
Një nga dasmat më luksoze të këtij viti është zhvilluar në Mykonos, ku Alexandra Veletsis, drejtoreshë e Zyrës së Vizitorëve në Shtëpinë e Bardhë dhe bashkëpunëtore e presidentit amerikan Donald Trump, kurorëzoi dashurinë me partnerin e saj Matthew Guarino, i cili vepron në sektorin bankar dhe financiar.
Ceremonia dhe festimet shumëditore thuhet se kushtuan miliona euro dhe u organizuan pas afro dy vitesh përgatitjesh.

Çifti kishte si synim t'u ofronte rreth 200 të ftuarve nga Shtetet e Bashkuara një përvojë autentike të verës greke. Kurorëzimi u zhvillua në kishëzën e Shën Harallambit, pranë mullinjve ikonë të Mykonosit, ndërsa pritja madhështore u organizua në një vilë private në zonën e Kalafatit.

Për disa ditë, prona u shndërrua në një kompleks të ndërtuar posaçërisht për dasmën, me struktura, mobilie dhe dekorime të krijuara ekskluzivisht për këtë event.

Tema e mbrëmjes ishte "Sexy Fish meets Mykonos", duke kombinuar atmosferën teatrale të restorantit të famshëm "Sexy Fish" me elemente të frymëzuara nga Egjeu.

Dekori përfshinte instalacione artistike me forma oktapodësh, guackash dhe pelikanit simbol të Mykonosit, ndërsa koktejet dhe tavolinat ishin konceptuar me dizajne unike.
Festimet zgjatën disa ditë dhe u zhvilluan në disa prej vendeve më të njohura të ishullit.

Programi nisi me një darkë mirëseardhjeje në Interni, vijoi me një beach party në Scorpios, kulmoi me ceremoninë martesore dhe përfundoi me festa në Principote, që vazhduan deri në orët e para të mëngjesit.

Atmosferën e ndezën DJ të njohur ndërkombëtarë, mes tyre Cedric Gervais, ndërsa të ftuarit shijuan edhe muzikë greke dhe dhurata të personalizuara të punuara nga artizanë vendas. Sipas mediave greke, kjo konsiderohet një nga dasmat më spektakolare të organizuara ndonjëherë në Mykonos./Prothema/Përshtati në shqip Versus.al

