Çfarë do të gjeni në brendësi
*Kreu i qeverisë Edi Rama ishte sot i pranishëm në ministrinë e Brendshme ku prezantoi në krye të këtij dikasteri ministren e re Albana Koçiu e cila më herët ka mbajtur postin e ministres së Shëndetësisë. *Rama bëri me dije se fokusi i këtij dikasteri nuk do të jetë më tek policia, por tek krijimi i një sistemi të mirëfilltë adresash të qytetarëve si dhe modernizimi i flotës së zjarrfikësve me prurje të reja për shkak të sfidave që e presin vendin me zjarret. *Teksa nuk kurseu kritikat për punën e ministrisë së Brendshme lidhur me vonesën në reagim, Rama tha se do të kërkojë edhe një reformë për prefekturat e vendit, duke argumentuar se e kanë humbur peshën që kanë patur si institucione dhe se duhet dalë në përfundim nëse duhen shkrirë apo riformatuar. *Në mbyllje e vuri theksin tek ndërtimet pa leje dhe siguria e territorit. Ai tha se do të ketë vendosje të kamerave në akset rrugore kombëtare dhe nëpër shkolla.
"Kamera në rrugë e shkolla", Rama: Do të ketë survejim me dronë e satelitë
Mes objektivave të ministrisë së Brendshme për këtë mandat do të jetë siguria në rrugë dhe shkolla. Kryeministri Edi Rama tha se do të ketë pajisje me kamera inteligjente nëpër akset kombëtare dhe qytetet e mëdha.
Më pas edhe një shkolla do të ketë kamera, regjistrimi i të cilave do t’u vihet në dispozicion edhe prindërve të nxënësve.
“Siguri më e lartë në rrugë ku do mbulojmë me kamera inteligjente akset kombëtare dhe qytetet e mëdha si fillim. Siguria më e lartë në shkolla ku do t’i vendoset drejtorive të shkollave dhe prindërve sistemi i regjistrimit për veprimtaritë brenda shkollës dhe do jetë i aksesueshëm në çdo rast nga Policia e Shtetit. Siguri më e lartë në mbrojtjen e territorit, plazheve, lumenjve, pyjeve përmes survejimit ajror me dronë dhe satelitorë, por na mungon edhe një komponent i fundit për ta bërë përfundimisht në kohë reale çdo cënim të territorit. Jo siç e kemi sot, që mund ta bëjmë në mënyrën periodike”- u shpreh Rama. Versus.al
“Kapën 90 vjeçarin që kishte bërë riparim në Dajt”, Rama: Nuk shihnin pallatet pa leje në Tiranë
Kreu i qeverisë Edi Rama ka patur kritika edhe për Inspektorët e Mbrojtjtes së Territorit dhe për policinë përsa i takon ndërtimeve pa leje në territor. Pavarësisht se më herët e kishte mohuar se inspektorët vendosnin gjoba private ndaj qytetarëve për të ndërtuar avlli, këtë herë Rama e pranoi këtë fenomen.
Ndërsa më tej u shpreh se së fundmi është dhënë sinjali se nuk ka rëndësi se cili ndërtues është, nëse ka kate pallati pa leje, ato do t’i kalojnë shtetit.
“Sikur të mblidheshin të gjithë fshatarët të cilëve policët e shtetit u kanë vënë gjoba personale, apo shtetërore për një avlli do bëhej mitingu më i madh. Ndërkohë që vetëm në këtë periudhë është dhënë mesazhi që sado të madh ta kesh emrin në botën e ndërtimit dhe sado të madh ta kesh pallatin me shkelje, shteti është më i madh se ti dhe nuk e gëzon dot. Sepse deri dje shikonin vetëm avllitë. Një burrë i vjetër 90 e kusur vjeç përfundoi në gjykatë për një riparim matanë Dajtit. Se ku e pikasi atje policia, do ishte për medalje ari. Në mes të Tiranës këtu, ka nga 4 apo 5 kate pa leje të cilat do t’i gëzojë shteti, jo ai që i ka ndërtuar”- u shpreh kreu i qeverisë. Versus.al
“Jeton në 2001-in”, Rama kritika për ministrinë e Brendshme: U kthente kriminelëve pronat e sekuestruara për 5 lekë
Gjatë prezantimit të Albana Koçiut në krye të këtij dikasteri, Rama pati kritika për ministrinë e Brendshme përsa i takon mënyrës së funksionimit. Ai tha se ministria punon sikur të jetë në kohë të ndryshme orare me vendin dhe se i duhet shumë kohë e gjatë për të reaguar.
“Ministria e Brendshme jeton në një zonë tjetër orare dhe kjo nuk është metaforë. Nëse për Shqipërinë sot ora është 1:30 pas drake, për ministrinë e Brendshme është ora 1:30 e natës. Duhet të presësh të vijë radha këtu që të zgjodhen në ministrinë e Brendshme. Nëse për Shqipërinë është ora 1;30 pas darke e një dite shtatori 2025, për këtë ministri është ora 1:30 e natës e nëntorit 2001”- u shpreh Rama.
Ndërsa më poshtë teksa kritikoi mënyrën e funksionimit të kompanisë shtetërore të sigurimit “Illyrian Gard” tha edhe se ministria e Brendshme deri vonë u ka kthyer kriminelëve pronat e sekuestruara në këmbim të shumave qesharake të parave.
“Ato çetat e bajraktarëve vijojnë të jenë këtu por quhen kompani private sigurie. Për të mos harruar nivelin e performancës së kompanisë së ministrisë së Brendshme “Illyrian Guard” e cila u krijua për t’u dhënë kuadrove të policisë një tranzicion të butë drejt pensionit me një pagë të denjë dhe u kthye në një jetimore qokash nga të 4 anët, duke humbur misionin për të cilin u krijua. Policia shkencore edhe ajo është një tjetër strukturë që falë disa specialistëve të mirë aty i ka mbijetuar kohës njësoj siç i kishin investuar kohës edhe shërbimet nëpër spitale. Por një polici shkencore e painvestuar gjëkundi ashtu siç duhet për kohën ku jetojmë.
Apo Garda e Republikës, shërbimi elitë. Administrimi i pasurive të sekuestruara më në fund ka filluar të bëjë sens pas kushedi sa vitesh. Këtu është merita e ministrit dhe e drejtores.
Ua merrnin nga njëra anë me njëmijë përpjekje dhe njëmijë e një halle ata që janë në frontin e luftës me krimin dhe pastaj kjo njësia ua jepte mbrapsht me çmim të arsyeshëm. I blinin për 5 lekë nga ministria e Brendshme dhe policia e shtetit mbetej prapë pa infrastrukturën e duhur ndërkohë që kriminelët rimerrnin pallatet”- tha Rama. Versus.al
“Të shihet nëse duhet shkrirë”, Rama kërkon reformë për prefekturat: Japin rroga kot
Mes listimit të prioriteteve të listuara për mandatin e ardhshëm të Koçiut në krye të ministrisë së Brendshme, kryeministri Edi Rama tha se duhet edhe një reformë për prefekturat.
Duke i konsideruar si institucione që e kanë humbur peshën dhe kuptimin, Rama tha se do të rishihet roli i tyre, nëse duhet të kenë një tjetër riorganizim, apo duhet të shkrihen si institucione.
“Preferkturat sot janë institucione që e kanë humbur peshën, kuptimin. Na duhet një reformë për prefekturat të cilën natyrisht do ta bashkëudhëheqin që në konceptim ministrja e Brendshme dhe ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor. Na duhet të nxjerrim konkluzionin a na duhen prefekturat apo jo? Nëse na duhen, çfarë forme duhet të kenë prefekturat dhe si mund të bëhen vlerë e shtuar në rrjetin e administrimit të punëve të brendshme. Dhe jo ca fole që shpërndajnë paga dhe impakti i të cilave në punët e brendshme, është afër zeros”- deklaroi Rama. Versus.al
“Na i gjejnë shtëpitë me të pyetur”, Rama prezanton Koçiun në ministrinë e Brendshme: Fokusi s’do jetë te policia
Kreu i qeverisë Edi Rama ishte sot në godinën e ministrisë së Brendshme ku prezantoi si ministre të re Albana Koçiun duke nënvizuar qasjen ndryshe që duhet të ketë ky dikaster përgjatë 4 viteve të ardhshme.
Ai tha se ndryshe nga vitet e kaluara, kur policia ishte në qendër të veprimtarisë së kësaj ministrie, këtë mandat duhet që fokusi të jetë tek ndërtimi i një sistemi adresash ku gjetja e adresave të mos jetë më një mission aq i vështirë. Po ashtu edhe zjarrfikësit duhet të jenë në qendër të kësaj ministrie tha Rama.
“Si rezultat i fokusimit të kësaj ministrie për dekada ekskluzivisht tek policia, sot e gjithë ditën 35 vjet transformime demografike dhe transformim fizik i vendbanimeve të Shqipërisë, që nga Tirana që janë sot shumë më të mëdha se ç’ishin 30 vite më parë, nuk e kemi ende një sistem funksional adresash.
Akoma sot na e gjejnë shtëpinë me të pyetur apo me shenja në rrugë. Lum ata që kanë pallat me shigjeta. Ose për shembull sot kemi një sistem të prapambetur zjarrfikësish me gjithë ndryshimet e pamohueshme që kanë ndodhur, por në këtë mandat të 4 nuk më interesojnë dhe shpresoj të mos na interesojnë ndryshimet që kanë ndodhur, por duhet të na interesojnë ndryshimet që duhet të ndodhin. Zjarrfikësit janë lënë gjithmonë në planin e dytë. Problem më i madh sot i shfaqur qartësisht në verën që po kalon dhe që mesa duket do të jetë një problem qëndror për vite në vijim, janë zjarret. Kanë dalë në planin e parë forcërisht si një punë e brendshme për t’u adresuar me një qasje të përshtatshme, me forca çdo vit e më të reja.
Duke patur parasysh se çfarë ka kaluar Shqipëria, është e natyrshme që policia të ishte për shumë vite si çeta e ministrit të Brendshëm. Një vend që kishte mbi 100 e kusur vrasjesh në vit, apo vend ku ringritja e policisë pas asaj katrahure ku ne nisëm punën në 2013-ën, e bënin policinë e shtetit prioritetet e prioriteteve. E vinin detyrimisht ministrin e Brendshëm në kushtet e kryepolicit civil në kokën e policisë. Tani janë pjekur kushtet që të bëjmë kapërcim të rëndësishëm sepse parametrat e rendit publik janë konsoliduar brenda normave të paktën të gjysmës së poshtme të tabelës së klasifikimit të vendeve të BE. Janë të tjera punë të brendshme që kërkojnë vëmendje të shtuar dhe aftësi të reja duke filluar nga kjo godina këtu. Prandaj ministria e Brendshme duhet të ngrihet në këtë lartësi të re, nga ku ta shikojë 360 gradë fushën e punëve të brendshme dhe të orientojë drejtimin e punëve të brendshme si në çdo vend të BE”- deklaroi kryeministri. Versus.al







