Çfarë do të gjeni në brendësi
*Opozita e drejtuar nga Partia Demokratike ka thirrur ditën e sotme një protestë kombëtare. Me moton “Të bashkuar në betejë”, protesta kombëtare e opozitës u vendos të thirrje që pas marrjes së vulës dhe logos, nga grupi i drejtuar prej Sali Berishës. *Protesta ka si objektiv të saj, denoncimin e korrupsionit qeveritar dhe të bashkisë së Tiranës, si dhe kërkimin e ngritjes së një qeverie teknike para zgjedhjeve parlamentare të 2025. *Qeveria teknike është edhe kërkesa kryesore e opozitës, pasi sipas drejtuesve të saj, me Edi Ramën nuk bëhen zgjedhje të lira dhe të drejta. * Protesta e opozitës e zhvendosur para Bashkisë së Tiranës është shoqëruar me incidente. Protestuesit kanë hedhur molotov drejt godinës dhe policëve duke u rrezikuar jetën seriozisht.
VIDEO/ Përplasje te Bashkia, protestuesit hodhën molotov mbi kokat e policëve
Protesta e opozitës e zhvendosur para Bashkisë së Tiranës është shoqëruar me incidente.
Protestuesit kanë hedhur molotov drejt godinës dhe policëve duke u rrezikuar jetën seriozisht.
Në videon e mëposhtme shihet se si efektivët e policisë largohen, ndërkohë që njërit prej tyre i merr flakë dhe këpuca.
Mbyllet protesta/ Noka: Lirimi i liderit të opozitës dhe qeveria teknike dy kushte që Shqipëria të gjejë paqe
Ka zgjatur zyrtarisht 2 orë e 30 minuta protesta kombëtare e opozitës në Tiranë.
E nisur në orën 20:00 tek kryeministria dhe e përfunduar në orën 22:30 tek Bashkia e Tiranës, opozita tuboi mijëra qytetarë në shesh.
Në të dyja godinat pati hedhje të bombave molotov, ndërsa në Bashki “shiu” i molotovit u shoqërua edhe me përplasje me forcat e rendit.
Protestuesit u shtynë me policinë që të çanin rrethimin e efektivëve, por pa ia arritur dot qëllimit.
Pas kësaj, drejtuesit e protestës vendosën të tërhiqeshin për t’u kthyer në selinë e Partisë Demokratike.
Sekretari i Përgjithshëm i PD-së Flamur Noka ka mbyllur protestën e opozitës, me një fjalë në shkallët e selisë blu.
‘Lirimi i liderit të opozitës dhe qeveria teknike që Shqipëria të gjejë paqe sociale dhe politike’, deklaroi Noka, si kushte të panegociueshme të opozitës.
‘Dua që në emër të PD opozitës shqiptare të falenderoj qindra e mijëra qytetarë, shqiptarë, demokratë e jo, por opozitarë në shpirt, dhe kundërshtarë të këtij regjimi, për pjesëmarrjen në këtë protestë më madhështoren dhe historiken që njeh demokracia shqiptare në këtë temperaturë 40 gradë.
Të gjithë ata që protestuan treguan se shpirti i qëndresës, treguan se shpirti i qëndresës, treguan se shqiptarët e lirë nuk nënshtrohen.
Sot qindra e mijëra shqiptarë protestuan kundër narkoregjimit, kundër këtij regjimi që po e rrënon Shqipërinë.
Mesazhi i #do qytetari sot ishte: Shqipëria kërkon demokraci, nuk mund të qëndrojë nën thundrën e narkos, dhe Shqipëria nuk mund të pranojë në vitin 2024, të ketë liderin e opozitës të burgosur politik.
Shqipëria nuk mund të jetë i vetmi vend i Europës që zgjedhjet nuk zhvillohen të lira, por zgjedhjet vidhen nën grykën e kallashnikovit, krimit të organizuar, bandave dhe korrupsionit.
Mesazhi i qytetarët ishte i qartë: Regjimi i narkos duhet të dëgjojë ërin e qytetarëve.
Qytetarët shqiptarë sot folën dhe treguan se ishin shumica.
Sot foli shumica e shqiptarëve, zëri i tyre duhet të dëgjohet.
Ne jemi të vendosur në betejën tonë. Lirimi i liderit të opozitës dhe qeveria teknike që Shqipëria të gjejë paqe sociale dhe politike’, tha Flamur Noka gjatë fjalës së tij.
Protesta e opozitës, Shkëlzen Berisha: E kemi takuar doktorin, është i fortë. PD e mbështes si qytetar
Shkëlzen Berisha, ka folur për protestën kombëtare të thirrur nga opozita.
Ai është shprehur për A2 CNN se ishte i pranishëm në protestë si demokrat.
I pyetur nëse njëlloj si motra e tij Argita ka ambicie që të jetë më aktiv politikisht në PD, Berisha la të kuptohet se partinë e drejtuar nga babai, do të vijojë ta mbështesë si qytetar.
Shkëlez Berisha akuzoi po ashtu drejtësinë që, sipas tij, është e kapur nga politika.
“Jam këtu si demokrat për të gjitha padrejtësitë.
Unë jam si qytetar për të mbështetur protestën. E kemi takuar doktorin.
Është shumë mirë, është i fortë, me moral shumë të lartë.
E mban drejtësia e kapur nga politika.
Si mund të kesh besim në një drejtësi që mban të burgosur liderin e opozitës, pa asnjë akuzë.”
Protesta zhvendoset drejt Bashkisë së Tiranës, ka incidente me policinë
Pas përfundimit të fjalimit të kryetarit të Partisë Demokratike, Sali Berisha, organizatorët kanë bërë thirrje që protestuesit të zhvendosen tek bashkia e Tiranës, ku Erion Veliaj është i akuzuar si drejtues i kupolës së korrupsionit në bashki.
Pas njoftimit për shkuarjen tek bashkia, edhe policia është gjetur e papërgatitur.
Ashtu si protestuesit edhe policët kanë vrapuar për të shkuar tek bashkia.
Gjatë vrapit mes të dy palëve ka pasur dhe incidente, por jo serioze.
Berisha mban fjalim nga shtëpia për protestuesit në shesh: Edi Rama e do Shqipërinë pa shqiptarë
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha gjatë fjalës së mbajtur në protestën kombëtare të opozitës, ka akuzuar Edi Ramën se është duke e shpopulluar Shqipërinë.
‘Edi Rama ky antishqiptar, e do Shqipërinë pa shqiptarë! Ai tejkaloi edhe parashikimet e Çubrilloviçit’, tha Berisha në fjalën e tij.
‘Të dashur miq, ne shqiptarët jemi një popull i vjetër evropian.
Por duhet thënë se kemi pasur dhe kemi armiq racistë ndaj kombit, po aq të egër sa ç’ishin nazistët ndaj hebrenjve.
9 dekada më parë, Çubrilloviç shkruante tezat e tij gjenocidale ndaj shqiptarëve.
I bëj thirrje çdo shqiptari t’i hedhë një sy këtij dokumenti famëzi sepse aty do zbuloni një të vërtetë shokuese.
Do shikoni se platforma e Çubrilloviçit dhe regjimi i sotëm i Edi Ramës ngjasojnë si dy pika uji.
Çubrilloviçi propozonte një metodë tinëzare, përdorimin e shtetit për t’ua nxirë jetën shqiptarëve, më taksa të larta, me polici të pashpirt, me mbylljen e shkollave, me gjoba dhe arrestime masive, me prishjen e banesave, me shndërrimin e pasurive përrallore në mallkim për qytetarët.
Por më vonë, OKB në nenin 2 konventës kundër gjenocideve, përcakton 5 lloje gjenocidi dhe njëri prej tyre është ai i kalkulimit të kushteve të jetesës që sjellin shkatërrimin e plotë osë të pjesshëm të një popullate.
Thënë këto, çdo shqiptar duhet të pranojë të vërtetën se vjedhjet e pangopura, taksat e larta, shndërrimi i votës në krim dhe krimit në votë, kanabizuimi i vendit, zëvendësimi i shtetit ligjor me narkoshtetit, lirimi i bosëve të krimit, kapja e drejtësisë, lufta ndaj opozitës së vërtetë, uria e fëmijëve shqiptarë, grabitja e ilaçeve, nuk ka qenë keqqeverisje, nuk kanë qenë rastësi, jo dhe jo.
Ato kanë qenë kushte të kalkuluara për nxirjen e jetës së shqiptarëve, me të cilat Edi Rama tejkaloi edhe parashikimet e Çubrilloviçit.
Ai arriti të nxisë emigracionin e kaq shumë shqiptarëve sa asnjë pushtues tjetër në histori nuk kishte arritur një gjë të tillë.
Ja pse Edi Rama nuk mban asnjë përgjegjësi,nuk shfaq asnjë pendesë apo shenjë dhembshurie.
Sepse Edi Rama gjithçka për të e kishte pjesë të axhendës së vet që nisi sapo mori pushtetin në vitin 2013.
Sepse Edi Rama ky antishqiptar, e do Shqipërinë pa shqiptarë. Dhe nëse ka ndonjë shqiptar që mashtrohet sot nga Rilindja se sot Shqipëria është në ditët më të mira, u them mos dëgjoni denoncimet e Sali Berishës dhe as ato të medieve ndërkombëtare, por dëgjoni ndërgjegjen dhe memorien tuaj.
Kujtoni se si vitin e parë në pushtet ai arrestoi 38 mijë shqiptarë të varfër për çështje civile dhe fill pas kësaj, realizoi kanabizimin e plotë të Shqipërisë me qëllim ndërtimin e narkoshtetit’, tha Berisha.
VIDEO/ Merr fjalën Berisha, kryeministria sulmohet me molotov
Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha ka marrë fjalën ne protestën kombëtare të organizuar nga opozita.
Por sapo ka marrë fjalën Berisha, selia e kryeministrisë është sulmuar me molotovë.
Dhjetëra molotovë janë hedhur në drejtim të hyrjes së selisë së qeverisë, por nuk kanë shkaktuar dëme.
“Të nderuar qytetarë, ruani qetësinë, ndërprisni sulmin me bomba molotov ndaj policisë dhe institucioneve. Organizatorët e protestës të marrin masa të largohen nga protesta personat e dhunshëm e të maskuar,” është kjo thirrja që po bëhet nga policia me altoparlantë.
Meta drejton gishtin nga Kryemadhi: Turp që nuk jeni në protestë, turp që mbështesni SPAK-un
Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ishte i pranishëm mbrëmjen e sotme përballë kryeministrisë ku mbajti një fjalë përpara protestuesve.
Meta që në nisje të fjalës së tij drejtoi gishtin nga qytetarët, opozitarët dhe nga vetë zonja Kryemadhi, të cilëve ju tha se duhet të kenë turp pasi nuk janë në protestë.
Sipsa tij çdo qytetarët që ankohet dhe nuk është në protestë duhet t’i vijë turp, ndërsa shtoi se turp duhet t’i vijë çdo opozitari që mbështet SPAK, duke nënkuptuar deklaratën e para pak javëve nga zonja Kryemadhi pasi doli nga institucioni i Prokurorisë së posaçme.
“Turp për ata që ankohen çdo ditë dhe nuk vijnë këtu për të përmbysur regjimin më kriminal. Turp për ata këshilltarë opozitarë që nuk janë atje përballë kryehajdutit të Tiranës.
Turp për ata opozitarë që nuk janë përballë çdo ditë ëprballë hajdutëve atje.
Turp për ata opozitarë që nuk janë përballë SPAK.
Turp për çdo opozitar që i bën fresk SPAK-ut. Duhet të bëhemi bashkë çdo ditë kundër këtij regjimi”, tha Meta.
Tubimi i opozitës, Budina: Protestat duhet të radikalizohen
Dhjetëra mijëra qytetarë i janë bashkuar thirrjes së opozitës për të protestuar mbrëmjen e sotme te Kryeministria kundër keqqeverisjes së Edi Ramës dhe kërkesës për lirimin e Kryetarit të PD-së, Sali Berisha nga arresti politik.
Në fjalën e tij para qytetarëve, aktori dhe regjisori, Edmond Budina u shpreh se sot protestojnë për vetën tonë, për familjet tona, protestojmë sepse ky pushtet e ka nëpërkëmbur qytetarin.
Budina u shpreh se protesta duhet të radikalizohen, se ndryshe nuk merr vesh kjo qeveri.
'Përshëndetje Shqipëria opozitare, përshëndetje qytetarëve që nuk e ulin kokën, qytetarëve që nuk janë indiferent dhe nuk kanë frikë, Sot protestojnë për vetën tonë, për familjet tona, protestojmë sepse ky pushtet e ka nëpërkëmbur qytetarin dhe e ka shkatërruar këtë vend si askush tjetër.
Po ju kujtoj skandalet e inceneratorëve, që na merr 80 milionë euro çdo ditë, deri tani 130 milionë eurove, ky është një hajdut, bashkë me bandën e tij. Ndaj ne jemi këtu, për ti thënë JO kësaj vjedhje, ne jemi këtu për të mbrojtur të drejtat tona.
Skandali i 5D që na merr 30 mln euro. Jo kësaj vjedhjeje, jo kësaj bande mafioze, jemi këtu për të mbrojtur të drejtat tona. S’është e thjeshtë të luftosh këtë pushtet, Rama s’e jep dorëhqejen, skandalet e tij vijojnë njëri pas tjetrit. Kanceri është fshehur në këtë godinë, duhet shkelur në qelizë që po i merr frymën vendit.
“Cfarë bën SPAK, drejtësia? Fut në burg cironka, peshkaqenët janë këtu duke vazhduar të vjedhin e pasurohen. SPAK hesht! Përkëdhel hajdutët dhe mban në burg liderin e opozitës’, tha Budina gjate fjales se tij.
VIDEO/ Meta i bashkohet protestës, mungon Kryemadhi
Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta i shoqëruar dhe nga anëtarit e Këshillit Kombëtar dhe drejtues të partisë, i janë bashkuar protestës në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.
Ai ka shkuar direkt e para kryeministrisë, ku pritet të mbajë dhe një fjalim.
Por prania e Metës, ka 'larguar' nga protesta ish-kryetaren e partisë, Monika Kryemadhi me të cilën prej javësh ka pasur përplasje, ndërsa janë dhe në proces divorci.
VIDEO-FOTO/ Pak para protestës së opozitës, policia gati me skafandra, protestuesit drejt kryeministrisë
Në orën 20:00, Partia Demokratike dhe opozita kanë thirrur një protestë që do të mbahet në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.
Dhjetëra furgonë policie dhe qindra efektivë janë vënë në gadishmëri për mbarëvajtjen e saj.
Siç edhe shikohet në pamjet e siguruar nga Versus.al, makinat e policësisë janë vënë në gadishmëri para kryeministrisë dhe anash saj, me qëllim që të mos lejohet ndonjë përballje.
Në protestën që pritet të nisë në orën 20:00, Policisë së Tiranës, janë angazhuar edhe efektivët e Repartit Shqiponja, si dhe ato të Ndërhyrjes së Shpejtë.
Më herët gjatë ditës, policia u ka bërë thirrje qytetarëve që të mos krijojnë përplasje dhe të qëndrojnë larg dhunës.
Opozita e drejtuar nga Partia Demokratike ka thirrur ditën e sotme një protestë kombëtare.
Me moton “Të bashkuar në betejë”, protesta kombëtare e opozitës u vendos të thirrje që pas marrjes së vulës dhe logos, nga grupi i drejtuar prej Sali Berishës.
Protesta ka si objektiv të saj, denoncimin e korrupsionit qeveritar dhe të bashkisë së Tiranës, si dhe kërkimin e ngritjes së një qeverie teknike para zgjedhjeve parlamentare të 2025. Gjithashtu një kërkesë tjetër e protestuesve ështe dhe lirimi i Sali Berishës, i cili është nën akuzë për çështjen 'Kompleksi Partizani'.
Sot protesta e thirrur nga Berisha pas marrjes së vulës! Opozita e përçarë kërkon qeveri teknike para zgjedhjeve
Mbrëmjen e sotme në orën 20:00 pritet të mbahet protesta e thirrur nga kryedemokrati Sali Berisha në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Prej ditësh, vetë Berisha dhe zyrtarë të PD kanë nisur përgatitjet për organizimin e protestës për të cilën ish-kryeministri tha se “duhet të jetë më e madhja që është organizuar ndonjëherë”.
Mëngjesin e ditës së sotme, Klevis Balliu dhe Belind Këlliçi u kanë bërë thirrje edhe njëherë mbështetësve të tyre që të jenë të pranishëm, ndërsa policia e shtetit ka njoftuar masat e ndërmarra për mbarëvajtjen e protestës duke bërë me dije se nga ora 18:00 deri në përfundim të protestës do të bllokohen disa rrugë.
“Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, sheshi “Nënë Tereza”, rruga “Ismail Qemali”, kryqëzimi i Rrugës së Elbasanit me rrugën “Ibrahim Rugova”, rruga “Papa Gjon Pali II”, bulevardi “Zhan D’Ark” dhe bulevardi “Bajram Curri”, nga kryqëzimi i Rrugës së Elbasanit me rrugën “Ibrahim Rugova”- do të jenë të bllokuara sipas njoftimit të policisë ku bëhet thirrje gjithashtu për distancimin e qytetarëve nga aktet që rrezikojnë sigurinë e tyre në tubim.
Kjo është protesta e parë kombëtare e thirrur nga Partia Demokratike që pas marrjes së vulës nga kryedemokrati Sali Berisha me datë 11 qershor. Demokratët kërkojnë qeveri teknike disa muaj para zgjedhjeve parlamentare 2025, ndërkohë që janë ende të paorganizuar me liderin e tyre historik në arrest shtëpie që prej dhjetorit të vitit të kaluar nën akuzën e korrupsionit për aferën e privatizimit të ish-kompleksit “Partizani”.
Ndërkohë edhe pjesa tjetër e opozitës nuk është në gjendjen e saj më të mirë, pasi partia aleate e dikurshme e Berishës, LSI, sot Partia e Lirisë, ka problemet e veta me drejtësinë, ndonëse kryetari i saj Ilir Meta prej kohësh përpiqet të ndezë flakën e dikurshme mes tij dhe Berishës. Nga ana tjetër ky i fundit prej muajsh po shpreh një indiferencë të paqartë ndaj ish aleatit me të cilin qeverisën 4 vite dhe bënë më shumë se 8 vite opozitë së bashku. Me sa duket llogaridhëniet në SPAK, i kanë detyruar dy liderët të shohin 'hallin e shtëpisë se vet'.
Por jo më pak vunerabël është dhe Partia e Lirisë, e përçarë dhe në “luftë për mbijetesë” pas përplasjes së çiftit Meta-Kryemadhi. Të gjithë u habitën jo pak pak javë më parë kur ish-presidenti e sulmoi publikisht bashkëshorten e tij dhe menjëherë më pas i kërkoi divorcin. Ndaj me siguri, pavarësisht thirrjes së Metës për t’ju bashkuar protestës, PL nuk do të ketë shumë “karburant” për t’i shtuar kësaj proteste e cila është paralajmëruar nga Berisha si më e madhja e viteve të fundit të organizuara nga opozita. Versus.al







