Katër persona janë arrestuar, përfshirë një konservues të antikiteteve në Muzeun e Kajros, për vjedhjen e një bizhuterie me vlerë nga epoka e faraonëve që u shit për 3.400 euro por më pas përfundoi në një fonderi, thanë autoritetet egjiptiane të martën.
Byzylyku i artë, i zbukuruar me një rruazë lapis lazuli, daton që nga mbretërimi i Amenemhepit, faraonit të Dinastisë së 21-të (1070-945 p.e.s.), pra rreth 3100 vjeçar. Ai ishte zhdukur nga një kasafortë në punishten e restaurimit të antikiteteve të Muzeut të Kajros, sipas Ministrisë së Kulturës.
Mediat egjiptiane raportuan se xhevahiri ishte përfshirë në një listë antikitetesh që do të udhëtonin për në Romë në tetor për t'u ekspozuar si pjesë e eventit "Thesaret e Faraonëve".
Hetimi zbuloi se byzylyku i çmuar ishte vjedhur nga muzeu, ishte shitur dhe kishte përfunduar në një fonderi ku ishte shkrirë me bizhuteri të tjera, sipas një deklarate nga Ministria e Brendshme. Pamjet e kamerave të sigurisë, të publikuara nga autoritetet egjiptiane, tregojnë një byzylyk që shkëmbehet me një tufë kartëmonedhash dhe më pas pritet në dysh nga blerësi.
Konservuesi "arriti ta vidhte byzylykun ndërsa punonte në muze", më pas kontaktoi një argjendar i cili ia shiti atë pronarit të një punishteje argjendarie për 180.000 paund egjiptiane (rreth 3,100 euro). Ai ia shiti atë një fonderie ari për 194.000 paund egjiptiane (rreth 3.400 euro), sipas të njëjtës deklaratë.
Të katër të arrestuarit pranuan fajin e tyre dhe paratë u konfiskuan.







