Çfarë do të gjeni në brendësi
*Për të dytën herë brenda pak ditësh, kryeministri Edi Rama shkoi në bashkinë e Vlorës e cila u “trondit” nga vizita e tij e parë gjatë së cilës u kërkoi të gjithë drejtorëve të jepnin dorëheqje. *Vizita e sotme e Ramës u përqendrua rreth lirimit të hapësirave publike të zaptuara nga bizneset në zonën e Lungomares ndërsa gjatë takimit në bashkinë e Vlorës urdhëroi që drejtorëve që u dorëhoqën me kërkesë të tij, të mos u jepen poste të tjera dhe të caktohen vendet e lira për të rinjtë. *Ai tha se një kapitull i ri do të hapet për Vlorën dhe se bashkia duhet të jetë vendi i punës dhe i pagjumësisë në shërbim të qytetarëve. *Teksa inspektonte zonat ku kërkoi lirimin e hapësirave publike, dy qytetare tentuan të flisnin me Ramën për probleme që kishin.
"Problem furnizmi me ujë dhe parkimet publike", zbardhet fjala e Ramës në bashkinë Vlorë: Një kapitull i ri do fillojë
Kreu i qeverisë Edi Rama ka shpalosur disa problematika që duhen zgjidhur gjatë takimit që pati me deputetë dhe zyrtarë të bashkisë së Vlorës. Teksa foli për dorëheqjen e detyruar të drejtorëve, Rama tha se në postet vakante duhet të aplikojnë të rinj.
Sa i takon çështjeve për t'u zgjidhur, Rama përmendi problemin e ujit të pijshëm, atë të hapësirave publike dhe parkimet në qytet. Ai bëri thirrje që personat të cilët duan të kenë poste drejtuese duhet të kenë si qëllim të shërbejnë siç duhet ndërsa theksoi se partia do të hapet edhe për forcë të re që kërkon të japë kontribute duke mos i ndarë njerëzit në "të djathtë apo të majtë".
Pjesë nga fjala e Ramës:
Ka ikur koha e deputetëve të cilët japin zgjidhje të problemeve nga kafeneja, duhet që ata të dalin në terren dhe t’u shërbejnë qytetarëve. Problemi i hapësirave publike është një problem që po trajtohet në terren. Nuk ka tendencë për t’i zënë frymën bizneseve, tendenca është që të harmonizohen interesat e të dyja palëve, biznesit dhe qytetarëve.
Zaptimi i trotuarit është i papranueshëm. Trotuari duhet të jetë i dedikuar vetëm për këmbësorët. Të gjithë njësitë e shërbimit në Lungomare do të kenë një dizanj të ri për të harmonizuar nevojë dhe interesin e tyre Problematika e zënies së hapësirës publike është në çdo rrugë dhe në çdo rrugë do të veprohet. Problemi tjetër i Vlorës janë parkimet. Kemi filluar punën për dy parkime publike dhe do të hapim të tjera investime në vijësi, por kjo gjë nuk justifikon parkimin në kundërshtim me ligjin duke zënë hapësirën e këmbësorëve Policia rrugore do të jetë shumë e ashpër në këtë drejtim
Problemi i ujit të pijshëm një tjetër problem i adresuar Për shkak të ngarkesës që ka qyteti në këtë periudhë dhe për shkak të investimeve. Çfarë kemi konstatuar është një keqmenaxhim vitet e fundit i ujësjellësit të Vlorës në këtë drejtim Ka një abuzim madhor për konsumimin e ujit të pijshëm për të vaditur bahçet dhe tokat bujqësorë Ministria po përgatitë një paketë për ta reformuar këtë sektor me qëllimin përmirësimin e furnizimit me ujë të pijshëm Kryesisht në zonat turistike.
Drejtorët e bashkisë së dorëhequr kanë treguar se janë të papërshtatshëm për ta kryer atë detyrë Ndërkohë që atyre mund t’ju jepen mundësi të reja në të ardhmen. Por dua t’i bëj thirrje që të gjithë ata që vijnë të shërbejnë siç duhet. Ne do të jemi shumë kërkues sa i përket shërbimeve dhe emërimit të tyre sipas meritës. E njëjta gjë do të vlejë edhe për drejtuesit e institucioneve qendrore në Vlorë të cilët janë dorëhequr Asnjë person që ka mbuluar funksionet publike nuk do të rimerret si drejtues në këtë fazë Të gjithë drejtuesit do të merren të rinj, të gjithë janë të mirëpritur të kontribuojnë më shumë për qytetin.
Të gjithë ata që kanë studiuar në Vlorë në Tiranë apo jashtë vendit që janë të dëshiruar të shërbejnë në administratën e shtetit apo në administratën e Vlorës që punojnë kamarier apo punë të tjera Janë të pritur që të vijnë dhe të konkurrojnë për postet përkatëse Bashkia do të konfirmojë të gjitha dorëheqet dhe do të hapi garën për udhëheqës të rinj.
Ajo që ne kemi bërë në Vlorë me grupin e deputetëve që na dha një rezultat tepër të mirë është vetëm hapi i parë për disa reforma në vijësi që do të ofrohen. Një kapitull i ri do të fillojë edhe për partinë socialiste të Vlorës Ku janë komanduar dy bashkëkyetar të rinj Erjona dhe Klevisi.
Erjona është edhe deputete ndërkohë që Klevisi është këtë në Vlorë për të mbajtur shtëpinë hapur në mënyrë të pandërprerë shtëpinë e partisë socialiste.
Të gjithë kryetarët e organizatës politike do të vlerësohen sipas shërbimit të tyre në 11 Maji Ndërkohë partia do të hapet totalisht për të krijuar grupe të reja për të ftuar individ të rinj të jenë kontribues do të hapen edhe grupet me qytetarët për të evidentuar çdo gjë në terren në kohe reale.
Këtu nuk ka të majtë edhe të djathtë këtu tek ne, ka parazitë dhe njerëz që janë të gatshëm për t’i shërbyer Vlorës. Parazitët janë edhe të majtë edhe të djathtë ndërsa edhe këta që janë të aftë janë edhe të majtë edhe të djathtë ne jemi me këta të dytët pavarësisht ngjyrimeve politike. Kjo është qasja që ne kemi zgjedhur dhe besoj se do kjo qasje do të sjellë vetëm gjëra të mira të Vlorës. Versus.al
VIDEO/ “Mos më hajde nga mbrapa”, Rama përzë qytetaren në Vlorë: Halle ke, po ik tani
Gjatë inspektimit të hapësirave publike të zaptuara nga bizneset në qytetin e Vlorës, kryeministri Edi Rama pati edhe një moment përplasjeje me njërën prej qytetareve e cila kërkonte të fliste me të.
Teksa fliste me kryebashkiakun e Vlorës, Ermal Dredha zonja i afrohet duke tentuar t’i shprehte shqetësimin. Por në atë moment kreu i qeverisë iu kthye duke i kërkuar që të mos e shqetësonte dhe se kishte punë të tjera.
Pjesë nga përplasja:
Rama: Ik tani se kam punë, mos më hajde nga mbrapa.
Qytetarja: Kam halle
Rama: Halle ke po mos na hajde nga mbrapa. Ik tani! A do ikësh tani apo jo?
Më herët, Rama pati një episod të ngjashëm ku një grua e moshuar e cila po kërkonte të fliste me kryeministrin u ndalua nga policia. Versus.al
“S’ka riciklim në poste të tjera”, Rama për drejtorët e bashkisë Vlorë: Të shkarkohen ata që nuk u dorëhoqën
Detaje të reja janë zbardhur nga mbledhja e dytë që kryeministri ka zhvilluar në bashkinë e Vlorës brenda pak ditësh. Sipas burimeve të Versus.al, Rama ka dhënë urdhër të prerë që drejtorët të cilët u dorëhoqën të mos emërohen në asnjë post tjetër dhe paralajmëroi se 5 drejtorët që nuk kanë dhënë dorëheqje do të shkarkohen.
"Do hiqen të gjithë drejtorët, nuk do ketë as riciklim të tyre. Ata që nuk kanë dhënë dorëheqje do të shkarkohen”- mësohet të jetë shprehur Rama gjatë mbledhjes.
Të shtunën u publikuan emrat e 5 drejtorëve të cilët “i rezistuan” ultimatumit të Ramës dhe nuk dhanë dorëheqjen nga posti i tyre pavarësisht kritikave të ashpra nga kryeministri. Versus.al
Problematikat e sezonit, Rama mbledh të mërkurën kryebashkiakët e vendit
Më 9 korrik, kryeministri Edi Rama do të zhvillojë një takim me kryetarët e bashkive të vendit. Mësohet se ky takim do të mbahet në njërin prej qyteteve bregdetare dhe fokusi do të jetë tek problematikat e pushtetit vendor lidhur me sezonin turistik.
Aktualisht kreu i qeverisë ndodhet në Vlorë për inspektimin e lirimit të hapësirave publike që janë zaptuar ndër vite nga bizneset e qytetit bregdetar. Ai ka bërë thirrje për shtrirje të këtij aksioni në të gjithë vendin.
Ndërsa deri më tani nuk ka patur asnjë reagim për zjarrin në landfillin e mbetjeve në Elbasan që shkaktoi ndotje masive për qytetarët përgjatë 6 ditëve me radhë. Versus.al
Pasi shkarkoi të gjithë drejtorët, Rama sërish në bashkinë e Vlorës! Në fokus lirimi i hapësirave publike
Disa ditë pas vizitës së parë ku u shfaq me një bllok në dorë dhe solli më pas dorëheqjen e 21 drejtorëve nga bashkia e Vlorës, sot kryeministri Edi Rama është shfaqur sërish në qytetin bregdetar.
Këtë herë i shoqëruar nga ministri Pirro Vengu, deputeti Blendi Çuçi dhe kryebashkiaku Ermal Dredha, kryeministri duket se ka në fokus lirimin e hapësirave publike. Të shtunën me anë të disa postimeve në rrjetet sociale ku tregoheshin zaptimet e bëra në Lungomare nga pronarët e lokaleve, ai u la atyre një afat prej 48 orësh për të hequr të gjitha tavolina e karriget e vendosura nëpër trotuaret ku duhet të qarkullojnë qytetarët.
Siç duket sot Rama ka ardhur për të inspektuar ecurinë e aksionit të nisur për lirimin e hapësirave publike. Të pranishëm në takim janë edhe disa prej deputetëve socialistë. Ndërsa me të mbërritur, Rama e ka nisur inspektimin nga zona e njohur si "Muradie" ku u ka bërë thirrje pronarëve të lokaleve që të heqin tavolinat dhe karriget në mënyrë që të lirohen hapësirat publike të zaptuara prej vitesh. Versus.al







