Çfarë do të gjeni në brendësi
*Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot një takim me zyrtarë shtetërorë të administratës publike. Gjatë fjalës së tij ai tha se me rëndësi në një shtet, nuk është se cili do të jetë kryeministri, por sesa funksional është sistemi i ndërtuar ndër vite. *Teksa tha se sistemi i administratës shtetëror është funksional, Rama foli edhe për korrupsionin duke thënë se për herë të parë në historinë e shtetit shqiptar, sistemi po lufton këtë vepër penale. *Mes të tjerash duke treguar historinë e nënës së një shokut të tij e cila kishte dalë në protestë, Rama e vuri fajin tek zemërimi që njerëzit kanë tek administrata dhe mjekët.
“Nëna e një shokut tim doli në protestë”, Rama: Shkak zemërimi nga administrata dhe mjekët

Kreu i qeverisë Edi Rama gjatë një takimi me punonjës të administrarës foli sërish për protestën që vijon prej më shumë se një muaji para qeverisë. Ai tregoi sesi një prej shokve të tij i kishte thënë se e ëma kishte dalë në protestë. Sipas Ramës shkak për daljen e saj në protestë është bërë fyerja nga administrata apo mjekët prej të cilëve ajo merr trajtim në poliklinikë.
“Nëna e një shokut tim, asi është pak më i ri se unë, ajo është gjyshe, kishte dalë në protestë. Ishte kthyer në shtëpi shumë i alarmuar dhe e pyet të ëmën: çfarë bëre tin ë protestë? E ëma i tregon atë që është besoj unë duke parë edhe episode të tjera që po i mbledhim, thelbin e zemërimit të shumë njerëzve me administratën shtetërore. Për arsye të një natyre shëndetësore, asaj i duhet të shkojë në mënyrë periodike në poliklinikë dhe duke qenë se si ajo ka edhe të tjerë që e dinë si praktikë që ka mjeku që duhet të kujdeset për ta, njerëzit shkojnë që në orën 5 të mëngjesit sepse presin që mjeku të vijë dhe shpresojnë që duke qenë përpara në radhë, ai të ketë mundësi t’i shohë. E para mjeku nuk vjen në orar, e dyta mjeku nuk rri deri në fund të orarit, por pasi trajton 3-4 prej tyre, ikën. Kjo grua në moshë del në protestë sepse është e fyer”- tha Rama. Versus.al
"Sistemi po lufton korrupsionin", Rama: Nuk ka përse të kërkohet gijotina, duhet balancë pushtetesh

Kryeministri Edi Rama mbajti sot në takim me punonjës të administratës në eventin e Edicionit të Tretë të Javës së Administratës Publike. Ndërsa foli edhe për protestën, Rama tha se ai përpiqet të shohë realitetin e institucioneve në përditshmëri.
Sipas tij, sistemi që ka ndërtuar qeveria e tij funksionon pasi për herë të parë po luftohet korrupsioni.
“Fiks ajo që po ndodh sot në Shqipëri dhe që humbet në mjegullën dhe tymin e shumë gjërave që bëmë bashkë është që sistemi për herë të parë po lufton me korrupsionin. Pra është komplet e kundërta që thuhet badihava. Sistemi po lufton korrupsionin dhe voluntarizmi këtu dhe atje. Gjë që natyrisht është shumë e dhimbshme, është njësoj si një therje në sytë e të gjithëve që krijojnë turbulli e neveri, krijon ndjenjën e pisllëkut. Sepse faktikisht kjo gjë po ndodh, po hyhet aty nuk është hyrë kurrë që nga krijimi i shtetit shqiptar. Kjo nuk është një arsye për të kërkuar gijotinën sepse të gjitha sistemet që në fund përfunduan në ferr për popujt që u ekzaltuan nga ideja e drejtësisë së aty për atyshme dhe që shkuan tek plumbi ballit dhe gijotina, na kanë mësuar që kjo e demokracisë dhe e balancimit të pushteteve dhe ndërtimin e një sistemi që mbron gjithkënd, është e vetmja rrugë për të garantuar brezat”- tha Rama. Versus.al

