
Pep Guardiola nuk ka ndërmend të menaxhojë një ekip tjetër pas largimit nga Manchester City. Këtë deklaratë spanjolli e ka bërë gjatë një intervistë, ku çuditërisht ka shtuar se nuk do të kishte energji për ta bërë këtë punë çdo ditë sërish, por la të kuptohet se ka gjasa që ai të drejtojë ekipin kombëtar në të ardhmen.
Muajin e kaluar, spanjolli nënshkroi një kontratë të re me “City” që do ta mbajë në “Etihad” deri në verën e vitit 2027.
'Unë nuk do të drejtoj një ekip tjetër. Nuk po flas për të ardhmen afatgjatë, por ajo që sigurisht nuk do të bëj është të shkoj në një vend tjetër dhe të bëj të njëjtën gjë që po bëj tani, pasi të largohem nga Manchester City. Nuk do të kisha energji për këtë. Mendimi për të filluar diku tjetër me të gjithë procesin e stërvitjes dhe gjithçka... Jo, jo, jo! Ndoshta me ekipin kombëtarë, por kjo është tjetër histori. Si ata shefat e kuzhinës që largohen nga një restorant dhe shkojnë në vende të tjera për të kuptuar se çfarë kanë bërë mirë dhe çfarë mund të bëjnë më mirë. Kur je i zënë gjithë ditën, çdo ditë, nuk ke kohë për këtë.Dua të lë gjithçka dhe të shkoj të luaj golf, por nuk mundem. Mendoj se mund të shfrytëzoj një pushim. Megjithatë, unë jam ende i ri dhe kur të ndalem, ka disa gjëra që dua të bëj. Njëra prej tyre është të mësoj frëngjisht, t'ia kushtoj kohën time të lirë vetes që të luaj golf dhe më pas të filloj të mësoj të gatuaj gjëra të thjeshta.' është shprehur Guardiola në një intervistë për kanalin e Dani Garcia në YouTube./Versus.al







