Çfarë do të gjeni në brendësi
*Në ditën e 35-të të protestës, dhjetëra mijëra shqiptarë kanë mbushur sheshin “Dëshmorët e Kombit” para kryeministrisë duke kërkuar dorëheqjen e kreut të qeverisë, Edi Rama. Mijëra shqiptarë të diasporës mbërritën sot në Shqipëri nga të gjitha anët e kufirit. *Protesta nisi me leximin e një deklarate nga ish-luftëtari i UÇK, Dritan Goxhaj i cili uroi SHBA-të për 250 vjetorin e pavarësisë duke i cilësuar si aleat strategjik dhe mik të çmuar për Shqipërinë. *Më pas në shesh pati simbolika të ndryshme mes të cilave edhe qirinj të ndezur në një tortë për Ramën i cili festoon sot 62 vjetorin. Në mbishkrimin e tortës, Ramës i kërkohej dorëheqja.
Historike! 35 ditë rezistencë në Tiranë, pamjet nga protesta madhështore e qytetarëve

Sot u mbushën plot 35 ditë nga protesta e vazhdueshme e qytetarëve shqiptarë të cilët kërkojnë ndryshimin e klasës politike në vend duke nisur nga dorëheqja e kryeministrit Edi Rama dhe krijimin e një qeverie teknike me afat 1 vjeçar.
Pamjet e filmuara me dron tregojnë numrin e madh të qytetarëve që mbushën Tiranën. Shqiptarë të diasporës dhe të ardhur nga rrethet protestuan paqësisht para kryeministrisë për të vijuar më pas marshimin e tyre si zakonisht. Versus.al
Mbyllet protesta madhështore para kryeministrisë, dhjetëra mijëra qytetarë nisin marshimin

Pas rreth 3 orësh është mbyllur protesta në sheshin para kryeministrisë dhe ashtu si herët e tjera, protestuesit nisën marshimin nëpër rrugët e Tiranës.
Duke kërkuar qeveri teknike dhe mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme, protestuesit u shprehën se nuk donin më që të drejtoheshin nga e njëjta klasë politike.
Kjo ishte protesta e 35-të radhazi e mbajtur nga qytetarët shqiptarë të cilët kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama. Ky i fundit ka deklaruar se diçka të tillë nuk e ka çuar ndërmend. Versus.al
“Jemi këtu që nënat të mos na përcjellin me lot në sy”, aktivistja: Shqipëri e re pa autokratë e oligarkë

Aktivistja Sidorela Vatnikaj e cila ishte në mesin e protestuesve që ditë më parë kallëzuan kryeministrin Edi Rama në SPAK për “Albanian Files” mbajti fjalën e saj mes dhjetëra mijëra qytetarëve të mbledhur duke kërkuar dorëheqjen e Ramës.
Ajo tha se në fytyrat e protestuesve shihte familjarët e saj që janë larguar nga Shqipëria për një jetë më të mirë.
“Në fytyrat tuaja shoh fytyrën e tim vëllai, student ekselent, që sot punon si punëtor ndërtimi në Nju Jork. Njëkohësisht shoh besim, shoh solidaritet për një Shqipëri të re që do ta ndërtojmë vetëm ne”, u shpreh ajo.
Ndërsa shtoi se Shqipëria e së ardhmes nuk duhet të dominohet nga autokratët dhe oligarkët.
“Sot në fytyrat tuaja shoh fytyrën e Shqipërisë së re, pa autokratin Edi Rama, pa oligarkë që na privatizojnë dhe pa pronarë mediash që ju shërbejnë.Jemi këtu që nënat tona të mos na përcjellin më me lot në sy. Kemi ikur për 36 vjet, nuk ikim më. Ikni ju”- shtoi Vatnikaj. Versus.al
“Diktatori i fundit”, protestuesit rrëzojnë bustin e improvizuar të Edi Ramës

Duke inskenuar të njëjtën skenë si në vitin 1991 kur u rrëzua busti i diktatorit Enver Hoxha, protestuesit sot e simbolizuan me kryeministrin Edi Rama.
Me mbishkrimin “diktatori i fundit” për “bustin” e improvizuar, protestuesit përdorën litar për ta rrëzuar duke e simbolizuar njëjtë me rrëzimin e Ramës nga pushteti.
Protesta vijon me fjalime dhe me numër tejet të madh qytetarësh të cilët kanë mbushur sheshin dhe kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit. Versus.al
“Pushteti ka mbyllur sytë”, aktori “Marko from Tropoja”: Mërgimi nuk është atdheu ynë, Rama jep dorëheqjen

Arben Bajraktaraj, aktori i njohur gjerësisht për rolin e tij në filmin “Taken” të vitit 2008 ku luajti si “Marko nga Tropoja”, mbajti fjalën e tij në protestën e sotme para kryeministrisë.
Ai tha se pushteti i ka mbyllur sytë e veshët, ndërsa i kërkoi Ramës që të jepte dorëheqjen si kryeministër. Mes të tjerash shtoi se qëllimi i tij dhe i shumë shqiptarëve të diasporës është që të kthehen në vend duke thënë se “mërgimi nuk është atdheu i tyre”.
“Për çdo ditë vrasin nga pak. Për çdo ditë vdes nga një grimë. Por vdekja ime nuk është e vërtetë, është e trishtueshme që n’këtë kohë fjalët e poetit Dervishi rezonojnë kaq shumë. 50 vjet dhunë, bollë më! Pushteti i ka mbyllur sytë, i ka mbyllur veshët. Veç gojën e ka lënë me dalë të përdalë. Rama jepe dorëheqjen! Lironi çunat! Bukë mos pastë, do nisemi. Mërgimi nuk është atdheu ynë!”- tha Bajraktaraj. Versus.al
Ditëlindja e Ramës, protestuesit i urojnë dorëheqjen: Merre edhe Saliun me vete

Ndërsa kryeministri Edi Rama festoon sot 62 vjetorin e lindjes, protestuesit kanë zgjedhur ta urojnë duke i kërkuar dorëheqjen dhe largimin nga skena politike së bashku me kryedemokratin Sali Berisha.
“Populli të uron: Jepe dorëheqjen! Merre edhe Saliun me vete”- shkruhet në tortën e sjellë nga protestuesit në shesh. Versus.al
"Amerika, vend mik dhe i çmuar për Shqipërinë", Goxhaj uron SHBA-të për 250 vjetorin e pavarësisë

Ish-luftëtari i UÇK, Dritan Goxhaj e mori fjalën sot me autorizim të grupit të organizatorëve të protestës për të uruar SHBA-të për 250 vjetorin e pavarësisë. Duke e cilësuar Amerikën si aleate të çmuar të kombit shqiptar, Goxhaj tha se deklarata e pavarësisë na kujton gjithashtu se pushteti nuk duhet të jetë pronë i një qeverie, por i popullit.
“Në emër të grupit organizator jam autorizuar prej tyre të lexoj këtë deklaratë. Sot në ditën e pavarësisë së SHBA-ve i urojmë popullit amerikan 250-vjetorin e pavarësisë së tyre. SHBA është një aleate strategjike e Shqipërisë dhe mike e çmuar e popullit shqiptar që ka qëndruar krah nesh në momentet më të rëndësishme të historisë sonë. Kujtojmë deklaratën e pavarësisë, se të gjithë njerëzit janë krijuar të barabartë dhe se qëllimi i qeverive është mbrojtja e lirisë dhe dinjitetit të qytetarëve.
Deklarata e pavarësisë na kujton gjithashtu se pushteti nuk është pronë e një qeverie, por një besim i dhënë nga qytetarët. Kur ky besim cënohet dhe të drejtat e njerëzve nuk mbrohen, shoqëritë demokratike kanë të drejtë të kërkojnë ndryshimin me mjete paqësore në përputhje me ligjin, këto nuk janë vetëm parime amerikane, por vlera universal mbi të cilat janë ndërtuar demokracitë moderne”- tha Goxhaj.
Ndaj Goxhajt vazhdimisht ka patur akuza nga socialisti Taulant Balla duke thënë se është i paguar nga Irani dhe se ka qenë mercenar në UÇK. Versus.al
Nis protesta e 35-të, mijëra protestues mbushin sheshin, shpaloset flamuri gjigand kuqezi

Me mijëra protestues kanë mbushur sheshin “Dëshmorët e Kombit” sot përpara godinës së kryeministrisë. Ashtu si në ditët e tjera edhe sot në ditën e 35-të, protesta nisi me himnin kombëtar dhe shpalosjen e flamurit gjigand kuqezi para kryeministrisë.
Teksa mijëra shqiptarë kanë mbërritur nga diaspora, protestuesit vijojnë të mblidhen para kryeministrisë ku kërkohet dorëheqja e kryeministrit Edi Rama. Versus.al
"Zoti ju begatoftë", gruaja e Altin Hilës falenderon shqiptarët që u sensibilizuan për djalin e paralizuar

Gruaja e Altin Hilës, protestuesit të arrestuar prej 2 ditësh nga policia foli për mediat ku falenderoi shqiptarët për shumën e 150 mijë eurove të mbledhura për djalin e saj të paralizuar.
Ajo kërkoi lirimin sa më të shpejtë të bashkëshortit të saj duke thënë se nuk mund t’ja dilte e vetme me dy fëmijët dhe se i ishte dashur edhe të linte punën.
“Kam dalë për bashkëshortin tim sepse e kanë burgosur pa të drejtë. Ka ardhur këtu me qëllimin e fëmijës, ka bërë protestë që prej ditës së parë e deri tani. Unë jam bashkëshortja dhe kërkoj lirimin sa më të shpejtë. Unë nuk mund t’ja dal e vetme sepse jam me 2 fëmijë dhe së fundmi më është dashur të lë punën”- tha ajo duke shtuar: “I falenderoj të gjithë shqiptarët, kanë bërë një mrekulli për fëmijët e mi dhe për mua si nënë se kemi vuajtur shumë. Shqiptarët kurdo kur bëhen bashkë, i falenderoj pa masë. Zoti i shpërbleftë dhe i begatoftë”. Versus.al
"M'u thaftë ajo dorë që të kam votuar", shqiptari i diasporës: Rama të dorëhiqet, e mbushi vendin me indianë

Në pritje të nisjes së marshimit për protestën e 35-të, njëri prej shqiptarëve të diasporës teksa foli për mediat kërkoi dorëheqjen e parevokueshme të kryeministrit Edi Rama.
Ai tha se në të kaluarën e kishte votuar dhe ishte penduar shumë.
“Vij nga diaspora jam nga Vlora. Dua t’i them Ramës e Ballës që na etiketojnë si korba e sorra, nuk jemi të tillë. Jemi shqiptarë, kërkojmë jetën tonë të mohuar nga këta kriminelë që na kanë sunduar për 13 vite. Dikur të kam votuar, po jam penduar. Mu thaftë ajo dorë që kam votuar për ty kriminel. Sot votën time e revokoj dhe kërkoj dorëheqjen tënde me çdo kusht. Në rast se nuk e jep dorëheqjen, populli dotë marrë zvarrë, do të tërheqë forcërisht”- tha ai.
Ndërsa shprehu zhgënjim për situatën në Shqipëri duke thënë se në asnjë vend tjetër nuk ishte prioritet punësimi i indianëve apo filipinezëve para qytetarëve të vetë.
“Jam i zhgënjyer sepse jam në kurbet dhe nuk kthehem dot në vendin tim ku fëmijët tanë të rriten këtu. Djali im nuk kthehet dot të punojë këtu sepse zyrat e punës janë të impenjuar të punësojnë indianët e filipinasit. Është mbushur vendi me indianë, i paparë në asnjë vend të botës. Jetoj në Itali, nuk shohim një lloj emigracioni të tillë të organizuar nga vetë shteti”- shtoi më tej qytetari. Versus.al
Sot protesta e 35-të për dorëheqjen e Ramës, diaspora zbarkon në Tiranë! Mijëra automjete hyjnë në vend
Sot në Tiranë mbahet protesta e 35-të radhazi ku kërkohet anulimi i ligjit të ndërtimeve në zonat e mbrojtura, dorëheqja e kryeministrit Edi Rama dhe zgjedhje të parakohshme me një qeveri teknike.
Ashtu siç ishte paralajmëruar, në pikat kufitare të vendit gjatë orëve të fundit kanë hyrë mijëra automjete të shqiptarëve të diasporës të cilët kanë protestuar edhe në shtetet ku ndodhen duke kërkuar dorëheqjen e Ramës.
Në 3 ditët e fundit, ka patur tensione mes një grupi protestuesish që kishin zgjedhur të protestonin para Kuvendit dhe forcave të policisë që po mbronin deputetët. Pas përplasjeve të dhunshme gjatë protestave në paradite, 19 persona u arrestuan dhe 12 të tjerë u proceduan penalisht.
Ndërkohë, kryeministri Edi Rama pavarësisht kërkesave të vazhdueshme nga qytetarët për të dhënë dorëheqjen, ka thënë se nuk e çon ndërmend diçka të tillë duke nënvizuar edhe se zgjedhjet e ardhshme mbahen në vitin 2029. Versus.al

