Çfarë do të gjeni në brendësi
*Kryeministri Edi Rama mblodhi sot kandidatët për deputetë të qarkut Tiranë në zgjedhjet e 11 majit. *Gjatë fjalimit të tij, ai tha se synimi i PS është që në këto zgjedhje të marrë 1 milionë vota. Ai u bëri thirrje kandidatëve që pavarësisht pikëpamjeve të ndryshme me njëri-tjetrin , të bashkohen për të bindur qytetarët që të votojnë për të futur vendin në Bashkimin Evropian. *Rama përmendi disa prej përfitimeve të cilat sipas tij do t’i ketë vendi me anëtarësimin në Bashkimin Evropian duke nisur nga financimet për Bujqësinë. Ndërsa nuk la përmendur edhe disa prej kandidatëve të cilët pavarësisht se më parë kanë qenë pjesë e opozitës, tashmë i janë bashkuar PS.
“Qielli të jetë kufiri”, Rama thirrje për sa më shumë vota në 11 maj: Kemi një ballist mes nesh si hudhër

Kreu i qeverisë, Edi Rama retorikën e tij politike gjatë takimit të sotëm me kandidatët për deputetë të Tiranës, e bazoi tek rëndësia e bindjes së qytetarëve për shansin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Ai bëri thirrje për mobilizim të shtuar për të arritur një rezultat sa më të madh në zgjedhje, duke nisur nga Tirana.
“Duke filluar nga Tirana, qielli duhet të jetë kufiri. E ardhmja si asnjëherë më parë është e materializuar në këto zgjedhje me një votë. Sepse na duhet 1 vit e gjysmë, jo më shumë se aq për t’i vënë të gjitha gjërat në vijë dhe 2027-ta për të zgjidhur gjithçka”- u shpreh Rama.
Më tej, teksa foli për skuadrën e PS, ai mori si shembull Halit Valterin i cili nga opozita, pjesë e të cilës ishte pak vite më parë, u bashkua me socialistët.
“Nuk ka asnjëherë dot një skuadër perfekte. Besoj se është e qartë për të gjithë që PS, iu ka dhënë mundësinë, deri edhe ballistëve, që të shohin nga ne nëse nuk duan të vdesin në kënetë. Kemi një ballist këtu, Halit Valteri, që kur na njohu nuk na u nda më. Vinte afër nesh nga inati i atyre por pak nga pak kuptoi se nuk është çështje inati, por më tepër se kaq. Shansi i tyre i fundit për të dalë nga këneta sepse kur të hyjmë në BE, fjala Ball Kombëtar do të jetë thjesht një episod historik. Shko edhe thuaju të tuve hajdeni këtu se mbetët në kënetë. Hudhër më të mirë në një shtëpi politike sesa të kesh një ballist në fasadë nuk ka”- tha kryeministri. Versus.al
“Zgjedhjet më të rëndësishme në historinë tonë”, Rama mbledh kandidatët e Tiranës: Të bindim njerëzit që të na votojnë për të hyrë në BE
Kryeministri Edi Rama ka mbledhur sot kandidatët për deputetë të qarkut të Tiranës me të cilët ka folur lidhur me rëndësinë e zgjedhjeve të 11 majit. Ai tha se duhet të përpiqen të bindin votuesit që të votojnë PS me synim anëtarësimin në Bashkimin Evropian.
Sipas tij, rrethanat janë të tilla dhe një mundësi e tillë nuk do të vijë sërish për vendin tonë.
“Këto janë të parat zgjedhje që kanë një rëndësi të posaçme gjeopolitike për Shqipërinë. Për herë të parë mundësia e hyrjes së Shqipërisë në BE është reale, e prekshme. Nuk e kemi vënë asnjëherë në dyshim, por nuk ka qenë asnjëherë e dyshuar as nga partnerët tanë që Shqipëria do jetë anëtare e BE. Por asnjëherë si sot, kjo nuk ka qenë diçka konkrete. Është hapur një dritare që nuk do qëndrojë e hapur përgjithmonë, por që rrethanat e brendshme të Evropës e kanë hapur.
Ky është një nga ato momente kur treni i historisë kalon përpara nesh dhe kur ne duhet të ndërgjegjësojmë këdo që treni i historisë nuk rri aty pafundësisht. Ne nuk duhet ta humbim këtë tren dhe ne nuk do ta humbim. Sot është ekzistenciale që ne të jemi në BE. Këtu ka një diskutim për të bërë, ka nevojë që të gjithë ne, në të gjitha kontaktet, t’u flasim njerëzve për rëndësinë e këtij momenti dhe rëndësinë e ndryshimit të statusit tonë”- tha kryeministri.
Më tej, tha se nga anëtarësimi në BE varet edhe Reforma në Drejtësi dhe theksoi se pala tjetër e opozitës dëshiron të kthejë pas progresin e bërë në fushën e drejtësisë.
“Se shpesh dëgjoj njerëz që e kanë perceptim të gabuar për anëtarësimin në BE, iu duket diçka me rëndësi relative, por kjo është rëndësi ekzistenciale. Vetëm duke hyrë në BE, mund të sigurojmë njëherë e mirë lirinë individuale që është e kërcënuar përsa kohë nuk jemi në BE. Siç është e kërcënuar barazia para ligjit.
Ne jemi këtu autorë të Reformës në Drejtësi dhe në vend të parë për kosto nga ky proces. Përballë nesh janë forcat që duan votat për të kthyer përmbys gjithçka që është ndërtuar deri tani”- shtoi Rama. Versus.al







