Çfarë do të gjeni në brendësi
*Partia Demokratike do të mbajë sot protestën e radhës në kuadër të mosbindjes civile. Tubimi nis në orën 17:00 dhe pritet që të sjellë paralizim të disa akseve kryesore të kryeqytetit. *Sali Berisha ka deklaruar më herët se kjo do jetë mosbindja civile më e ashpër e deritanishme dhe se objektiv është krijimi i qeverisë teknike në mënyrë që Rama të mos ketë mundësi të përdorë administratën në zgjedhjet e 11 majit. *Lidhur me protestën ka reaguar edhe deputeti socialist Erion Braçe i cili shprehet se sot është “ditë vuajtje” për Tiranën dhe e krahasoi mosbindjen civile të PD me rastin terrorist të ndodhur në Gjermani me një ekstremist që përplasi me makinë qindra persona. *Policia e shtetit u ka bërë thirrje organizatorëve të protestës që të mos bllokojnë qarkullimin e automjeteve apo qytetarëve, pasi një gjë e tillë përbën vepër penale.
Protesta dhe mosbindja civile, policia thirrje PD: Bllokimi i rrugëve, vepër penale
Policia ka dalë me një njoftim zyrtar sa i takon protestës që do të mbahet sot nga Partia Demokratike duke nisur nga ora 17:00. Në njoftimin e bërë theksohet se policia granton të drejtën për tubim, por pa penguar lëvizjen e lirë të qytetarëve dhe automjeteve.
Duke e cilësuar bllokimin e rrugëve dhe të qarkullimit si vepër penale, policia paralajmëron organizatorët. Ndërsa bën me dije se në rast bllokimit të rrugëve, do të mundësohet kalimi në segmente rrugore alternative.
Reagimi i plotë:
Përfaqësues të subjektit politik Partia Demokratike e Shqipërisë kanë paraqitur kërkesën për zhvillim të tubimeve, nga ora 17:00 deri në orën 20:00 të datës 23.12.2024, në disa akse rrugore kryesore në Tiranë, konkretisht:
Unaza e vogël, rrethrrotullimi te Zogu i Zi, ura afër xhamisë në Rrugën e Elbasanit, sheshi “Ëilson” dhe nga pallati me shigjeta drejt Rrugës së Kavajës.
Policia e Shtetit garanton të drejtën për tubim, të drejtat dhe liritë e pjesëmarrësve në tubime, por pa cenuar lëvizjen e lirë të qytetarëve dhe të automjeteve.
Në bazë dhe në zbatimit të ligjit “Për tubimet”, Policia e Shtetit ka ndërmarrë të gjitha masat për garantimin e rendit publik, zbatimin e të drejtave dhe lirive të qytetarëve dhe të pjesëmarrësve në tubime, si dhe mbrojtjen e pronave publike dhe private.
Nisur nga objekti i kërkesës së bërë për zhvillimin e tubimeve në disa akse rrugore në qytetin e Tiranës, Policia e Tiranës i ka kthyer përgjigje organizatorëve se merr përsipër garantimin e tubimeve që nuk bllokojnë lëvizjen e lirë të automjeteve dhe qytetarëve.
Bllokimi i akseve rrugore është vepër penale e parashikuar nga neni 293 i Kodit Penal dhe cilido që do të ndërmarrë veprime për të bllokuar rrugët, do të përballet me pasojat që sjell shkelja e këtij neni.
Për të ndihmuar qytetarët që do të qarkullojnë në akset rrugore të mësipërme, Policia e Shtetit ka ndërmarrë masa që në rast bllokimi, të devijojë qarkullimin e automjeteve në rrugë alternative.
Policia e Shtetit apelon dhe një herë për zbatim të ligjit dhe respektim të lëvizjes së lirë të qytetarëve dhe automjeteve, gjatë orarit të tubimeve.
I njëjti njoftim u bë edhe para protestës së mosbindjes civile të zhvilluar në nëntor, por deputetët nuk përfillën thirrjet duke u përplasur edhe me punonjësit e policisë. Versus.al
“Ditë vuajtje për Tiranën sot”, Braçe për mosbindjen civile të PD: Njëjtë si makinat e ekstremistëve

Disa orë para nisjes së mosbindjes civile të paralajmëruar nga PD, deputeti socialist Erion Braçe e ka quajtur këtë si “ditë vuajtje” për qytetarët e Tiranës.
Nëpërmjet një videoje të publikuar në rrjetet sociale, Braçe shprehet se bllokimi i qarkullimit në kryeqytet është kundër interesit publik dhe e krahasoi këtë njëjtë si me rastin e ndodhur në Gjermani ku një ekstremist hyri me makinë drejt turmës së njerëzve duke shkaktuar katastrofë.
“Tirana do ta ketë ditë vuajtje sot, bashkë me të, të gjithë ata që vijnë e ikin në këtë qytet, të gjithë ata që jetojnë në këtë qytet, punojnë këtu, duan të kryejnë nevojat e tyre, përfshi nevojat e tyre jetësore në këtë qytet!
Të bllokosh Tiranën, nuk është interes publik, është kundër interesit publik! Të bllokosh Tiranën, një ditë para krishtlindjes e në orët e pasdites, është mu si ato makinat e ekstremisteve që hyjnë në tregjet e krishtlindjes për të dëmtuar, krijuar panik, trembur!
Të bllokosh Tiranën, një ditë para krishtlindjes, një festë që e festojnë të gjithë bashkë, pa ndarje e në paqe me njëri tjetrin, është thjesht mllef e urrejtje ndaj njerëzve normale që nuk të bëhen pjesë, nuk të mbështesin, duan të mbetet normale në këtë qytet”- u shpreh mes të tjerash Braçe.
Protesta e sotme në kuadër të mosbindjes civile nis në orën 17:00 dhe ashtu si herët e tjera pritet që të bllokohet qarkullimi në pjesët më kyçe të kryeqytetit. Versus.al
Sot akti i radhës i "mosbindjes civile", disa rrugë të bllokuara për protestën e PD! Berisha, i pranishëm për herë të parë
Partia Demokratike do të zhvillojë sot në orën 17:00 protestën e radhës në vazhdim të mosbindjes civile deri në krijimin e një qeverie teknike. Kryedemokrati Sali Berisha e ka quajtur këtë të sotmen si “mosbindjen më të madhe civile”, teksa vetë do të jetë i pranishëm për herë të parë që pas lirimit nga arresti shtëpiak ku qëndroi për 11 muaj.
Pavarësisht se data e zgjedhjeve është caktuar më 11 maj dhe vetëm pak muaj na ndajnë nga përballja elektorale, demokratët vijojnë me kërkesën e tyre për krijimin e një qeverie teknike pasi sipas tyre është garanci shtesë se Rama nuk do të përdorë instrumentet qeverisëse dhe administratën për të ndikuar në rezultatin e zgjedhjeve.
Si pasojë e protestës do të bllokohen edhe disa rrugë në Tiranë. Ato janë: Rruga pranë Bashkisë së Tiranës, rreth-rrotullimi tek “Zogu i Zi”, tek sheshi “Uillson”, tek “Pallati me Shigjeta”, si dhe kryqëzimi tek “Rruga e Elbasanit”, pranë xhamisë së “Namazgjasë”. Versus.al








