AKTUALITET /

“Kam frikë për jetën, mos më ekstradoni në Shqipëri”, Lulzim Berisha del para gjykatës në Spanjë

Lul Berisha, i kërkuar në Shqipëri për vrasje, ka refuzuar ekstradimin drejt vendit tonë duke argumentuar se i rrezikohet jeta nga hakmarrjet e personave me të cilët ka konflikte.

Shkruar nga Versus
“Kam frikë për jetën, mos më ekstradoni në
Foto e mëhershme e Lulzim Berishës dhe foto nga arrestimi i tij në Spanjë

Lulzim Berisha, i njohur si ish-kreu i bandës së Durrësit, i arrestuar muaj më parë në Spanjë, ka dalë para gjykatës në seancën ku u shqyrtua kërkesa e autoriteteve shqiptare për ekstradimin e tij, pasi 52 vjeçari ishte shpallur në kërkim në Shqipëri që prej 2020-ës për vrasjen e Vajdin Lames dhe Klodian Saliut, të ndodhura në 2005-ën.

Mediat spanjolle shkruajnë se Berisha ka kërkuar që të mos ekstradohet drejt Shqipërisë duke u shprehur se kishte aplikuar për azil në Spanjë nga frika e një hakmarrje të mundshme. Për të mbështetur pretendimet e tij, Lulzim Berisha ka përdorur atentatin që iu bë në 2005-ën ku banesa e tij u godit me predhë anti-tank. Ndërsa avokati i tij mbrojtës ka argumentuar se ka shkelje në kërkesën e dorëzuar nga autoritetet shqiptare për ekstradimin e Lul Berishës. 

Kujtojmë se ish-kreu i bandës së Durrësit, u arrestua në Spanjë në dhjetor të vitit të kaluar. Pamja e tij kishte pësuar ndryshim të madh pasi këtë herë u shfaq me kapelle, tatuazhe në duar dhe duke u shtirur si turist anglez.

Berisha u arrestua në 2006-ën për aktivitetin kriminal të bandës së Durrësit të kryer në vitet 1998­- 2000 për veprat penale “Vrasjes me paramendim” të kryer në kuadër të “Grupit të Strukturuar Kriminal” dhe “Mbajtjes pa leje të armëve të zjarrit”. 16 anëtarë të kësaj bande u dënuan në total me 245 vjet burgim nga ish-Gjykata për Krimet e Rënda.

Në vitin 2016, Berisha arriti të dilte nga burgu pa e mbyllur dënimin prej 25 vitesh, duke u liruar me kusht nga Gjykata e Shkallës së Parë në Durrës me pretendimet e shkaqeve shëndetësore. Ky vendim në atë kohë erdhi pasi Gjykata e Lartë kishte refuzuar prokurorinë për dënimin me burgim të përjetshëm. Në vitin 2020, Lulzim Berisha u shpall në kërkim për vrasjen e Vajdin Lames dhe Klodian Saliut, vrasje të vitit 2005, të cilët u zbardhën 15 vite më vonë. Për vrasjen e Lames çështja u pushua, ndërsa aktualisht ishte në kërkim vetëm për Klodian Saliun, i cili u vra në rrugën Durrës-Maminas, në fshatin Koxhaj teksa po lëvizte me makinën “Mercedes Benz”. Versus.al

Poll