Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve ka rrëzuar kërkesën e opozitës për rezultatin e zgjedhjeve në Himarë ku Vangjel Tavo i PS u shpall fitues me mbi 1500 vota më shumë sesa Petro Gjikuria.
Gjatë seancës të zhvilluar në KAS pas rinumërimit të votave në kutitë e 36 qendrave të votimit, përfaqësuesit e opozitës pretenduan për shkelje gjatë procesit të votimit, duke nënvizuar edhe skadimin e kartave të ID për rreth 6 mijë zgjedhës me të drejtë vote.
KAS doli në përfundimin se nuk ka pasur shkelje gjatë procesit të votimit në zgjedhje dhe se vetëm 169 qytetarë me të drejtë vote nuk ishin lënë të votonin pasi u kishte skaduar karta e identitetit.
Ndërsa nga ana tjetër, përfaqësuesi i mazhorancës në KQZ Eridian Salianji tha se kërkesa lidhej me përpjekjen e opozitës për të justifikuar humbjen në Himarë.
“Duhet të mbyllet saga e Himarës. Procesi për ankimimin e zgjedhjeve bëhet për të justifikuar humbjen e opozitës në Himarë”- u shpreh Salianji ndër të tjera.
Zgjedhjet e 4 gushtit në Himarë nxorrën fitues Vangjel Tavon me 5022 vota kundrejt 3545 votave të Petro Gjikurisë. Vangjel Tavo i ofroi Gjikurisë postin e nënkryetarit, ndërsa ky i fundit së bashku me kryetarin e PBDNJ Vangjel Dule dhe përfaqësues të opozitës akuzuan mazhorancën për përdorimin e administratës publike për të arritur fitoren në bashkinë e Himarës. Një ndër pretendimet më të mëdha të opozitës ishte skadimi i kartave të ID për mbi 6 mijë persona me të drejtë vote në këtë bashki. Versus.al







