Live Updates /

'Flasim'/ Nafta u rrit sërish, Rama: Bordi i Transparencës nuk vepron arbitrarisht! Zgjedhjet vendore, kryeministri: Do të jetë fitore shembullore e PS-së

Kryeministri Rama në podcastin “Flasim” foli për një sërë çështjesh, duke përfshirë reformat qeveritare, zhvillimin ekonomik, investimet e huaja, çmimin e naftës dhe aksionin për lirimin e hapësirave publike në vend.

Shkruar nga Versus

Çfarë do të gjeni në brendësi

Kryeministri Rama në podcastin “Flasim” foli për një sërë çështjesh, duke përfshirë reformat qeveritare, zhvillimin ekonomik, investimet e huaja, çmimin e naftës dhe aksionin për lirimin e hapësirave publike në vend.

4 Postime
1 ORE ME PARE

Zgjedhjet vendore, Rama: Ka nisur cikli i takimeve në qarqe, do të jetë fitore shembullore e PS

'Flasim'/ Nafta u rrit sërish, Rama: Bordi i Transparencës
Edi Rama

Kryeministri Edi Rama, në podcastin “Flasim”, ka folur për zgjedhjet e ardhshme vendore dhe organizimin e Partisë Socialiste në terren, duke bërë të ditur se do të nisin një seri takimesh në të gjitha qarqet e vendit.

Rama u shpreh se ky proces synon komunikim më të drejtpërdrejtë me qytetarët dhe trajtimin e problematikave në nivel lokal, si dhe prezantimin e punëve të nisura dhe atyre që pritet të fillojnë në mandatin e katërt qeverisës.

“Ne e nisim me kohë atë që do të jetë fitorja e ardhshme shembullore e Partisë Socialiste”, deklaroi kryeministri, duke theksuar se në këto takime do të dëgjohen shqetësimet e qytetarëve dhe do të diskutohen sfidat e përbashkëta.

Ai shtoi se cikli i takimeve në terren do të shërbejë për të forcuar komunikimin me komunitetet dhe për të adresuar çështje që lidhen me zhvillimin e vendit, ndërsa përgjegjësia kryesore për zgjidhjen e tyre, sipas tij, i takon qeverisë.

Kryeministri Rama: Dhe në mbyllje të shënimeve, dua të nënvizoj se kemi hyrë tanimë në një fazë të re komunikimi më të drejtpërdrejtë dhe natyrisht në të gjithë territorin, ku do të angazhohemi me një cikël takimesh me komunitetet në të gjitha qarqet për të folur për këtë moment të rëndësishëm të vendit, për punët që kanë nisur në këtë mandat të katërt, për punët që do të nisin së shpejti dhe natyrisht për të dëgjuar njerëzit.

Dhe në funksion të organizimit, që si gjithmonë ne e nisim me kohë për atë që do të jetë fitorja e ardhshme shembullore e Partisë Socialiste vitin e ardhshëm në zgjedhjet vendore.

Në këto takime do të flasim për punët e Shqipërisë, do të flasim për çka po ndërtojmë, do të flasim për çka shohim si pengesa për t’u kapërcyer.

Do të flasim për gjithçka që njerëzit do të duan të ndajnë me ne apo duan të dëgjojnë nga ne. Dhe patjetër do të ndajmë me njerëzit ato që janë sfida tërësisht të përbashkëta, ku natyrisht përgjegjësia kryesore i takon, dhe s’ka sesi të jetë tjetër, qeverisë.Versus.al

 

1 ORE ME PARE

'Flasim'/ Lirimi i hapësirave publike, Rama: Luftë me një mentalitet të rrënjosur, në Tiranë janë çliruar 140 mijë metra katrorë

'Flasim'/ Nafta u rrit sërish, Rama: Bordi i Transparencës
Edi Rama

Në podcastin “Flasim”, kryeministri Edi Rama ka folur për aksionin e qeverisë për lirimin e hapësirave publike, një proces që sipas tij po vijon prej muajsh në të gjithë vendin.

Rama u shpreh se vetëm në Tiranë janë çliruar rreth 140 mijë metra katrorë hapësirë publike, duke theksuar se ky nuk është një aksion i përkohshëm, por një angazhim i vazhdueshëm për të vendosur rregull në përdorimin e hapësirave të përbashkëta.

Ai tha se procesi po përballet me një “mentalitet të rrënjosur”, ndërsa shtoi se ndërhyrje të forta janë bërë edhe në zona të ndryshme të kryeqytetit.

Sipas tij, aksioni po shtrihet edhe në zonat rurale dhe ato me potencial turistik, ku synohet ndalimi i ndërtimeve pa leje dhe zaptimeve të hapësirave publike.

Rama theksoi gjithashtu se po punohet për modele të reja urbanistike dhe një rregullore të përgjithshme, ku sipas tij parimi bazë do të jetë që 70% e hapësirës t’i mbetet publikut dhe komunitetit, ndërsa 30% përdorimit privat.

Kryeministri Rama: 

Vazhdon, vazhdon, vazhdon me këmbëngulje lirimi i hapësirave publike dhe imponimi i një statusi të ri të hapësirës publike. Nuk është e lehtë. Është lufta me një mentalitet të rrënjosur, mesa duket ende më thellë sesa këto 30 e kusur vite. Mesa duket, i kombinuar edhe me mentalitetin e përpara kohës kur hapësirat publike ishin hapësirat e një shteti unik në një diktaturë të ashtuquajtur të proletariatit, ku proletarët i kishin të gjitha me fjalë dhe i kishin të gjitha bashkë, por s’kishin absolutisht asgjë.

Në ndërkohë që procesi, siç e kam thënë qysh në krye të herës, mbasi kemi fituar mandatin e katërt, nuk është një proces i përkohshëm, nuk është një aksion i një jave, një muaji, dy muajsh, por është një angazhim i vazhdueshëm, i vazhdueshëm, i vazhdueshëm për të rivendosur rregullin në përdorimin e hapësirave të përbashkëta.

Vetëm në Tiranë, ku janë identifikuar shumë problematika që lidhen me zaptime hapësirash publike, janë çliruar 140 mijë metra katrorë, që nuk janë pak, ndërsa në zona si, për shembull, zona këtu në qendër, janë ndërmarrë edhe ndërhyrje shumë të forta për të siguruar çlirimin e hapësirave publike.

Ajo që ka rëndësi të thuhet është se në të njëjtën kohë po shtrihemi edhe në zonat e banuara rurale, po shtrihemi edhe në zonat që, natyrisht, dhe pikërisht pse janë zona me interes turistik, nuk mund të jenë pika ku hidhen inerte e ku ngrihen ngrehina të pakuptimta pa leje dhe paralelisht po ecim me modelet e reja që do të zëvendësojnë ato të vjetrat në bazë të studimeve të bëra nga arkitektë dhe në bazë të punës së bërë nga bashkia, si dhe përfundojmë rregulloren e përgjithshme mbi bazën e së cilës pastaj të gjithë ata që funksionojnë në sipërmarrjen që lidhet me shfrytëzimin e hapësirës publike do të kenë të qartë se ku janë kufijtë e tyre.

Dhe faktikisht, parimi i thjeshtë do të jetë 70 me 30% i një hapësire, ku 70% do të jetë gjithmonë i publikut, do të jetë gjithmonë i komunitetit, do të jetë gjithmonë i atyre që ecin në këmbë.Versus.al

1 ORE ME PARE

Rama për çmimin e naftës: Bordi i Transparencës nuk vepron arbitrarisht, por ndjek bursën ndërkombëtare

'Flasim'/ Nafta u rrit sërish, Rama: Bordi i Transparencës
Edi Rama

Kryeministri Edi Rama, gjatë fjalës së tij në podcastin e së dielës “Flasim”, ka deklaruar se Bordi i Transparencës nuk përcakton në mënyrë arbitrare çmimin e naftës, por vepron në përputhje me lëvizjet e tregjeve ndërkombëtare, duke synuar mbrojtjen e konsumatorëve dhe garantimin e furnizimit.

Rama u shpreh se sipas të dhënave të bursës së Mesdheut, ditët e fundit është regjistruar një ulje e çmimeve të nënprodukteve të naftës dhe, në përputhje me këtë zhvillim, edhe në Shqipëri është reflektuar një ulje e çmimeve nga Bordi i Transparencës.

Ai theksoi se ky mekanizëm synon të shmangë abuzimet në treg dhe të vendosë një balancë mes çmimeve ndërkombëtare dhe mbrojtjes së konsumatorit vendas.

“Bordi nuk vendos çmimin e naftës arbitrarisht, por mbikëqyr lëvizjet në treg dhe nuk lejon abuzime ndaj konsumatorëve”, u shpreh Rama.

Sipas tij, roli i Bordit është të sigurojë transparencë dhe të ndërhyjë kur operatorët nuk respektojnë rregullat, deri në masa ndëshkuese në raste shkeljesh.

Rama shtoi se mekanizmi do të vijojë të funksionojë në mënyrë transparente, duke ndjekur zhvillimet në tregjet ndërkombëtare dhe duke mbrojtur konsumatorët nga çdo abuzim i mundshëm.

Kryeministri Rama: 

Ajo që është e rëndësishme të kuptohet është se ky mekanizëm lidh drejtpërdrejt çmimet në Shqipëri me lëvizjet në tregjet ndërkombëtare dhe jo me vendime të njëanshme të operatorëve vendas.

Kjo do të thotë që, në varësi nga lëvizja e çmimit në bursë, bordi qëndron vijimësisht në anën e konsumatorëve, e drejtuesve të mjeteve, e qytetarëve dhe ruan kufijtë e qartë mes çmimit të rritur objektivisht si rezultat i lëvizjes në tregun ndërkombëtar, prej ku edhe importohet nafta në Shqipëri, dhe, nga ana tjetër, abuzivitetit që, në këto raste, nëse gjen shesh, bën gjithmonë përshesh.

E theksoj edhe njëherë, Bordi nuk vendos çmimin e naftës arbitrarisht, nuk ul çmimin e naftës duke vënë në rrezik vetë kapacitetet e furnizimit, por thjesht dhe vetëm mbikëqyr lëvizjen e çmimit dhe nuk u lejon operatorëve që të luajnë pas kurrizit të konsumatorëve.

Deri tani duket se gjithçka funksionon ashtu siç duhet, por do të bëjmë çmos që, deri në përfundim të kësaj situate që nuk varet aspak nga ne, gjithçka të jetë transparente dhe asgjë e tepërt të mos cenojë konsumatorët./Versus.al

1 ORE ME PARE

Edicioni i dytë i MatchMaker Albania, Rama në podcastin “Flasim”: Shqipëria me 12 milionë turistë dhe 1.5 miliardë euro investime të huaja në vit

'Flasim'/ Nafta u rrit sërish, Rama: Bordi i Transparencës
Edi Rama

Kryeministri Edi Rama, në shënimet e javës të paraqitura në podcastin “Flasim”, ka folur për edicionin e dytë të “MatchMaker Albania” dhe rritjen e interesit për investime në vend.

Rama tha se aktiviteti mblodhi rreth 1200 pjesëmarrës dhe afro 500 investitorë ndërkombëtarë nga më shumë se 40 shtete, duke krijuar mundësi konkrete bashkëpunimi mes sipërmarrjeve dhe projekteve të ndryshme.

Sipas tij, në këtë edicion është vënë re një rritje e qartë e interesit për Shqipërinë si destinacion investimesh, ku kompani të njohura ndërkombëtare nuk janë më vetëm me prezencë simbolike, por me angazhim real në treg.

“Shqipëria nuk është më një vend me potencial për të ardhmen, por një vend ku e ardhmja është sot”, u shpreh Rama, duke theksuar ndryshimin e modelit ekonomik të vendit.

Ai deklaroi gjithashtu se vendi ka kaluar nga një ekonomi e bazuar në kosto të ulët pune, në një model që synon vlerë të shtuar dhe partneritete afatgjata.

Në shifrat e prezantuara, Rama theksoi se Shqipëria aktualisht numëron rreth 12 milionë turistë në vit dhe mbi 1.5 miliardë euro investime të huaja direkte, duke e cilësuar vendin si një nga ekonomitë me transformimin më të madh në rajon gjatë dekadës së fundit.

Kryeministri Rama: 

Këtë javë u zhvillua edicioni i dytë i MatchMaker Albania, një aktivitet që mbledh rreth 1200 pjesëmarrës, afro 500 investitorë ndërkombëtarë nga më shumë se 40 shtete dhe krijon kësisoj një mundësi reale në një hapësirë konkrete, ku idetë, projektet dhe synimet për të krijuar sinergji në funksion të bashkëpunimit për të investuar në Shqipëri marrin formë përmes qindra e qindra takimeve të drejtpërdrejta mes përfaqësuesve të sipërmarrjeve të ndryshme, që pikërisht ky aktivitet u mundëson të njihen konkretisht me projektet e njëri-tjetrit apo me projekte të cilat presin partneritete të reja, si nga sektori publik ashtu edhe nga ai privat.

Dhe ajo që u ndje e qartë edhe në këtë edicion të dytë ishte rritja e interesit, rritja e mundësive reale të konkretizueshme në bazë të interesit reciprok, që kthehet pastaj në angazhim dhe prania e plotë e kompanive të njohura ndërkombëtare, që nuk janë në Shqipëri më thjesht për një prezencë simbolike apo të rastësishme, por që janë në Shqipëri sepse Shqipëria shihet gjithnjë e më seriozisht si destinacion për investitorët.

Kjo lidhet drejtpërdrejt edhe me çka unë theksova në fjalën time në hapjen e këtij edicioni të dytë të MatchMaker Albania, se Shqipëria nuk është më në fazën ku prezantohet si një vend me potencial për të ardhmen, por është në një fazë të re ku e ardhmja është sot.

Dhe ajo çka mund të thuhet me plot gojën është se tanimë modeli që ne trashëguam kur erdhëm në qeveri, një ekonomi e bazuar në koston e ulët të krahut të punës, i ka lënë vendin një modeli që krijon vlerë të shtuar, që krijon cilësi dhe partneritete afatgjata të qëndrueshme.

Modeli i dikurshëm, që ishte modeli i një vendi me dy-tre milionë turistë, ku për turistë numëroheshim edhe ne shqiptarët sa herë hynim dhe dilnim, dhe me 300-400 milionë euro investime të huaja në vit mesatarisht, i ka lënë vendin një tjetër modeli në një vend që ka 12 milionë turistë në vit dhe ka kapërcyer shifrën e 1.5 miliardë eurove investime të huaja në vit, duke u renditur qartësisht në klasifikimin e vendeve të këtij rajoni si vendi me transformimin më të madh dhe më të thellë të dekadës së fundit.Versus.al

Tags:

edi rama

Poll