emra konkretë, të cilët dhe për arsye se cështja është në hetim nuk bëhen publik, por kushdo që ka qenë dëshmitar patjetër do të pyetet nga Policia me qëllim zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje,” – shtoi zëdhënësja e policisë së Vlorës e kontaktuar nga Versus.al.
Burime të tjera i thanë Versus.al se fillimisht për 38 vjeçarin tiranas Florian Kofina u dyshua se ishte goditur nga jetski, por më vonë kryerja paraprake çoi në dyshimin se plagët në trup e kokë mund të ishin krijuar dhe nga përplasjet në shkëmbinjtë e zonës.
Por ndërsa në një nga gjiret e Ksamilit një djalë i ri u gjet i vdekur, në komunikatën zyrtare të policisë u raportua se: ‘Sot, më datë 04.08.2024, tek shkëmbinjtë tek “Gjiri i Barxhos”, në Ksamil, në një masiv shkëmbor në det, është gjetur i pajetë shtetasi F. K., rreth 38 vjeç, banues në Tiranë, i cili dyshohet se është mbytur aksidentalisht si pasojë e një arresti kardiak.’ Por ndërsa ekspertët ende janë të paqartë për shkaqet e humbjes së 38-vjeçarit, policia nxitoi të bëjë publike një pistë, atë të humbjes së jetës për shkaqe natyrore. Deklaratat e disa dëshmitarëve dhe plagët në trupin e të ndjerit kanë ngritur dyshime tek specialistët e hetimit dhe mjekët, dyshime që duhet të ishin ngritur dhe nga policia para se të lëshonte komunikatën ‘e përditshme’.
Tashmë “topi” ka ngelur në dorë të Prokurorisë dhe përgjigjes zyrtare të ekspertizës, e cila do të bëjë kqyerjen e plagëve në trupin e 38 vjeçarit Kofina si dhe në organet e brendshme, ku do të mund të vlerësohet nëse vdekja vërtetë është shkaktuar siç këtë të diel zyrtarisht thuhet se ka ardhur nga një arrest kardiak apo ka ardhur si pasojë e një aksidenti të vetë viktimës ose të shkaktuar nga mjete lundruese, cilido pastë qenë në drejtimin e tij.
Precedentet disa aksidenteve në det
13 korrik 2024
Një 56-vjeçar ka mbetur i plagosur në Karaburun, pasi është dëmtuar nga helika e një gomoneje
15 gusht 2023
Katër adoleshentë që kishin marrë me qira dy motorë uji u aksidentuan në det, pranë plazhit të Llamanit në Himarë. Nga përplasja e forte e mjeteve lundrues, mbeti i plagosur rëndë, pa shpresë për jetën një 16 vjeçar nga Tirana. Në hetim është shoku i tij 17-vjec që drejtonte njërin prej motorëve te ujit dhe pronari që ua kishte dhënë me qira mjetet lundrues.
2 gusht 2022
Arjan Tase goditi me skaf në breg të detit vogëlushen 7-vjeçare, e cila kishte ardhur nga Mbretëria e Bashkuar për pushime me familjen e saj. Ngjarja e rëndë ndodhi më 2 gusht të vitit 2022 në Plazhin e Potamit. Gjykata e Vlorës dënoi pak muaj më parë me 18 vite burg Arjan Tasen, ish-policin që përplasi për vdekje me skaf 7-vjeçaren Jonada Avdiaj.
19 gusht 2020
17-vjeçarja, Enisa Doda e cila u gjet mbytur në plazhin e Velipojës në Shkodër. Vajza nga Burreli kishte shkuar për pushime në Velipojë, por nuk mundi të dilte e gjallë nga deti. Ajo bashkë me 24-vjeçarin, Indrit Bajraktari, të cilin e njohu në plazh u futën në det me motor uji. I riu doli në breg 2 orë e gjysmë më vonë, por nuk kishte me vete as motorin e ujit dhe as vajzën./ Versus.al







