POLITIKË /

Kuvendi mblidhet për herë të fundit para zgjedhjeve të 11 majit, zbardhet rendi i ditës

Shkruar nga Versus

Kuvendi mblidhet për herë të fundit para zgjedhjeve të 11

Kuvendi mban sot në orën 10:00 seancën e fundit para zgjedhjeve parlamentare të 11 majit, ku do të diskutohet për miratimin e dy projektligjeve dhe disa projektvendimeve.

Fillimisht do të diskutohet dhe miratohet projektligji që i hap rrugën krijimit të Bankës së Zhvillimit në vend me qëllim kryesor nxitjen e zhvillimit ekonomik dhe social të vendit.

Gjithashtu pritet të miratohen ndryshimet ligjore të propozuara nga qeveria në ligjin për “Rininë”. Sipas ministres së këtij dikasteri, Bora Muzhaqi, ky hap synon të përafrojë legjislacionin shqiptar me rregulloret evropiane për zhvillimin profesional të të rinjve.

Mes këtyre zhvillimeve, gjatë seancës pritet të votohen edhe projektvendime lidhur me emërimin e anëtarëve të Këshillit Drejtues të RTSH dhe kreut të këtij këshilli.

Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik ka përzgjredhur dy emrat përfundimtarë që garojnë për kryetar të Këshillit Drejtues të Radio Televizionit Shqiptar. Kandidatët janë Helion Haliti dhe Fatjon Hoxhalli. Javë më parë Kuvendi shkarkoi të gjithë këshillin drejtues të RTSH pas ankesave të vazhdueshme nga kryetari i organit, Leka Bungo i cili pretendonte për shkelje të tyre lidhur me përzgjedhjen e kandidaturave për drejtor të RTSH. Versus.al

Poll