Çfarë do të gjeni në brendësi
*Reshjet e dendura të shiut gjatë natës kanë sjellë problematika në pjesën më të madhe të vendit gjatë ditës së sotme. *Në Durrës, Lezhë, Kukës e Shkodër janë raportuar rrugë, shtëpi, biznese e automjete të përmbytura. *Situata paraqitet më problematike në Durrës ku për shkak të përmbytjeve është pezulluar mësimi në të gjitha shkollat. Qarkullimi me automjete është pothuajse i pamundur për shkak se rrugët janë totalisht të mbuluara në uji. *Policia ka devijuar qarkullimin në rrugën Tiranë-Durrës për shkak të pranisë së lartë të ujit dhe rrezikut që sjell një gjë e tillë.
Përmbytjet në Durrës, uji futet dhe në burgun ku ndodhet Erion Veliaj

Që në orët e para të mëngjesit të së martës, reshjet e dendura të shiut kanë “paralizuar” një pjesë të mirë të qytetit të Durrësit, ku rrugët janë kthyer në “lumenj”. Uji ka depërtuar në shumë banesa, duke shkaktuar dëme materiale dhe duke detyruar banorët të kërkojnë ndihmë nga autoritetet.â
Si pasojë e situatës problematike, autoritetet kanë vendosur pezullimin e mësimit në qytet. Ekipet e Emergjencave Civile ndodhen në terren për t’u ardhur në ndihmë qytetarëve dhe për të menaxhuar problematikat e shkaktuara nga përmbytjet.â
Situata paraqitet e rëndë edhe në burgun e Durrësit, ku uji ka hyrë në qeli dhe ka shkaktuar përmbytje.
Prefekti i qarkut, Emiljan Jani, bëri me dije se 8 qeli janë përmbytur dhe po dërgohen pompa për largimin e ujit, ndërsa të dënuarit janë zhvendosur në katin e dytë.
“Situata është shumë e rëndë. Tetë familje janë evakuuar dhe janë strehuar në Kavalishencë. Ndërkohë janë përmbytur 8 qeli dhe po dërgohen pompat për largimin e ujit pasi është përmbytur burgu”, shprehet ai, për News24 ndërkohë që të gjithë të dënuarit janë zhvendosur në kati ne dytë.
Vlen të përmendet se në burgun e Durrësit ndodhet edhe kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, i cili po vuan masën e sigurisë që prej shkurtit të vitit të kaluar./Versus.al
Durrësi në 'kolaps', pezullohet mësimi në shkolla! Përmbyten disa banesa, rrugët të pakalueshme
Qyteti i Durrësit është pothuajse i paralizuar totalisht ditën e sotme si pasojë e problematikave të shkaktuara pas reshjeve të shiut.
Disa banesa në zonën e ish-Kënetës janë përmbytur duke bërë që të evakuohen disa familje. Ndërkohë që rrugët e përmbytura dhe prania e ujit në oborret e shkollave ka bërë që mësimi të pezullohet që për fëmijët në çerdhe e deri tek studentët në universitet.
Qarkullimi me automjete është i pamundur, ndërsa i gjithë qyteti është paralizuar nga trafiku. Versus.al
Rruga Tiranë-Durrës e përmbytur, policia devijon trafikun e automjeteve

Policia Rrugore ka bërë me dije se si pasojë e pranisë së lartë të ujit në zonën pranë karburantit në hyrje të Durrësit, trafiku i automjeteve që shkojnë drejt Durrësit do të devijohet për në akset e tjera alternative.
Për të shmangur trafikun dhe aksidentet, Policia Rrugore njofton se do të devijohet lëvizja si më poshtë:
Automjetet që vijnë nga jugu në drejtim të Tiranës, të qarkullojnë nga Rruga e Plepave për në Ndroq dhe nga rruga “Rrogozhinë–Elbasan–Tiranë”.
Për në Durrës, kalimi do të bëhet nga rruga e universitetit, në drejtim të Spitallës dhe në rrugën “Tiranë–Elbasan–Rrogozhinë”.
Gjithashtu u është bërë thirrje shoferëve që të shmangin lëvizjet e panevojshme dhe të tregojnë kujdes maksimal gjatë qarkullimit. Versus.al
Reshjet e dendura përmbytin Lezhën, vështirësi në qarkullim

Si pasojë e reshjeve të dendura të shiut gjatë natës edhe qyteti i Lezhës është zgjuar nën pushtetin e ujit që ka përmbytur disa lagje. Për shkak të prurjeve të larta, rrjeti i kanalizimeve nuk ka mundur të përballojë reshjet e shiut duke sjellë përmbytje në lagjen “Besëlidhja”.
Niveli i ujit ka arritur deri në 40 centimetra, duke bllokuar hyrjet e pallateve dhe duke vështirësuar lëvizjen e qytetarëve dhe të automjeteve. Situata ka krijuar shqetësim për banorët e zonës, të cilët janë përballur me vështirësi gjatë orëve të para të mëngjesit.
Ndërkohë, për shkak të prezencës së ujit në ambientet e jashtme, është pezulluar procesi mësimor në shkollën 9-vjeçare “Kosova” në Lezhë.
Në lumenjtë Drin dhe Gjadër ka rritje të prurjeve, ndërsa autoritetet po e monitorojnë situatën nga afër. Versus.al
VIDEO/ I njëjti avaz në Durrës, qyteti përmbytet pas reshjeve të shiut! Rrugët kthehen në 'lumenj'

Ashtu siç ndodh gjithmonë kur bie shi, edhe këtë herë qyteti i Durrësit është përmbytur pas reshjeve të dendura të shiut që ranë gjatë natës.
Qytetarët janë zgjuar të përmbytur. Uji ka mbuluar rrugët dhe trotuaret duke bërë që shumë makina të përfundojnë nën ujë dhe qarkullimi të jetë pothuajse i pamundur.
Situata paraqitet tejet problematike sidomos në kryqëzimet e rrugëve të qytetit. Ky lloj shqetësimi është i përhershëm për banorët e qytetit të Durrësit ku pavarësisht përmbytjeve të vazhdueshme, nuk merren masat e duhura që situata të tilla të mos përsëriten. Versus.al

