AKTUALITET /

Pas skandalit të Onkologjikut, qeveria ngre dy komisione për kontrollin e mjekëve

Në mbledhjen e saj të fundit, qeveria shqiptare ka vendosur ngritjen e dy komisioneve të reja, Komisionit të Disiplinës dhe Komisionit të Apelimit, me qëllim shqyrtimin e rasteve të shkeljeve të etikës profesionale dhe neglizhencës ndaj pacientëve nga mjekët.

Shkruar nga Versus

Pas skandalit të Onkologjikut, qeveria ngre dy komisione për
Në mbledhjen e saj të fundit, qeveria shqiptare ka vendosur ngritjen e dy komisioneve të reja, Komisionit të Disiplinës dhe Komisionit të Apelimit, me qëllim shqyrtimin e rasteve të shkeljeve të etikës profesionale dhe neglizhencës ndaj pacientëve nga mjekët.

Sipas vendimit të publikuar në Fletoren Zyrtare, këto komisione do të funksionojnë sipas rregullave të përcaktuara, duke garantuar transparencë dhe llogaridhënie në sistemin shëndetësor.

Komisioni i Apelimit

Ky komision do të vendoset pranë Ministrisë së Shëndetësisë dhe do të ketë pesë anëtarë, të përzgjedhur nga institucionet përkatëse, përfshirë Ministrinë e Shëndetësisë, Urdhrin e Mjekëve, Fakultetin e Mjekësisë dhe një ekspert të jashtëm. Ky organ do të shqyrtojë ankesat ndaj vend.

Komisioni i Disiplinës

Ky komision do të funksionojë pranë Urdhrit të Mjekëve dhe do të përbëhet nga pesë anëtarë me përvojë në fushën e mjekësisë ose të Drejtësisë. Tre prej tyre do të jenë përfaqësues të zgjedhur nga Këshilli Kombëtar i Urdhrit të Mjekëve, një anëtar do të emërohet nga Ministria e Shëndetësisë, dhe një tjetër do të jetë shefi i shërbimit të specialitetit të mjekut të akuzuar. Ky komision do të shqyrtojë pretendimet për shkelje dhe do të marrë masa disiplinore sipas rastit.

a) 3 (tre) përfaqësues të zgjedhur nga Këshilli Kombëtar i Urdhrit të Mjekëve, me përvojë apo specializim në çështje të etikës dhe të deontologjisë mjekësore;

b) 1 (një) përfaqësues i emëruar nga ministria përgjegjëse për shëndetësinë, me njohuri në fushën shëndetësore ose në procedurat administrative;

c) Shefi i shërbimit të specialitetit të mjekut, i cili pretendohet se ka kryer shkeljen.

Kryetari i këtij komisioni do të miratohet me vendim të Këshillit Kombëtar të Urdhrit të Mjekëve, ndërkohë për të qenë anëtar i Komisionit do të duhet të përmbushësh kriteret të cilat janë: “jo më pak se 10 (dhjetë) vjet përvojë në profesionin e tyre dhe të mos ketë masa disiplinore të mëparshme ose rekorde, që cenojnë integritetin dhe objektivitetin e procesit”.

Komisioni i Disiplinës ka për qëllim që të shqyrtojë ankesat në lidhje me veprimet e kryera nga mjekët gjatë ushtrimit të detyrës, që bien ndesh me parimet e etikës profesionale apo Kodin e Deontologjisë Mjekësore.

Ndërkohë, Komisioni i Apelimit do të ngrihet pranë Ministrisë së Shëndetësisë dhe do të përbëhet nga pesë anëtarë.

a) 2 (dy) përfaqësues të zgjedhur nga ministria përgjegjëse për shëndetësinë;

b) 1 (një) përfaqësues i zgjedhur nga Urdhri i Mjekëve;

c) 1 (një) përfaqësues i zgjedhur nga Fakulteti i Mjekësisë;

ç) 1 (një) ekspert i jashtëm, i specialitetit të mjekut, i cili pretendohet se ka kryer shkeljen.

Ky Komision do të ketë për detyrë shqyrtimin e ankesave ndaj vendimeve të Komisionit të Disiplinës duke siguruar një vlerësim të pavarur, duke përfshirë seanca dëgjimore dhe mbledhje provash të nevojshme.

Sa i përket kritereve që anëtarët e Komisionit të Apelimit duhet të kenë janë: “të përmbushë kushtet e integritetit profesional, të ketë jo më pak se 10 (dhjetë) vjet përvojë në profesionin e tyre dhe të mos ketë masa disiplinore të mëparshme ose rekorde që cenojnë integritetin dhe objektivitetin e procesit”. Mandati i tyre është dy vjet, me të drejtë rizgjedhje dhe ata do të qëndrojnë në detyrë deri në caktimin e anëtarit pasardhës.

E plotë/ Mënyra si anëtarët do zgjidhen dhe se si këto dy Komisione do të funksionojnë:

II.  KOMISIONI I DISIPLINËS

1. Komisioni i Disiplinës funksionon pranë Urdhrit të Mjekëve dhe përbëhet nga 5 (pesë) anëtarë, të cilët kanë përvojë në fushën e mjekësisë ose në fushën juridike, si më poshtë vijon:

a) 3 (tre) përfaqësues të zgjedhur nga Këshilli Kombëtar i Urdhrit të Mjekëve, me përvojë apo specializim në çështje të etikës dhe të deontologjisë mjekësore;

b) 1 (një) përfaqësues i emëruar nga ministria përgjegjëse për shëndetësinë, me njohuri në fushën shëndetësore ose në procedurat administrative;

c) Shefi i shërbimit të specialitetit të mjekut, i cili pretendohet se ka kryer shkeljen.

2. Kryetari i Komisionit të Disiplinës miratohet me vendim të Këshillit Kombëtar të Urdhrit të Mjekëve.

3. Për të qenë anëtar i Komisionit të Disiplinës kërkohet që ai të përmbushë kushtet e integritetit profesional, të ketë jo më pak se 10 (dhjetë) vjet përvojë në profesionin e tyre dhe të mos ketë masa disiplinore të mëparshme ose rekorde, që cenojnë integritetin dhe objektivitetin e procesit.

4. Mandati i anëtarëve të Komisionit të Disiplinës është 2 (dy) vjet, me të drejtë rizgjedhjeje. Ata qëndrojnë në detyrë deri në caktimin e anëtarit pasardhës.

5. Anëtari i Komisionit të Disiplinës heq dorë ose përjashtohet nga ky komision, sipas parashikimeve që rregullojnë pengesat ligjore, të Kodit të Procedurave Administrative.

6. Në rast largimi të parakohshëm të ndonjë anëtari, organi i emërtesës emëron një anëtar të ri, brenda 30 (tridhjetë) ditëve. Anëtari i ri qëndron në detyrë deri në përfundimin e mandatit të paraardhësit.

7. Komisioni i Disiplinës funksionon si organ kolegjial, me të paktën 3 (tre) anëtarë dhe merr vendime me shumicë të thjeshtë votash.

8. Komisioni i Disiplinës shqyrton ankesat në lidhje me veprimet e kryera nga mjekët gjatë ushtrimit të detyrës, që bien ndesh me parimet e etikës profesionale apo Kodin e Deontologjisë Mjekësore.

9. Ankesa/kërkesa për fillimin e procedimit disiplinor ndaj mjekut, në lidhje me shkeljen disiplinore të pretenduar, të plotësojë këto kushte:

a) Të jetë me shkrim;

b) Të identifikojë mjekun, i cili pretendohet se ka kryer shkeljen  disiplinore;

c) Të përcaktojë veprimin konkret, që pretendohet se përbën shkelje disiplinore, dhe rrethanat e kryerjes së tij.

10. Ankesat anonime nuk pranohen për shqyrtim.

11. Komisioni i Disiplinës fillon kryesisht procedimin disiplinor për mjekun, ndaj të cilit është regjistruar një procedim penal, për të cilin vihet në dijeni institucioni shëndetësor ose Urdhri i Mjekëve.

12. Brenda 5 (pesë) ditëve nga regjistrimi i kërkesës për fillimin e procedimit disiplinor, kryetari i Komisionit të Disiplinës njofton mbledhjen e këtij komisioni.

13. Komisioni i Disiplinës asistohet nga sekretariati teknik, i cili verifikon nëse kërkesa i plotëson kushtet formale të parashikuara në pikën 9, të kreut II, të këtij vendimi, dhe përgatit një relacion me shkrim për komisionin.

14. Kërkesa që nuk plotëson këto kritere konsiderohet e metë. Komisioni i Disiplinës njofton kërkuesin/iniciuesin e procedimit disiplinor me shkrim, duke i caktuar një afat, jo më shumë se 7 (shtatë) ditë për plotësimin e të metave të konstatuara. Në rast se të metat plotësohen brenda afatit të caktuar, afati për fillimin e procedimit disiplinor do të konsiderohet data e plotësimit të këtyre të metave.

15. Në rast se konstatohet mosplotësim i kritereve formale, kryetari i Komisionit të Disiplinës merr vendim për mospranimin e kërkesës për fillimin e procedimit disiplinor.

16. Nëse ankesa e depozituar plotëson kushtet formale, të parashikuara në                  pikën 9, të këtij kreu, Komisioni i Disiplinës  merr vendim për fillimin e hetimit disiplinor dhe njofton mjekun për fillimin e procedimit. Afati i përfundimit të procedimit disiplinor është 30 (tridhjetë) ditë dhe fillon të ecë nga momenti që merr vendim për fillimin e hetimit disiplinor.

17. Komisioni i Disiplinës heton e gjykon në bazë të fakteve dhe provave të administruara e të seancës dëgjimore me anëtarin e Urdhrit të Mjekëve, subjekt i procedimit disiplinor.

18. Komisioni i Disiplinës mbledh dhe verifikon çdo dokumentacion të nevojshëm, që ka lidhje me çështjen, objekt hetimi, dhe nëse e konsideron të nevojshme, thërret për dëshmi mjekun e akuzuar, pacientin (ose përfaqësuesin e tij ligjor), familjarët apo të afërm të tjerë të pacientit, si edhe çdo person tjetër që vlerësohet se ka informacion të rëndësishëm për hetimin.

19. Kur çështja kërkon ekspertizë specifike, Komisioni i Disiplinës, nëse e konsideron të nevojshme, kërkon mendimin e specialistëve të fushës mjekësore përkatëse për të vlerësuar veprimet e mjekut që po procedohet, në përputhje me standardet, udhëzimet e njohura profesionale, si edhe protokollet mjekësore. Po kështu, kërkon informacione shtesë nga institucione të tjera shëndetësore, autoritete rregullatore dhe organe profesionale për të siguruar të dhëna plotësuese të rëndësishme për hetimin.

20. Komisioni i Disiplinës ka të drejtë të kryejë inspektime në vendet e punës, ku mjeku ushtron veprimtarinë mjekësore, për të vlerësuar kushtet e punës, pajisjet e respektimin e standardeve profesionale dhe etike të kërkuara.

21. Komisioni i Disiplinës përgatit një raport të plotë me përshkrimin e procesit hetimor, gjetjeve, dëshmive dhe rekomandimeve, i cili përfshihet në dosjen disiplinore të mjekut dhe u njoftohet edhe palëve të tjera, pjesëmarrëse në këtë procedim.

22. Në rast se në përfundim të hetimit disiplinor vërtetohet se nuk ka shkelje disiplinore, atëherë Komisioni i Disiplinës  merr vendim për ndërprerjen e ecurisë disiplinore.

23. Kur vërtetohet se anëtari ka kryer shkelje të etikës, të Kodit të Etikës dhe të Deontologjisë Mjekësore ose ka bërë shkelje të tjera, Komisioni i Disiplinës jep një nga masat disiplinore, të parashikuara nga neni 17, i                                ligjit nr.123/2014, “Për Urdhrin e Mjekëve në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.

24. Në përfundim të procedimit disiplinor, Komisioni i Disiplinës merr vendim të arsyetuar, i cili i njoftohet mjekut, subjekt i procedimit disiplinor. Vendimi përfundimtar i organit disiplinor përmban këto të dhëna:

a) Organin që ka marrë vendimin;

b) Identifikimin e mjekut ndaj të cilit është marrë masa;

c) Bazën ligjore;

ç)  Shkeljen faktike;

d) Masën e marrë;

dh) Arsyetimin e vendimit dhe shpjegimin e fakteve, që janë bërë shkas për marrjen e vendimit;

e) Të drejtën dhe afatin e ankimimit ndaj vendimit të Komisionit të Disiplinës.

25. Vendimet e Komisionit të Disiplinës ankimohen brenda 10 (dhjetë) ditëve nga njoftimi i arsyetuar në Komisionin e Apelimit, që ngrihet pranë ministrisë përgjegjëse për shëndetësinë.

III. KOMISIONI I APELIMIT

1. Komisioni i Apelimit ngrihet pranë ministrisë përgjegjëse për shëndetësinë dhe përbëhet nga 5 (pesë) anëtarë, me të drejtë rizgjedhjeje, si më poshtë vijon:

a) 2 (dy) përfaqësues të zgjedhur nga ministria përgjegjëse për shëndetësinë;

b) 1 (një) përfaqësues i zgjedhur nga Urdhri i Mjekëve;

c) 1 (një) përfaqësues i zgjedhur nga Fakulteti i Mjekësisë;

ç) 1 (një) ekspert i jashtëm, i specialitetit të mjekut, i cili pretendohet se ka kryer shkeljen.

2. Komisioni i Apelimit shqyrton ankesat ndaj vendimeve të Komisionit të Disiplinës dhe siguron një vlerësim të pavarur, duke përfshirë seanca dëgjimore dhe mbledhje provash të nevojshme.

3. Për të qenë anëtar të Komisionit të Apelimit që ai kërkohet të përmbushë kushtet e integritetit profesional, të ketë jo më pak se 10 (dhjetë) vjet përvojë në profesionin e tyre dhe të mos ketë masa disiplinore të mëparshme ose rekorde që cenojnë integritetin dhe objektivitetin e procesit.

4. Mandati i anëtarëve të Komisionit të Apelimit është 2 (dy) vjet, me të drejtë rizgjedhjeje. Ata qëndrojnë në detyrë deri në caktimin e anëtarit pasardhës.

5. Anëtari i Komisionit të Apelimit heq dorë ose përjashtohet, sipas parashikimeve që rregullojnë pengesat ligjore, të Kodit të Procedurave Administrative.

6. Në rast largimi të parakohshëm të ndonjë anëtari, organi i emërtesës emëron një anëtar të ri brenda 30 (tridhjetë) ditëve. Anëtari i ri qëndron në detyrë deri në përfundimin e mandatit të paraardhësit.

7. Komisioni i Apelimit funksionon si organ kolegjial, me të paktën 3 (tre) anëtarë dhe merr vendime me shumicë të thjeshtë votash.

8. Çdo akt drejtuar Komisionit të Apelimit vlerësohet si ankim edhe nëse nuk është emërtuar shprehimisht si i tillë, por del nga përmbajtja e këtij akti dhe është mjaftueshëm i qartë. Ankimi paraqitet në formë të shkruar dhe përmban:

a) adresimin e ankesës në Komisionin e Apelimit;

b) emrin, atësinë, mbiemrin, vendbanimin ose vendqëndrimin e ankuesit dhe/ose të përfaqësuesit të tij, në rastin e personave fizikë;

c) vendimin e Komisionit të Disiplinës, kundër të cilit paraqitet ankimi;

ç)  parashtrimin e objektit dhe shkaqeve të ankimit;

  d) aktet procedurale, të cilat i bashkëlidhen ankimit, të tilla si:

i. akti i përfaqësimit, në rast se ankimi paraqitet nga përfaqësuesi i zgjedhur i ankuesit;

ii. kopje të vendimit të Komisionit të Disiplinës, objekt ankimi;

iii. dokumente, prova apo materiale të tjera që shoqërojnë ankimin, në origjinal ose të njësuara me origjinalin.

dh) nënshkrimin e ankuesit ose të përfaqësuesit të tij, në rast se ankimi paraqitet prej këtij të fundit, sipas tagrave të dhënë shprehimisht në aktin e përfaqësimit.

9. Komisioni i Apelimit asistohet nga sekretariati teknik, i cili verifikon nëse ankimi plotëson kriteret formale të parashikuara më sipër. Ankimi që nuk plotëson këto kritere konsiderohet i metë. Kryetari njofton ankuesin me shkrim, duke i caktuar një afat 7-ditor për plotësimin e të metave të konstatuara. Në rast se ankuesi nuk plotëson të metat brenda afatit të caktuar, Komisioni i Apelimit vendos mospranimin e ankimit.

10. Komisioni i Apelimit në çdo rast nuk ka të drejtë t’ia kthejë për rishqyrtim ankesën Komisionit të Disiplinës.

11. Komisioni i Apelimit, në përfundim të shqyrtimit të ankimit, vendos:

a) mospranimin e ankimit;

b) pranimin e ankimit dhe shfuqizimin e vendimit të Komisionit të Disiplinës;

c) ndryshimin e masës disiplinore, dhënë nga Komisioni i Disiplinës në një masë më të lehtë.

12. Vendimi i Komisionit të Apelimit në çdo rast është i arsyetuar.

13. Vendimet e marra nga Komisioni i Apelimit publikohen, në mënyrë të anonimizuar, në faqen zyrtare të ministrisë përgjegjëse për shëndetësinë dhe të Urdhrit të Mjekëve.

14. Kundër vendimit të Komisionit të Apelimit lejohet ankim në gjykatën administrative kompetente brenda 10 (dhjetë) ditëve nga marrja dijeni për vendimin.

15. Ankimi në gjykatë nuk pezullon zbatimin e vendimit të Komisionit të Apelimit.

Ky vendim vjen pak muaj pas rastit të skemës së abuzimit të mjekëve në Spitalin 'Onkologjik, të cilët i mohonin pacientëve të drejtën e kurimit në Spitale Shtetërore dhe i drejtonin drejt "Privatit". /Versus.al/

Poll