
Gjatë ditës së sotme, kontejnerët me mbetje toksike të Kurum që ndodheshin në zonën e sektorit janë zhvendosur pranë fshatit Vrinas, në një hapësirë tjetër, pas kërkesave të banorëve të zonës për largimin e tyre.
Ngjarja lidhet me një rast të bujshëm të verës së vitit të kaluar, kur 102 kontejnerë të nisur nga Porti i Durrësit u kthyen mbrapsht nga Malajzia, pas dyshimeve se përmbanin rreth 2100 ton mbetje të rrezikshme.
Kontejnerët mbërritën në Durrës në fund të tetorit 2024.
Pas kthimit, ato u vendosën në një ambient privat në zonën e Porto Romanos, ku janë ruajtur nën mbikëqyrjen e forcave të rendit dhe sistemit të kamerave të sigurisë.
Sipas analizave laboratorike të kryera në Itali këto mbetje të rikthyera në Shqipëri janë toksike dhe përbëjnë rrezik serioz, me ndikim të drejtpërdrejtë si në shëndetin e njeriut, ashtu edhe në mjedis.
Ekspertët kanë theksuar se këto mbetje nuk mund të depozitohen apo riciklohen në gjendjen aktuale, por kërkojnë trajtim të specializuar përpara çdo forme depozitimi përfundimtar, në përputhje me standardet ndërkombëtare.
Mbi një vit pas sekuestrimit, Prokuroria e Durrësit lëshoi 33 urdhër-arreste ndaj personave të dyshuar për shkelje të legjislacionit mjedisor, ku përfshihen edhe kompani private dhe institucione shtetërore. Deri tani, janë ekzekutuar 20 prej tyre.
Gjykata ka caktuar masa të ndryshme sigurie për të arrestuarit, ku 8 prej tyre ndodhen në qeli, 5 në arrest shtëpie dhe 7 me detyrim paraqitje, ndërsa hetimet për çështjen vijojnë./Versus.al

