AKTUALITET /

"Fabrikë" kanabisi me mijëra bimë narkotike në tokë shtetërore, procedohen 3 zyrtarë të zonave të mbrojtura në Fier

Zyrtarët e proceduar akuzohen për shpërdorim detyre.

Shkruar nga Versus
"Fabrikë" kanabisi me mijëra bimë narkotike në
Bima narkotike e sekuestruar

Policia e Fierit ka goditur së fundmi një veprimtari të kultivimit të kanabisit në Divjakë. Kontrollet nga ajri zbuluan se në vendin e quajtur "Rezervuari i Divjakës" në një tokë shtetërore, ishte ngritur një ambient i përshtatur për tharjen dhe përpunimin e kanabisit. 

Në këtë ambient u gjetën 37 kilogramë lëndë e dyshuar narkotike kanabis në proces tharjeje dhe 7 kilogramë lëndë e dyshuar narkotike kanabis në formë boçesh. 1426 bimë kanabisi u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, me qëllim kryerjen e ekspertimit.

Për pasojë, ka nisur procedimi në gjendje të lirë për 3 punonjës të Administratës Rajonale të Zonave të Mbrojtura në qarkun Fier: E. T., 33 vjeç, me detyrë përgjegjës sektori, F. H., 37 vjeç, me detyrë specialist menaxhimi dhe G. A., 53 vjeç, me detyrë roje.

Ndërkohë policia vijon punën për identifikimin dhe kapjen e autorëve të kultivimit të drogës. Versus.al

 
Poll