Çfarë do të gjeni në brendësi
Aksidenti tragjik, pezullohen nga detyra për performancë të dobët 3 drejtues të Policisë Durrës

Policia e Shtetit
Nisur nga aksidenti shumë i rëndë i ndodhur dje, në qytetin e Durrësit, si pasojë e të cilit humbën jetën 2 të mitur dhe u dëmtua një tjetër, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Drejtues Madhor Skender Hita, në zbatim të Rregullores së Policisë së Shtetit, ka pezulluar nga detyra, për performancë të dobët në përmbushjen e detyrave:
-Drejtorin e Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, Drejtues Afrim Tafa;
-Zëvendësdrejtorin për Rendin dhe Sigurinë Publike të DVP Durrës, Kryekomisar Zija Sulaj;
-Shefin e Sektorit të Policisë Rrugore të DVP Durrës, Kryekomisar Kreshnik Skëndo.
Gjithashtu, menjëherë pas ngjarjes, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit urdhëroi Drejtorinë e Policisë Rrugore për të ngritur një grup ekspertësh të cilët shkuan në vendngjarje për të analizuar shkaqet dhe rrethanat e aksidentit.
Ndërkohë, Drejtoria e Standardeve Profesionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit ka nisur hetimin disiplinor për të vlerësuar nëse ka apo jo përgjegjësi në radhët e punonjësve të Policisë, për këtë rast./Vijon...
U lëndua nga aksidenti tragjik në Durrës, 8-vjeçari te 'Trauma' jashtë rrezikut për jetën
8-vjeçari i plagosur në aksidentin tragjik të ndodhur një ditë më parë në Durrës ndodhet jashtë rrezikut për jetën dhe pritet të transferohet në pavijon.
Sipas burimeve nga Spitali i Traumës, i mituri ka reaguar pozitivisht pas ndërhyrjes së parë mjekësore dhe aktualisht është në gjendje të stabilizuar.
Megjithatë, ai do të vijojë të qëndrojë nën kujdesin e mjekëve për trajtimin e plotë të plagëve të marra si pasojë e aksidentit.
Ngjarja, që tronditi opinionin publik, solli humbjen e jetës së dy fëmijëve të tjerë, ndërsa 8-vjeçari mbetet i vetmi i mbijetuar nga përplasja e rëndë./Versus.al
Përplasi për vdekje 2 fëmijët, Policia: Shoferi ishte i dehur! Iu pezullua patenta 2 herë në 2022!

Policia e Shtetit ka dalë sot me një njoftim më të zgjeruar lidhur me aksidentin tragjik që ndodhi ditën e djeshme në lagjen nr.15, ku një automjet me drejtues Nikoll Radaçin përplasi për vdekje 2 fëmijë dhe plagosi rëndë një tjetër të mitur.
Blutë konfirmojnë zyrtarisht se 57-vjeçari ka qenë në gjendje të dehur teksa ngiste makinën dhe për pasojë ka humbur kontrollin, duke marrë përpara të miturit, 2 prej të cilëve humbën jetën në vend.
Policia sqaron edhe se Nikolla Radaçi rezulton si shofer që është ndëshkuar disa herë për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor.
Vetëm në vitin 2022, 57-vjeçarit i është pezulluar 2 herë leja e drejtimit të makinës, ndërsa është sanksonuar edhe më parë për parakalim të gabuar dhe për tejkalim të shpejtësisë.
Po sipas uniformave blu, drejtuesi i automjetit, pas aksidentit, është larguar nga vendi i ngjarjes, me pretendimin se kishte frikë nga reagimi i qytetarëve, por është konstatuar nga patrulla e Policisë, e cila e ka shoqëruar në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës.
NJOFTIMI I PLOTË I POLICISË:
Durrës/Informacion përfundimtar për aksidentin rrugor shumë të rëndë të ndodhur më datë 03.05.2026, rreth orës 14:10, në rrugën “Ohri”, lagjja nr. 15, në qytetin e Durrësit.
Oficerët e Policisë Gjyqësore, në drejtimin e Prokurorisë, në përfundim të veprimeve të para hetimore të kryera në vendin e ngjarjes dhe me drejtuesin e automjetit që shkaktoi aksidentin, arrestuan në flagrancë shtetasin N. R., 57 vjeç, banues në lagjen nr. 15, Durrës.
Nga tërësia e veprimeve hetimore rezultoi se shtetasi N. R., duke drejtuar automjetin tip “Mercedes-Benz ML”, dyshohet se ka humbur kontrollin mbi drejtimin e automjetit dhe si pasojë automjeti ka dalë nga rruga duke goditur tre fëmijë të moshave 8, 10 dhe 12 vjeç.
Si pasojë e aksidentit, kanë humbur jetën shtetasit e mitur E. M., 12 vjeç, dhe K. N., 10 vjeç.
Ndërsa i mituri tjetër, 8 vjeç, pasi mori ndihmën e parë mjekësore në Spitalin Rajonal Durrës, u transportua për mjekim të specializuar në Spitalin e Traumës, Tiranë.
Drejtuesi i automjetit, pas aksidentit, është larguar nga vendi i ngjarjes, me pretendimin se kishte frikë nga reagimi i qytetarëve, por është konstatuar nga patrulla e Policisë, e cila e ka shoqëruar në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës.
Nga kryerja e testit të alkoolit rezultoi se shtetasi N. R. e drejtonte automjetin, në gjendje të dehur: testi i parë 0.73 mg/l dhe testi i dytë 0.70 mg/l. Gjithashtu, i është marrë edhe kampion gjaku për ekzaminim toksikologjik.
Nga veprimet e para hetimore, dyshohet se shkak i aksidentit është humbja e kontrollit mbi automjetin, si pasojë e drejtimit të tij, në gjendje të dehur.
Gjithashtu, nga verifikimet e historikut të drejtuesit të automjetit rezulton se ky shtetas është ndëshkuar më parë për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor, konkretisht për parakalim të gabuar, në vitin 2020, dhe për tejkalim të shpejtësisë, dy herë, me pezullim të lejes së drejtimit nga 1 muaj, në vitin 2022.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprat penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, me pasojë vdekjen e dy personave, “Drejtimi i automjetit në mënyrë të parregullt” (në gjendje të dehur) dhe “Largimi nga vendi i aksidentit”.
Policia e Shtetit iu shpreh familjarëve të të miturve që humbën jetën, ngushëllimet më të ndjera, dhe i uron vogëlushit 8-vjeçar, shërim sa më të shpejtë.
Gjithashtu, fton qytetarët që të bashkëpunojnë me Policinë, për të parandaluar aksidentet rrugore, duke evidentuar dhe ndëshkuar shkelësit e rregullave që sjellin pasoja të rënda për jetën dhe shëndetin e qytetarëve.Versus.al

