Çfarë do të gjeni në brendësi
Protesta 1 mujore në Tiranë ka patur zhvillim krejt tjetër nga ajo e ditëve të tjera. Një banderolë e vendosur në fasadën e Universitetit Politeknik zhvendosi për pak minuta protestën në ambientet e brendshme ku disa studentë ishin kyçur nga roja e godinës dhe u ishte marrë banderola ku shkruhej “Ju erdhi fundi”. Pasi liruan studentët dhe morën banderolën, protestuesit dolën nga godina dhe iu bashkuan turmës në shesh. Ndërkohë protestës së sotme i janë bashkuar dhe 6 eurodeputetë të cilët inkurajuan protestuesit që të vazhdonin protestën ndërsa i bënë thirrje Ramës t’i dëgjojë kërkesat e tyre.
Zv/presidenti i PE vendos kartmonedhën tek daullja që shoqëron marshimin e protestuesve

Mes turmës së protestuesve që kanë nisur marshimin në rrugët e kryeqytetit, janë dhe 6 eurodeputetët e Parlamentit Evropian, të cilët mbajtën fjalime gjatë protestës së sotme në sheshin para Kryeministrisë.
Zv/presidenti i PE, eurodeputeti rumun, Nicolae Stefanuta, me qeleshe në kokë, i është afruar djalit që shoqëron marshimin me daullen e tij, ku ka vendosur një kartmonedhë 500 lek.
Eurodeputetët premtuan se do ta ndiqnin çështjen në Bruksel për të ngritur zërin e drejtë të protestës shqiptare.Versus.al
“Rama jepe dorëheqjen”, nis marshimi në rrugët e Tiranës. Protestuesit paralajmërojnë tubim nesër paradite tek Kuvendi

Është mbyllur pas më shumë se 2 orësh, protesta 1 mujore e mbajtur në sheshin para Kryeministrisë.
Protestuesit, me pankarta në duar dhe duke thirrur “Ju erdhi fundi”, kanë nisur marshimin në rrugët e kryeqytetit.
Më herët, organizatorët njoftuan se do të mbajnë nesër paradite një tubim para Kuvendit ku do të mbahet seanca plenare e së enjtes.
Ata kanë kërkuar dorëheqjen e qeverisë dhe plotësimin e 5 kërkesave të tyre politike.
Në protestën e 30-të morën pjesë dhe 6 eurodeputetë të cilët dhanë mesazhe inkurajuese për protestuesit. Gjithashtu ata i bënë thirrje Ramës të dëgjojë kërkesat e protestuesve.Versus.al
“Albania is not for sale”/ 6 eurodeputetë inkurajojnë protestuesit: Vijoni me mobilizimin, fjala juaj do të shprehet edhe në Bruksel

Në protestën 1 mujore kundër qeverisë, janë të pranishme dhe 5 eurodeputete të Parlamentit Evropian, Tineke Strik, Daniel Freund, Cristina Guarda, Jutta Paulus dhe Anna Strolenberg, të ardhur nga Gjermania, Holanda dhe Italia.
Eurodeputetët kanë inkurajuar protestuesit duke theksuar se ata duhet të vijojnë me mobilizimin dhe se fjala e tyre do të shprehet edhe në Bruksel.
Eurodeputetja holandeze Tineke Strik shprehu mbështetjen e saj të plotë për kauzën e qytetarëve shqiptarë.
Ajo vlerësoi qëndresën popullore dhe garantoi se zëri i tyre do të dëgjohet edhe në institucionet europiane në Bruksel.
“Solidaritet me popullin shqiptar që proteston. Vijoni me mobilizimin në protestë, fjala juaj do shprehet edhe në Bruksel. Do luftojmë për të njëjtat vlera si shqiptarët, për demokraci”, deklaroi eurodeputetja.
Eurodeputetja gjermane Jutta Paulus në fjalën e saj tha se, "ne jemi këtu për t’ju mbështetur në këtë betejë dhe do përcjellim zërin tuaj në Bruksel dhe do themi se Shqipëria nuk është në shitje, natyra nuk është në shitje".
"Po luftoni për vendin tuaj, por edhe për të drejtat tuaja, për t’u dëgjuar. Sepse kjo është në ligjet evropiane. Nëse Shqipëria do bashkohet me BE, që ju e meritoni kaq shumë, atëherë qeveria juaj duhet të ndryshojë ligjin, duhet të heqë ligjin që kanë ndryshuar për miliarderët dhe që nuk e bënë për të mirën e shqiptarëve, por vetëm për xhepat e tyre dhe miqtë e tyre! Faleminderit për këtë protestë edhe pse qeveria kërkon t’ju intimidojë dhe t’ju largojë nga të drejtat tuaja", tha eurodeputetja gjermane.
Eurodeputetja greke Vula Tsetsi tha gjatë fjalës së saj se, qëndresa shqiptare tashmë ka marrë vëmendje ndërkombëtare dhe bëri thirrje për presion të shtuar ndaj kryeministrit Edi Rama.
“Sot keni 30 ditë protestë dhe prej jush ajo që po ndodh nuk njihet vetëm në BE, por edhe më gjerë dhe urime! Çdo gjë që kërkoni është falë jush, sepse nuk mbroni vetëm natyrën tuaj. Shqipëria nuk është në shitje! Ju po mbroni të drejtat tuaja, dinjitetin tuaj, shtetin tuaj, zgjerimin në BE”, u shpreh Tsetsi.
Eurodeputetja Anna Strolenberg i është drejtuar drejtpërdrejt Ramës me një thirrje të fortë e të qartë për të dëgjuar zërin e popullit.“Edi Rama, a po na dëgjon? Ai duhet të dëgjojë, kërkesat janë të qarta: mos u ngatërro me shqiptarët, lufto korrupsionin dhe mbro natyrën!”, tha eurodeputetja.
Kurse eurodeputeti rumun, Nicolae Stefanuta, si zv/presidenti i Parlamentit Evropian, tha se ishte 9 vjeç kur pa Çausheskun të rrëzohej.
"Ju pritët 30 vite derisa Enver Hoxha u rrëzua. Por tani nuk keni pse të prisni sërish aq gjatë. Mjaft me këtë korrupsion, mjaft me këtë tranzicion, mjaft me këtë diktaturë", tha zv/presidenti i PE.

FOTO-LAJM/ “Ju erdhi fundi”, studentët dhe protestuesit rikthejnë banerin e hequr nga policia në fasadën e Politeknikut

Pas disa minutat tensione brenda ambienteve të Politeknikut, studentë të këtij universiteti, së bashku me dhjetëra protestues kanë rigjetur banerin e fshehur dhe e kanë shpalosur sërish në ambientet e jashtme të godinës së Korpusit Universitar.
Dhjetëra të rinj, janë shfaqur në ballkonin e godinës, teksa mbajnë në duar banderolën.
Ky zhvillim ka gjetur pasqyrim dhe në mediat e huaja.
Tensione në ambientet e Politeknikut, sttudentët që vendosën banerin u kyçën nga roja i Universitetit. Protestuesit thyejnë derën

Vijojnë tensionet brenda godinës së Universitetit Politeknik të Tiranës, ku protestues të shumtë i janë bashkuar studentëve të këtij universiteti që vendosën banderolën “Ju erdhi fundi”.
Mësohet se roja e godinës kyçi studentët në katin e fundit dhe mori banderolën gjigante me mbishkrimin "Ju erdhi fundi", gjë që ka sjellë reagimin e protestueve.
Ata, për këtë arsye, iu drejtuan Korpusit universitar për të liruar studentët e mbyllur.
Protestuesit u ngjitën në katin e fundit të godinës dhe hapën derën me forcë duke nxjerrë studentët jashtë.
Por banderola nuk gjendet dhe protestuesit deklarojnë se nuk do të largohen deri në vendosjen sërish të tij në godinën e Universitetit Politeknik.Versus.al
FOTO/ Protesta e 30-të kundër qeverisë, zbulohet baneri i studentëve: "Ju erdhi fundi"

Ka nisur këtë mbrëmje protesta e 30-të qytetare kundër qeverisë, e cila zhvillohet në sheshin para Kryeministrisë.
Qytetarë të shumtë u grumbulluan si zakonisht në sheshin ‘Skënderbej’, për të vazhduar marshimin në bulevard drejt Kryeministrisë.
Gjatë marshimit pranë ‘Fan Zone’, ata u kanë bërë thirrje tifozëve të bashkohen me ta në protestë.
Në nisje të fjalimeve, një baner "Studentët: Ju erdhi fundi!" ishte vendosur në godinën e Korpusit Universitar. Versus.al
1 muaj protestë/ Qytetarët mblidhen në shesh, kërkohet largimi i Ramës e Berishës nga skena politike

Sot mbushet 1 muaj nga protesta qytetare e cila nisi më 29 maj kundër projektit turistik të Zvërnecit dhe më pas u shndërrua në një lëvizje kundër gjithë klasës politike 36-vjeçare.
Me mijëra qytetarë janë mbledhur çdo mbrëmje në sheshin “Skënderbej” për të marshuar më pas në Bulevardin e Madh “Dëshmorët e Kombit” drejt Kryeministrisë.
Edhe këtë mbrëmje, qytetarë të shumtë me pankarta në duar, kanë thirrur në kor togfjalëshin e njohur “Rama n’burg, Berisha n’burg” dhe “Rama jepe dorëheqjen”.
Kërkesat e protestuesve tashmë janë publike dhe ndër të tjera renditen 5 më kryesoret:
1.Dorëheqjen e panegociueshme të kryeministrit dhe të gjithë qeverisë.
2.Krijimin e një qeverie teknike tranzitore për jo më pak se 12 muaj.
3.Ndryshime kushtetuese dhe miratimin e tyre me referendum, ku përfshihet ndryshimi i Kodit Zgjedhor, që sipas tij ka marrë peng vendin që prej vitit 2008.
4.Ndryshime në ligjin për financimin e partive politike, pasi sipas deklaruesit, përmes tij financohen nga paraja e krimit dhe drogës.
5.Kufizimi i ushtrimit të detyrës së kryeministrit në jo më shumë se dy mandate.
Po ashtu, kërkohet anulimi i ndryshimeve në ligjin për zonat e mbrojtura, anulimin e ndryshimeve në ligjin për trashëgiminë kulturore, shfuqizimin e “Paktit të Maleve” dhe statusit të investitorit strategjik.Versus.al

